40 ditë para zgjedhjeve/ Bashkia e Durrësit kujtohet për banorët e tërmetit

40 ditë para zgjedhjeve/ Bashkia e Durrësit kujtohet për banorët e tërmetit

16:46, 27/01/2022
A+ Aa A-

Bashkia Durrës surprizon sërish. Në një nga pikat e rendit të ditës që pritet të kalojnë për miratim në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Durrës është përfshirë lista e 13-të e familjeve përfituese të granteve të rikonstruksionit të banesave të dëmtuara nga tërmeti.

Megjithëse lista e fundit (e dymbëdhjeta) është miratuar më 20 prill, vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare, bashkia Durrës priti plot 10 muaj të tjerë për të dëmshpërblyer 526 familje të tjera përfituese.

“PËR MIRATIMIN E DHËNIES SË NDIHMËS FINANCIARE, SIPAS LISTËS SË TREMBËDHJETË ME SUBJEKTET PËRFITUES TË PROGRAMIT TË GRANTIT PËR RIKONSTRUKSIONIN E BANESAVE TË DËMTUARA SI PASOJË E DËMEVE TË SHKAKTUARA NGA FATKEQËSIA NATYRORE E TËRMETIT TË DATËS 26 NËNTOR 2019”,– është pika e dhjetë e rendit të ditës së mbledhjes së Këshillit Bashkiak, që do të zhvillohet me mjete të komunikimit elektronik, mesditën e së premtes.

Paratë që nuk u dhanë për shumë muaj me radhë akordohen pikërisht tani dhe pritet të kalohen në llogaritë bankare të qytetarëve përfitues gjatë fushatës zgjedhore lokale.

Skema e përdorur për akordimin e dëmshpërblimit të tërmetit në fushatë zgjedhore është mjaft e njohur në Durrës, sepse nga aplikimi online i hapur në muajin dhjetor 2020, u miratuan gjatë muajve shkurt-prill 2021 plot 4294 familje që përfituan grantet e rikonstruksionit në shumat 100 mijë, 250 mijë dhe 500 mijë lekë të reja.

Duket se firma e hedhur në dekretin presidencial nga Ilir Meta më datë 20 janar, nuk hapi vetëm dritën jeshile për kalimin e bonusit të qirasë për 3800 familje që prej 3 muajsh nuk merrnin paratë, por hapi edhe thesin qeveritar për të akorduar miliona para të tjera për të dëmtuarit nga tërmeti.

Skenari qeveritar në zgjedhjet parlamentare
Një vit më parë në prag të zgjedhjeve parlamentare u lëvruan shifra mjaft të larta parash për grantet e rikonstruksionit.

Bazuar mbi Vendimin e Këshillit të Ministrave gjatë periudhës 1 janar- 1 mars 2021, në bazë të VKM-ve janë lëvruar 159 248 000 lekë transferta të pakushtëzuara nga Fondet e Programit të Rindërtimit.

Ndërsa në periudhën 1 mars – 1 maj 2021 janë lëvruar 1 959 605 081 lekë bazuar mbi Vendimin e Këshillit të Ministrave, transfertava të pakushtëzuara nga Fondet e Programit të Rindërtimit.

Shifra bie ndjeshëm për periudhën 1 maj – 1 korrik 2021, ku bazuar mbi Vendimin e Këshillit të Ministrave janë lëvruar 541 801 000 lekë nga transfertat e pakushtëzuara të Fondeve të Programit të Rindërtimit.

Nga konstatimet e asaj periudhe, fondi i lëvruar nga Programit të Rindërtimit u rrit rreth 12 herë më shumë në krahasim me tre mujorin paraardhës nga Bashkia Durrës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco