VIDEO-SYRI TV/ Rama-Veliaj i inauguruan në 2021, pallatet te ‘5 maji’ janë bosh

VIDEO-SYRI TV/ Rama-Veliaj i inauguruan në 2021, pallatet te ‘5 maji’ janë bosh

13:40, 23/01/2022
A+ Aa A-

22 ditë pas ceremonisë së dorëzimit të çelësave të familjeve që do strehohen te pallatet e reja tek ‘5 maji’, asnjë qytetar nuk gjendet në këto banesa. Nga ana tjetër, për ndërtimin pallateve qindra banorë të tjerë kanë mbetur pa strehë pasi u janë shembur shtëpitë, teksa vijojnë të dalin në dritë dëshmi të tjera të dhunës policore ushtruar ndaj tyre.

Nga SYRI TV

Në rrjetet sociale është publikuar një video nga apartamentet e reja të zonës së ‘5 Majit’, ku është parashikuar të strehohen të dëmtuarit nga tërmeti. Edhe pse vetëm pak ditë më parë ishte vetë Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj që i dorëzuan çelësat e shtëpive 100 familjeve të para që do të strehoheshin aty, këto banesa vijojnë të jenë bosh.

Në një video të publikuar nga faqja ‘E drejta mbi qytetin’ duket qartë se e gjithë ndërtesa është e boshatisur, dritat janë të fikura dhe nuk gjendet asnjë banor në këto shtëpi ku supozohej të jetonin 100 familjet që përfituan nga procesi i rindërtimit.

‘22 ditë pas përurimit zhurmëmadh, në të cilin morën pjesë Kryetari i Bashkisë dhe Kryeministri, kemi shkuar të vizitojmë 100 familjet e para që u strehuan në zonën e ‘5-Majit’, por në të gjithë hapësirën nuk gjendet asnjë banor. E gjitha ishte veç propagandë dy-lekëshe’-shkruhet në status, duke e shoqëruar edhe me videon përkatëse.

Nga ana tjetër, për ndërtimin e këtyre pallateve, qindra banorë të tjerë kanë mbetur pa strehë pasi u janë shembur shtëpitë, e për më tepër janë përballur me dhunë e presion policor pasi kanë kundërshtuar shembjen e pronave të tyre.

Ende vijojnë të dalin në dritë dëshmi të tjera të dhunës policore ushtruar ndaj banorëve të ‘5 majit’, që më 19 janar bënë rezistencë pas ndërhyrjeve për shembjen e banesave. Ish-kryeministri Sali Berisha, ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku forcat e policisë shoqërojnë në mënyrë të dhunshme një nga banorët e ‘5 maijt’ në sy të fëmijëve dhe bashkëshortes.

Në shënimin që shoqëron videon e publikuar, Berisha e konsideron këtë shfaqje të dhunshme të policisë si vepër të Kryebashkiakut Veliaj, por edhe të njerëzve të Lulzim Bashës, duke iu referuar Agron Kapllanajt, vëllai i të cilit është pronar i kompanisë  ‘Shkëlqimi 07’, që ka përfituar një fond prej gati 322 milionë lekësh taksa të shqiptarëve për të ndërtuar në zonën e 5 Majit, në tenderin e shpallur nga Bashkia e Tiranës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco