Një zjarr i rënë papritur ka shkrumbuar zyrat e Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës, mbrëmjen e kaluar.
Fillimisht, ishte gazetari Basir Çollaku që hodhi dritë mbi këtë ngjarje, duke theksuar se zyrat u dogjën pasi po ushtrohej kontroll nga KLSH, për abuzime financiare.
Ai theksonte se urdhri për shkrumbimin e dokumenteve është dhënë nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
Ndërkohë, një denoncim i mbërritur në redaksinë e Syri.net zbulon detaje të reja lidhur me atë që ka ndodhur në ndërmarrjen bashkiake.
Mësohet se zjarri ka rënë në zyrën e drejtoreshës së shitjeve, krahu i djathtë dhe njeriu i besuar i drejtorit të UKT.
Arseja pse janë djegur dokumentet, tashmë është e qartë, dhe për më tepër në zyrën e shitjeve, aty ku ndodhen kontratat, faturat dhe debitë.
UKT cilësohet nga KLSH si një nga ndërmarrjet ku abuzimet financiare llogariten të konsiderueshme.
Syri.net sjell edhe pamje nga zjarri i rënë brenda në zyrat e UKT, ku duket qartë se gjithçka në sektorin e ruajtjes së dokumenteve është shkrumbuar.
Zjarrvënia dyshohet të jetë e qëllimshme.
Ngjarja nuk është bërë publike, edhe pse kemi të bëjmë me rënie zjarri në një institucion shtetëror, me pasoja të konsiderueshme materiale.
Denoncimi në Syri.net
Është djegur sektori i kontratave dega e shitjes. Sektori më i rëndësishëm. Janë të gjitha kontratat e pallateve të reja. Dokumentet e riskut, task forca, debitë, faturimi, gjithçka që ka lidhje me degën e shitjes.
Ju hyri frika pas vendimit të Qeverisë për kalimin e UKT, Ministrisë. Ndërsa këto dy ditë kanë nxjerrë lajmin se ujësjellësi i Tiranes nuk do i kalojë Ministrisë, do e mbajë bashkia. Ujësjellësat e tjerë po.
Është djegur zyra e drejtoreshës së shitjes, krahu i djathtë i drejtorit. Dhe njeriu më i besuar i tij.
Është drejtoria më e rëndësishme, Muçi është krahu i djathtë e ka pas tek DPN2 në bashki i ka pas mbyll tenderat atje.
© SYRI.net