Protesta: Taksat tona shpërdorohen, mungon ngrohja në shkolla

Protesta: Taksat tona shpërdorohen, mungon ngrohja në shkolla

10:27, 24/01/2022
A+ Aa A-

Duke nisur nga sot, shkollat dhe gjimnazet do të mbyllen për tre ditë.

Kjo masë është ndërmarrë nga Ministria e Arsimit, për shkak se është paralajmëruar se temperaturat në disa zona do të shkojnë deri në minus 17 gradë. Qëndresa Qytetare ka reaguar ndaj këtij vendimi duke zhvilluar një protestë para Ministrisë së Arsimit.

Migen Qiraxhi, përfaqësues i kësaj qendre, tha për mediat se vendimi është marrë pasi shkollat vuajnë nga mungesa e ngrohjeve. Ai theksoi se duhet shtuar presioni i prindërve e mësuesve ndaj institucionit arsimor, në mënyrë që të ketë përmirësim të situatës.

“Ministrja po bën meteorologen dhe s’po bën asgjë tjetër. Nuk do të jetë ftohtë vetëm këto ditë. Askush nuk mund të surprizohet që në muajt janar dhe shkurt bën ftohtë. Kjo ministri dhe arsimi është kthyer në momentin që e la dhe Migjeni, një kafshatë që nuk kapërdihet. Ne jemi këtu për të adresuar problematikat e mësuesve, komunitet që është marrë peng, është ngarkuar me të gjitha vështirësitë. Ky profesion ka kosto fizike. Mësuesit tonë sot nuk kanë mbështetje për COVID-in, kanë orë shtesë, punojnë me turne. Mësimnxënia e fëmijëve dëmtohet, e ky mision kthehet i pamundur, në mjerim. Ju e keni parë që asnjë mësues nuk thotë dot kam ftohtë.

Ekipi i qëndresës ka marrë njoftime nga shumë mësues. Ne kemi përgjegjësinë të ndihmojmë këtë komunitet të madh, që për shkak të gjitha presioneve e ka të vështirë të ankohet. Ne jemi për t’i thënë qytetarëve që të mbështesin mësuesit e të bëjnë më shumë për këtë komunitet. Në qytetin e Tiranës, qytetarët në 5 vite kanë paguar taksë për arsimin, rreth 26 mln euro.

Në Dibër, në Maqellarë, nuk kanë ngrohje. Nxënësit marrin dru për të ngrohur klasën. Misioni për mësimnxënie të nxënësve është kthyer në sfidë. Në Berat mësimi zhvillohet në eurolloto sepse shkolla është dëmtuar. Sigurisht ne shohim shpenzime luksi, por arsimi nuk ka infrastrukturë. Në të gjithë këtë situatë ku vendi jonë ka ministri për të menaxhuar fondet. Ligji qytetarëve i jep infrastrukturë, por atë e mban ministria. Ne jemi sot për t’i sjellë kësaj ministrie disa ngrohëse modeste. Ata i dhanë pushim fëmijëve për shkak të presionit dhe protestave të paralajmëruara. Kjo nuk është situatë e menaxhuar mirë. I bëjmë thirrje prindërve dhe mësuesve t’i bëjnë presion këtij institucioni”, u shpreh Qiraxhi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco