Hysni Gurra shpjegon ‘Aferën e Drajfusit’: Ja si Emil Zola ngriti zërin kundër padrejtësive

Hysni Gurra shpjegon ‘Aferën e Drajfusit’: Ja si Emil Zola ngriti zërin kundër padrejtësive

21:40, 16/01/2022
A+ Aa A-

Gazetari Hysni Gurra ka shpjeguar atë që e konsideron si “Afera e Drajfusit”.

Gurra ka treguar sesi autori i njohur Emil Zola ka ngritur zërin kundër padritësive.

Postimi i Hysni Gurrës:

-Për t’u lexuar brenda një konteksti të caktuar-

—-–—–—————————————————

Intelektuali, nëse nuk ngren zërin për çështje madhore që janë me interes të gjerë shoqëror, nuk është më intelektual, por një zanatçi i rëndomtë.

Në fund të viteve 1800, në Francë, atje ku intelektualët nuk janë zanatçinj, ndodhi një ngjarje e cila e tronditi, jo vetëm Francën, por mbarë Evropën.

Ngjarja mori emrin e “viktimës” ndaj të cilit u ngrit një akuzë-kurth, Afera e Drajfusit.

Ngjarja që tronditi republikën e e revolucioneve të “liri-barazi-vëllazëri” ishte, por e riprodhoj pak a shumë nga ç’më ka mbetur në kokë prej leximeve rreth kësaj.

Oficeri francez – Esterhazi, në vitin 1894 filloi t’i jepte atasheut ushtarak gjerman në Paris Maks von Shvarchopen dokumente ushtarake, kundrejt pagesës.

Në shtator të vitit 1894 ai i nisi atasheut një dosje me të gjitha dokumentet e mbledhura sekrete.

Gjithmonë dosjen e përpilonte me shkrim-dore e vet.

Për arsye që dihen, dosja këtë herë nuk shkoi në dorën e atasheut gjerman, por ra në duart e kundërzbulimit francez, i cili menjëherë u vu në kërkim të spiunit.

Këtu fillon ajo që më vonë do të marrë emrin “Afera e Drajfusit”.

Pas dosjes, shërbimi i kundërzbulimit francez rriti vigjilencën dhe filloi të gjurmonte letërkëmbimin midis dy aleatësh, atasheut gjerman Shvarckopen dhe kolegut të tij – atasheut ushtarak italian në Paris.

Duke kënduar letërkëmbimet e dy aleatëve, kundërzbulimi francez pa që aty flitej edhe për spiunin francez që furnizonte Shvarckopenin me materiale sekrete, të cilin ky i fundit e kishte shkruar vetëm me një germë “D”.

Sigurimi dhe hetuesia ushtarake franceze mori në sitë listën e oficerëve të shtatmadhorisë së ushtrisë franceze, u ndalën te emri i Alfred Drajfusit, kapiten 30-vjeçar i cili njëherazi ishte edhe i vetmi çifut i shtabit të përgjithshëm francez.

Përse u ndalën te emri i tij?

D - Drajfus, germa “D” në letrën e atasheut gjerman dërguar kolegut të tij italian në Paris, gjërat përputheshin.

Duke qenë edhe çifut, Alfred Drajfusi, vetvetiu ishte i dyshimtë për disa oficerë të lartë francezë.

Letra që Esterhazi ia kishte bashkëngjitur dosjes dhe ia kishte dërguar atasheut gjerman në Paris - Shvarckopenit, u mor në hetim nga organet e hetuesisë ushtarake, të cilat angazhuan ekspertë të grafologjisë për të parë nëse shkrimi në regjistër përputhej me atë të Alfred Drajfusit.

Një ekspert grafolog deklaroi se dy shkrimet janë të ngjashme, Drajfusi u arrestua.

Mediet nacionaliste të Francës ndërmorën një fushatë të ashpër kundër Drajfusit.

Kërkuan njëzëri dënimin e tradhtarit dhe linçimin e tij.

Procedura penale e hetimit ndaj Drajfusit u zhvillua me shumë parregullsi dhe në një atmosferë tejet të nderë.

Drajfusi NUK i pranoi akuzat!

Por me gjithë pretendimet e tij për pafajësi, ai u dënua nga gjykata ushtarake franceze me deportim të përjetshëm në Ishullin e Djallit.

Ishulli është i voglël në veri të brigjeve të Guajanës Franceze në Atlantik. Ishull që përdorej për të syrgjynosur të burgosur politikë.

Dy vite më vonë, në duart e shërbimit të kundërzbulimit francez ra edhe një letër tjetër të cilën Esterhazi ia shkruante Shvarckopenit.

Me këmbënguljen e personit që zuri vendin e Drajfusit në ushtri, u bë ekspertizë tjetër e këtij letërkëmbimi dhe rezultoi se ishte shkrimi autentik i Esterhazit me atë të “regjistrit”, për të cilin Drajfusi ishte dënuar si tradhtar.

Të afërmit e Drajfusit kërkuan rigjykim të procesit të Drajfusit.

Kësaj kërkese iu bashkuan edhe shumë intelektualë dhe zëra me autoritet të fortë publik.

Bashkëshortja e Drajfusit i drejtohet për ndihmë romancierit dhe kritikut francez – Edouard Charles Antoine (Emil Zola).

Emil Zola, përfaqësuesi më i madh i natyralizmit francez – ngriti zërin e protestës dhe u vu në mbrojtje të së vërtetës.

Më 13 janar 1898, në gazetën “L’Aurore” të Klemansosë botoi artikullin e famshëm

“J’accuse...!” – Lettre au President de la Republique par Emile Zola

(Akuzoj...! - Letër Presidentit të Republikës nga Emil Zola).

Në këtë letër Zola akuzonte gjithë zinxhirin ushtarak dhe politik francez që ishte implikuar në ngjarje duke fshehur të vërtetën dhe manipuluar atë. Ku si pasojë një njeri i pafajshëm u cilësuar padrejtësisht si tradhëtar.

Gazeta u shit në 300.000 kopje brenda pak orësh.

Letra e Zolës tronditi Francën dhe mbarë Evropën. Protestat shpërthyen në të gjitha kryeqytetet e Evropës.

Opinioni publik u nda më dysh.

Ata që besonin në vlerat e dinjitetit njerëzor, u rreshtuan në anën e Drajfusit, të verbërit u rreshtuan në anën e manipulatorëve.

Manipulatorët nuk u ndalën - ngritën akuzë për shpifje ndaj Emil Zolës.

Shkrimtari dhe intelektuali i famshëm u dënua me një vit burg dhe me 3.000 franga gjobë.

Zola iku në Angli!

Arbitrariteti procedural dhe dara e forcës së pushtetit nuk e mbylli dot aferën.

Në opinionin publik, bindja për pafajësinë e Drajfusit u forcua gjithnjë e më tepër.

Edhe tradhëtari i vërtetë, Esterhazi, iku në Londër, ndërsa një bashkëpunëtor i ngushtë i tij theri veten.

Rigjykimi i çështjes “Drajfus” u bë i pashmangshëm.

Ish gjenerali madhor i ushtrisë franceze u rikthye nga Ishulli i Djallit ku ishte deportuar, për të marrë pjesë në procesin e rigjykimit ndaj tij.

Por, ishte në lojë autoriteti i qeverisë dhe shtatmadhorisë së ushtrisë franceze, autoritet i cili duhej ruajtur me çdo kusht, Drajfusi u dënua përsëri, pavarësisht se provat ishin botërisht të ditura për pafajësinë e tij.

Rigjykimi jo i drejtë ndaj tij shkaktoi trazira në Paris e kudo në Evropë.

Çështja Drajfus nuk mund të hiqej më nga rendi i ditës, pavarësisht fuqisë së atyre që donin ta mbyllnin me patjetër.

Franca kishte derdhur gjak për lirinë dhe drejtësinë.

Por, kur e drejta ndikohet nga fuqia e pushtetit dhe jo fuqia e ligjit, afera u byll, jo duke e shpallur Drajfusin të pafajshëm, por duke ia falur dënimin Presidenti i Republikës, kështu u ruajt autoriteti politik dhe ushtarak i cili ishte implikuar thellë në një padrejtësi të madhe.

Më 1899, Drajfusi u lirua nga faji, pas pesë vitesh syrgjynosje.

Pas këtij akti ai deklaroi thënien e famshme: “Qeveria e Republikës ma riktheu lirinë, por kjo s’do të thotë asgjë për mua, derisa nuk ma riktheu edhe nderin”.

Franc Kafka, referuar këtij rasti do të thoshte më vonë: “Fajësia është gjendja në të cilën ndodhemi të gjithë ne, pavarësisht nga faji”.

Në korrik të vitit 1906, Drajfusi kur u dekorua me dekoratën Legjioni i Nderit. Kjo ishte në një farë mënyre shpagimi i fundit që i bëri shteti francez.

Pas kësaj, shkrimtari dhe intelektuali i shquar që ngriti zërin kundër padrejtësisë në kohën e duhur, Emil Zola, u rikthye në Francë ku u prit si hero.

Nga ajo kohë ai u shndërrua në ndërgjegje të kombit francez.

Por jo vetëm kaq, Emil Zola u bë simbol i intelektualit që nuk hesht, del nga strofulla e rehatisë personale, ngre zërin ndaj padrejtësive në mbrojtje të të vërtetës, për mbarë vendet e lira.

Zola vdiq në vitin 1902 dhe u varros diku, në Paris.

Por gjashtë vjet më vonë, Franca nuk ishte akoma e qetë në ndërgjegje, ndihej borxhlie ndaj tij, në 1908 e zhvarrosën dhe e rivarrosën në Panteon, pranë Viktor Hygosë dhe Aleksandër Dymas.

Çdo komb, në përmasat e veta, e ka një, ose më saktë, disa Emil Zola, edhe kombi shqiptar, pavarësisht të gjithave, ka.

Por, që të bëhesh një Emil Zola, nuk mjafton vetëm sasia e librave që lexon apo shkruan…

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Vk17/01/2022 06:49

Këtu kemi Frok Cupin..

Shto koment

Denonco