Lajmi i fundit

LIVE/ PD, aktivitet për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

49 vite nga kryengritja e Spaçit, Leskaj: 21 Maji dita e qëndrestarëve

49 vite nga kryengritja e Spaçit, Leskaj: 21 Maji dita e qëndrestarëve

18:06, 21/05/2022
A+ Aa A-

Duke përkujtuar 49-vjetorin e kryengritjes së Spaçit, deputeti i PD-së, Bujar Leskaj shkrun se 21 maji duhet të jetë dita e qëndrestarëve dhe disidentëve të vërtetë.

Mesazhi i Bujar Leskajt:

Nëse nuk munda brengës t'i bëj ballë,

zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur,

Nëse m'i vdekur jam se çdo i gjallë,

Mirë pra, m'i gjallë jam se çdo i vdekur...

Vilson Blloshmi, 1 shtator 1972

49 vite nga kryengritja antikomuniste e Spaçit

49 vite më parë, në pranverën e largët të vitit 1973, më 21 – 22 majit të burgosurit politikë në burgun famëkeq të Spaçit, sfiduan diktaturën edhe në segmentin më të hekurt të saj.

Të  lodhur nga puna e rëndë, ushqimi i pakët, dhuna fizike dhe nëpërkëmbja e dinjitetit, shpërthyen në një revoltë masive e cila zgjati tre ditë.

Tre ditë lirie e drite në errësirën e regjimit më të egër komunist në Europë.

Kryengritja e Spaçit përbën një pikë kulmore në historinë e qëndresës antikomuniste, por edhe të lëvizjes për liri e demokraci.

Të burgosurit, në burgun e braktisur nga policët dhe rojet, brohorisnin kundër diktaturës komuniste, kundër ideologjisë marksiste dhe pro demokracisë.

Parullat e hedhura gjatë revoltës ishin: ‘Ja vdekje ja liri’, ‘Ju jeni katila’, ‘Rroftë Shqipëria e Lirë’, ‘Ju jeni katila dhe keni lyer duart me gjakun tonë’, ‘Populli është me ne dhe kundër jush’, ‘Mos u gënjeni se kurrë në botë nuk do të fitojë komunizmi’, ‘Poshtë komunistët’, ‘Rroftë Europa e lirë’, etj.

Në atë kryengritje, për herë të parë u artikulua shprehja ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa!’, shprehje, e cila ishte lejtmotivi i Lëvizjes Studentore Shqiptare në Dhjetor ’90!

Një prej gjesteve më simbolike dhe më domethënës, që shënoi kulmin e revoltës, ishte ngritja e flamurit kombëtar pa yllin komunist, mbi tarracën e njërës prej fjetoreve. Flamuri u improvizua me mjete rrethanore nga të burgosurit.

Revolta e 21 Majit 1973 u shtyp me egërsi nga regjimi, duke përdorur trupa dhe mjete ushtarake.

Për këtë ngjarje janë dënuar me procese speciale në Tiranë, disa grupe, duke u ndarë në grupet e revoltës përgjithësisht dhe ai i flamurit veçanërisht.

U zhvilluan gjithsej 5 procese penale. Dolën në gjyq 66 të dënuar. Nxitësit, organizatorët dhe pjesëmarrësit më aktivë u ndëshkuan me rritje të dënimit, ndërsa katër prej tyre u dënuan me pushkatim.

Katër martirët e revoltës së Spaçit e 3 ditëve të LIRISË ishin: Hajro Pashaj, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja, eshtrat e të cilëve ende nuk janë gjetur as sot, por që me aktin e tyre dëshmuan se regjimi edhe pse i egër rrëzohej, se diktatira nuk e nënshtronte dot shpirtin e lirë të shqiptarit, se për lirinë ia vlen të sakrifikosh.

Pal Zefi, Skënder Daja, Hajro Pashaj dhe Dervish Bejko, 4 martirët e Revoltës së Spaçit, dhe dhjetëra të burgosur të tjerë politikë treguan se edhe në momentet më të zeza, edhe të vetëm, me guxim dhe trimëri mundet të rrëzonin dhe rrëzuan regjimin komunist për 3 ditë lirie dhe se për lirinë ia vlen të sakrifikosh.

U ekzekutuan, dhe eshtrat e tyre nuk gjenden as sot, por akti i tyre është dhe do mbetet i gjallë për të sotmen dhe të ardhmen!

21 Maji është dhe duhet të jetë dita e qëndrestarëve, dita e disidentëve të vërtetë antikomunistë shqiptarë. Dhe 21 maji duhet të vendoset me ligj si dita e përkujtimit publik, krahas 5 majit-Ditës së Dëshmorëve, 4 dhjetorit-Ditës së Forcave të Aramatosura dhe 8 dhjetorit - Ditës së Rinisë.

21 maji i vitit 1973 i parapriu revoltës së Qafë Barit në 24 maj 1984, kur përsëri disidentët, antikomunistët e vërtetë sfiduan dhëmb për dhëmb regjimin  komunist, pavarësisht pasojave.

Ndaj vendosja me ligj e një dite të tillë, si Ditë e Përkujtimit Kombëtar, (Dita për qëndrestarët e vërtetë antikomunistë në vitet 1944- 1990), duhet të jetë Monumenti më i përkryer i NJERIUT dhe i triumfit të lirisë e shpirtit të lirë mbi tiraninë.

Përkujtimi i asaj dite, i atij akti, i katër martirëve të revoltës së Spaçit, i revoltës së Qafë Barit, është nderim jo vetëm i qëndresës së tyre ndaj diktaturës, por dhe respekt ndaj të gjithë antikomunistëve të vërtetë.

v.o: Këtë postim ua dedikoj të gjithë disidentëve të vërtetë antikomunistë të para viteve ‘90, të cilët nuk morën parasysh pasojat, as llogaritën jetën e tyre në emër të bindjeve, idealit demokratik, dhe veçanërisht, njërit prej qëndrestarëve antikomunistë, heroit të burgjeve shqiptare, të madhit Haxhi Baxhinovskit, i cili u nda nga jeta përpara disa vitesh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco