Përjashtimi i 4 deputetëve/ Bashës i duhet sërish ndihma e Ramës

Përjashtimi i 4 deputetëve/ Bashës i duhet sërish ndihma e Ramës

10:46, 18/01/2022
A+ Aa A-

Për herë të dytë brenda pak ditësh, Lulzim Bashës i është dashur ndihma e Edi Ramës për konfliktin e brendshëm në Partinë Demokratike. Nëse herën e parë thirri policinë në një moment kaosi dhe dhune në selinë e PD-së, kësaj radhe i duhej një firmë e Lindita Nikollës për të përjashtuar 4 deputetë nga grupi parlamentar i PD-së. Duket se edhe kësaj radhe, përgjigjia e Ramës do të jetë pozitive.

Kërkesa e grupit parlamentar të PD-së është për përjashtimin e deputetëve Flamur Noka, Luan Baçi, Albana Vokshi dhe Edmond Spaho.

Por mbështetësit e Berishës e kundërshtuan fort propozimin e Lulzim Bashës. Për rreth një orë salla e parlamentit u shndërrua në arenë debati brenda Partisë Demokratike, ndërsa të vetët i përsërisnin Bashës epitetin e vendosur nga Berisha në Foltore, që e ka pagëzuar me emrin “Lulzim Brava”.

“Zonja kryetare nuk e kisha menduar që Lulzim Brava do të më përjashtonte. Tani pres që të më caktojnë edhe internimin, ndoshta në Grabjan të Lushnjes. Nuk më përjashton dot mua njeri nga grupi parlamentar i PD. Unë kam hyrë kur tërhiqnim me zinxhirë bustin e Leninit, ai ka ardhur direkt ministër. S’më përjashton dot ai që futi kriminelë në PD”, tha Edmond Spaho.

Menjëherë pas tij u ngrit Tritan Shehu e me radhë Oerd Bylykbashi, Flamur Noka, Belind Këlliçi. Kërkesa e tyre iu drejtua Lindita Nikollës, sepse në tryezën e kryeparlamentares kanë ardhur dy shkresa. E para ka qenë ajo e Komisionit të Rithemelimit që e njofton për shkarkimin e të gjitha strukturave të PD-së, që nga Basha e me radhë të tjerët, sipas vendimit që mori Kuvendi Kombëtar në 11 dhjetor.

E dyta është shkresa nga grupi parlamentar i PD-së që kërkon shkarkimin e 4 deputetëve.

“Po fillojmë keq, me dokumente që nuk janë reale, që janë nul. Jeni në dijeni të ndryshimeve që janë bërë. Mos paraqisni dokumente që nuk i përshtaten realitetit”, tha ndër të tjera Tritan Shehu.

Kurse Oerd Bylykbashi i kujtoi kryeparlamentares që rregullorja e Kuvendit përcakton që janë deputetët ata që e formojnë Grupin Parlamentar dhe jo partitë.

“Jemi deputetë të PD. Ju ftoj juve dhe kolegëve të mi që ta refuzojnë shkeljen e Kushtetutës, duke kufizuar tagrat përfaqësues të deputetëve”, tha Bylykbashi.

Flamur Noka shkoi më tej. Ai foli për një marrëveshje mes Bashës dhe kryeministrit Rama që “të trajtohen në mënyrë specifike me dashuri” në parlament, ndërsa denoncoi leximin që Lindita Nikolla po i bënte rregullores.

“Keni marrë urdhër nga kreu i regjimit, që shoqata e bravave, të trajtohet në mënyrë specifike dhe me dashuri të veçantë nga ana juaj. Pa shoqatën jeni të mbaruar. I duhet kreut të regjimit një shoqatë të bravave. Mendoni se do të shuani zërin opozitar. Deputetët nuk janë peng, pavarësisht se ju keni marrë kreun e shoqatës së bravave peng”, tha Noka.

Por Lindita Nikolla duket se do ta pranojë përjashtimin e deputetëve dhe zëvëndësimin e tyre në komisionet parlamentare. “Grupet janë konstituuar në Kuvend. Unë sot bëra atë që më thotë rregullorja. Atë që grupi i PD më ka përcjellë”, tha Nikolla.

Pikërisht në këtë moment, ka ndërhyrë Taulant Balla. Për t’i hedhur benzinë zjarrit, Balla kujtoi edhe përjashtime të tjera në PD, si Spartak Ngjela apo Gilman Bakalli në të shkuarën.

“E drejta e një grupi parlamentar për të përjashtuar dikë është ekskluzive. Jam besimplotë që brenda grupit të PD ka një rregullore. Po flas si një deputet. Nuk ekziston koncepti i pezullimit. O je o s’je në një grup. Do i kërkoja grupit të PD që këtë ta adresojë në një seancë pasardhëse”, u shpreh Balla.

Ndërhyrja e Ballës ka acaruar menjëherë Flamur Nokën, që është një nga deputetët që përjashtohen. Menjëherë ai ka vënë në dukje se mes grupimit të Bashës dhe socialistëve në pushtet ka një bashkëpunim në prapaskenë.

“Taulant Balla nuk mund të flasë në emër të grupit të Partisë Demokratike. Në rast se pengu autorizon Taulant Ballën të bëjë zëdhënësin e PD, nuk mund të pranohet. Balla të vazhdojë me grupin e tij, por zëdhënësin e shoqatës së bravave mund ta bëjë sa të dojë, por jo të përmendë PD dhe grupin parlamentar të PD”, tha Flamur Noka.

Pas ndërhyrjes së Taulant Ballës e mori fjalën Enkelejd Alibeaj. I sapozgjedhur si kryetar i grupit parlamentar të PD-së, Alibeaj tha se PD do t’i zgjidhë vetë problemet e saj.

“Ne i kemi ca probleme. Ne e kemi maturinë, qetësinë, kemi pjekurinë politike edhe për vështirësinë që po kalojmë që t'i zgjidhim në familjen tonë. Njerëzit të cilët kanë aftësinë politike për të hequr nga qafa e tyre gurin e rëndë, për të folur me shqiptarët, këtu në parlamentin që kjo maxhoranca ua vodhi”, u shpreh Alibeaj.

Në sallën e kuvendit, deputetët e tjerë të Partisë Demokratike kanë heshtur për përjashtimet. As Lulzim Basha nuk ka folur, megjithëse deputetët e tij iu referuan si “Lulzim Brava”. Sali Berisha nuk u paraqit në seancë, ku ra në sy edhe mungesa e Alfred Rushajt, ish kryetar i grupit parlamentar, që dha dorëheqjen pak ditë më parë./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco