Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

'Gjakderdhja' financiare e njollos edhe pushtetin e Albin Kurtit - Nga Syri.net Kosova

'Gjakderdhja' financiare e njollos edhe pushtetin e Albin Kurtit - Nga Syri.net Kosova

13:11, 04/02/2022 Nga Syri.net Kosova
A+ Aa A-

Editorial nga Syri.net Kosova.

Në rastin më të keq e që duhet hetuar, kanë marrë para publike për derivate pa e ‘ndezë’ veturën kurrë.

Në rastin më të ‘mirë’, kanë përfituar mbulimin e faturave, po me para publike, për udhëtimet nga komunat e tjera drejt Prishtinës.

Tabelat e publikuara të listës së deputetëve, dëshmojnë se si ka vazhduar shpërdorimi i buxhetit të taksapaguesve kosovarë, edhe nën pushtetin e Vetëvendosjes.

Ky nuk është një dëm kolosal financiar. Në fakt, është gati i papërflillshëm nëse nisemi nga vlera. Por, morali i fabulës është i thjeshtë, edhe pas aktit “vullnetar” të deputetëve të Albin Kurtit.

Edhe këta kanë qejf të “ngjyejnë” nga pak në luksin që ta jep pushteti. Po të mos bëhej publike lista, nuk do të ndodhte reagimi. Po sa e sa gjëra të tjera ndodhin, që publiku as i merr vesh ndonjëherë.

Dhe do ta ketë gjithnjë e të vështirë, nëse qeveria vazhdon të mbyllet për mediat, siç ka ndodhur deri më tani..

Refreni që anatemon regjimet e kaluara, nuk pi ujë në këtë rast. Kur bëhesh pjesë e tortës së pushtetit, duke përfituar nga metodat dhe mekanizmat abuzivë, nuk mundesh të akuzosh më të tjerët.

Vetëvendosje duhet t’u kërkojë falje qytetarëve të Kosovës, për shfrytëzimin e pajustifikuar të parasë publike për transportin e deputetëve, që paguhen me rroga të majme, marrin kompensim shtesë edhe për seanca dhe komisione.

Është e pakuptueshme, pse duhen të gjitha këto kompensime, përveç një page tepër të lartë që e marrin deputetët, të cilët kanë angazhime sporadike dhe kanë edhe burime të tjera të të ardhurave.

Kjo situatë, nuk mund t’i faturohet partisë në pushtet se si u krijua, po bashkëpërgjegjëse bëhet edhe Vetëvendosje kur i bashkohet praktikës abuzive, për sa kohë që publiku nuk e merr vesh.

Reagimi i grupit parlamentar të LVV-së është i mirëpritur, por mungon kërkimfalja ndaj publikut. Partia e Albin Kurtit u votua masivisht nga kosovarët që mos të ketë shpërdorim të fondeve publike, të luftohet korrupsioni e nepotizmi, të mos ketë politizim dhe emërime jomeritore.

Çdo huqje, si në rastin e shpenzimeve për derivatet, është edhe një minus për pushtetin që i bëri një vit në krye të Kosovës.

Njerëzit e institucioneve duhet të trajtohen denjësisht, por zhvatja në kurriz të buxhetit është e pafalshme. Politikanët i kanë trashur përfitimet nga mandati në mandat dhe gjithnjë ka pasur një kompromis të heshtur mes tyre, kur ka qenë fjala te të mirat materiale. Kjo ndodhi edhe në rastin e Kuvendit me shpenzimet për derivatet që u rimbursohen deputetëve.

Edhe partitë e tjera duhet të deklarohen kundër një modeli të tillë zhvatës dhe abuziv. Elektorati ka votuar përfaqësuesit e tij në Kuvend që të mbrojnë interesat e votuesve e jo që ta mbushin veturën private me derivate me paranë publike.

As partia e Albin Kurtit, nuk ka pse të na mbajë moral në këtë rast. Thjesht, kërkoni falje dhe mos u fshihni pas privilegjeve të pamerituara. Nga ju po pritet ndryshimi i madh e jo vazhdimi i një tradite të urryer  dhe abuzive.

Është një traditë e shtrirë gjithandej në zyrat e shtetit, që duhet të marrë fund, por siç e pamë, vazhdon të jetë funksionale dhe e papenguar as nga pushtetarët e rinj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco