Një vizion konservator për Shqipërinë

Një vizion konservator për Shqipërinë

11:35, 09/12/2021
A+ Aa A-

Edith Harxhi dhe Nikola Kedhi për revistën amerikane The American Conservative*

Shqipëria është një komb konservator. Historia dhe fati na kanë bërë të tillë. Ne kemi kaluar dy mijëvjeçarët e fundit të rrethuar nga fqinjët që kërcënojnë dhe marrin territoret tona, shekuj nën pushtimin osman dhe dekada nën Terrorin e Kuq të komunizmit dhe persekutimin e ashpër që ai sillte.

Ishte dashuria për familjet tona, lidhja e natyrshme që vinte duke u forcuar mes brezave, nderimi i thellë për traditat dhe historinë, dhe besnikëria e palëkundur ndaj vendit dhe kombit tonë, si dhe besimi ynë te Zoti, që i ndihmoi shqiptarët të përballonin dhe kohërat më të errëta. Ne ishim njerëzit e kuvendeve dhe asambleve (Oda – ve), njerëzit e letrave, legjendave epike dhe betejave, njerëzit e betimit dhe besës. Kjo është baza e konservatorizmit tonë.

Sot, ne qëndrojmë si një kujtesë e harmonisë fetare përmes bashkëjetesës paqësore të feve të ndryshme, forcës së patriotizmit, mbështetjes së familjes dhe rëndësisë së traditës dhe historisë, si dhe të një mbrojtje të përkushtuar të një gjuhe që mbetet një nga më të vjetrat e grupit indo-evropian.

Në këto kohë të trazuara, përmes përvojës sonë gjatë pushtimit dhe shkatërrimit komunist, ne mbetemi një dëshmi e gjallë e rreziqeve që paraqet kjo ideologji e urrejtjes për të gjitha kombet liridashëse në botë.

Gjatë 45 viteve nën regjimin komunist, individi shqiptar u sulmua në thelbin e tij. Dinjiteti njerëzor, mirësia dhe liria u sulmuan egërsisht. Në vend të tyre, ligësia, lakmia, spiunimi dhe lufta e pamëshirshme kundër Zotit u nxiten si virtyte. Shqipëria u shndërrua në një burg masiv shpirtrash të robëruar, të gjithë të barabartë në mjerimin e tyre, duke i shërbyer një shteti të madh mbikëqyrës të udhëhequr nga një diktator i pamëshirshëm komunist. Komunizmi u përpoq të shkatërronte fillin natyror që lidh individët dhe familjet me pronat, paraardhësit, historinë, fenë, territoret, kulturën dhe traditat e tyre. Ne humbëm ndjenjën e komunitetit. Historia dhe kultura u fshinë ose u modifikuan, traditat e lashta dhe normat kulturore u ndryshuan për t'i shërbyer vetëm komunizmit dhe diktatorit.

Megjithatë, prirja jonë e lindur për të mbrojtur dhe dashur familjet tona, komunitetet tona, historinë tonë, Zotin dhe traditat mbijetoi. Forcat e qendrës së djathtë u përpoqën gjatë 30 viteve të fundit të krijonin një shoqëri të lirë dhe demokratike. Vendi ynë u përball me shumë pengesa në riparimin e dëmit të shkaktuar ndaj individit dhe dinjitetit njerëzor, në arritjen e dekomunistizimit total të shoqërisë, në përpjekjen për të rikthyer pronën private te i zoti i ligjshëm, në krijimin e institucioneve të forta dhe të qëndrueshme dhe të rendit ligjor.

Demokracia përfaqësuese lulëzoi për njëfarë kohe, por nuk ishte në gjendje të ngulte rrënjë të forta. Kishte shumë ndërhyrje nga një tranzicion post-komunist i veshur me kapitalizmin e pabalancuar joliberal. Ne u bëmë një vend anëtar i NATO-s dhe siguruam udhëtimin e lirë në Bashkimin Evropian, bëmë një punë historike krah për krah me aleatët tanë për të stabilizuar Ballkanin dhe për ta çliruar Kosovën nga një gjenocid i gjatë shekullor. Shumë është bërë nga e djathta në 30 vitet e fundit - dhe shumë është zhbërë nga e majta në këto tetë vitet e fundit.

Shqiptarët po largohen nga vendi në atë që duket të jetë eksodi më i madh i trurit dhe fuqisë punëtore që nga vitet ’90. Ata po ikin nga një korrupsion i thellë dhe i egër në vend. Kapitalizmi klientelist po mbyt konkurrencën e ndershme dhe çdo sektor po bie në duart e vetëm pak njerëzve, të cilët janë pjesë e një elite të korruptuar politike dhe ekonomike. Ajo që supozohej të ishte një opozitë e qendrës së djathtë është bërë një organizatë e qendrës së majtë nën komandën e qeverisë. Prandaj, duke mos parë të ardhme në vendin e tyre, shumë shqiptarë kanë rënë në dëshpërim dhe kanë braktisur shtëpinë e tyre për një të ardhme më të mirë në vendet perëndimore.

Vendi ynë ka nevojë për shpresë dhe mundësi. Një vizion konservator për Shqipërinë do të thotë kthim në vlerat tona. Ky vizion përfshin një shoqëri tradicionale, të fortë, të institucioneve dhe mundësive në të cilat qytetarët tanë mund të jetojnë të lirë dhe të sigurt. Ne duhet të aspirojmë drejt një shoqërie që respekton dhe garanton lirinë dhe përfaqësimin dinjitoz të çdo qytetari shqiptar, drejtësi të barabartë, konkurrencë, meritokraci dhe zhvillim të shpejtë ekonomik.

Shqipëria duhet të vendosë një kontratë reale shoqërore dhe politike të qytetarëve me përfaqësuesit e tyre të zgjedhur në çdo nivel qeverisjeje. Koha e elitave jopërfaqësuese dhe të papërgjegjshme duhet të marrë fund. Epoka e dekreteve që prekin procesin tonë sovran të vendimmarrjes, të urdhëruara nga organizatat financiare neo-marksiste politike dhe globaliste – qofshin ato kombëtare apo ndërkombëtare – duhet të përfundojë.

Shqipëria është një vend me bukuri të rralla dhe pasuri të bollshme natyrore. Prandaj, ne duhet të ndryshojmë modelin ekonomik të vendit, duke e kthyer Shqipërinë nga një shoqëri konsumuese dhe importuese neto, në një ekonomi që prodhon dhe eksporton, duke arritur në masën më të lartë të mundshme një sovranitet ekonomik. Politikat e anës së ofertës që promovojnë tregtinë e lirë, heqin barrën rregullatore dhe burokratike, dhe parandalojnë ndërhyrjet e qeverisë, janë të vetmet që mund të na çlirojnë nga korrupsioni masiv në ekonomi dhe qeveri.

Ne si konservatorë përqafojmë një kapitalizëm patriotik, një sistem të tregut të lirë të rrënjosur në vlerat njerëzore dhe sundim të ligjit, i cili i siguron individit, familjes dhe kombit dinjitetin dhe lirinë e tyre të munguar. Ky sistem bazohet në një marrëdhënie të ngushtë simbiotike midis lirisë, solidaritet dhe drejtësisë. Një ekonomi tregu e lirë dhe e drejtë, një edukim patriotik dhe demokracia e vërtetë janë të lidhura ngushtë, sepse kapitalizmi kërkon një popullsi me arsim të lartë, e cila nga ana tjetër kërkon pjesëmarrje në politikë dhe vendimmarrje.

Një shoqëri me treg të lirë nuk mund të ekzistojë në mungesë të shtetit ligjor. Shqipëria ka nevojë të dëshpëruar për ligjin dhe rendin dhe një reformë të duhur të sistemit të drejtësisë për të pasqyruar parimet universale të shtetit të së drejtës. Gjatë tetë viteve të fundit, është tentuar një marrje e plotë e sistemit të drejtësisë nga e majta, bazuar në klientelizëm, mungesë transparence dhe ndikim të fortë politik kombëtar dhe ndërkombëtar. Si rezultat, Shqipëria u bë për tre vjet i vetmi vend në NATO dhe aplikant për BE pa Gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë dhe tani po përballet me një Gjykatë Apeli jofunksionale.

Duke marrë parasysh pasojat që sjell shteti kriminal i kudondodhur i komunizmit, ne pranojmë nevojën urgjente për liri dhe përfaqësim individual. Populli ynë është kthyer indiferent ndaj institucioneve, proceseve politike dhe përfaqësuesve. Zgjedhjet nuk garantojnë më demokraci. Në vend të kësaj, ato prodhojnë stabilitet politik për elitat në pushtet në qeveri dhe në partitë politike. Opozita është në duart e shumicës së majtë, në pritje të shpëtimit. Për herë të parë në 30 vjet, pluralizmi politik shqiptar është në rrezik.

Qytetet tona po vdesin nga një arkitekturë e bazuar në beton që disa përpiqen ta justifikojnë si art modern, por në fakt qëndron shumë larg kulturës sonë kombëtare. Pjesa më e madhe e vëmendjes shkon vetëm drejt kryeqytetit të vendit. Trashëgimia kulturore po shkatërrohet nën petkun e "urbanizimit". Kështu, ekziston nevoja për të rigjallëruar çdo qytet dhe zonë rurale, për të gjallëruar jetën e tyre publike, kulturore, politike dhe sociale. Kjo liri nuk mund të vijë nëse vendimmarrja përqendrohet në duart e kryeministrit.

Individë dhe familje të forta, me shoqëri të shëndosha tradicionale dhe institucione të qëndrueshme, një sistem të shëndoshë arsimor kombëtar dhe me forcimin e vlerave tona kulturore, do të na japin të gjithëve mjetet për të mbrojtur interesat kombëtare të shqiptarëve kudo që ndodhen. Ne jemi të përkushtuar të punojmë me aleatin tonë strategjik—Shtetet e Bashkuara të Amerikës—dhe Bashkimin Evropian, që është shtëpia jonë natyrore.

Ne duam t'i bashkohemi Bashkimit Europian, pavarësisht nga të gjitha barrierat e vendosura nga vendet anëtare të BE-së për procesin e zgjerimit në përgjithësi. Megjithatë, Shqipëria a ende shumë punë për të bërë përsa i përket sundimit të ligjit, luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, krijimit të institucioneve të qëndrueshme, sigurimit të mundësive të barabarta për të gjithë, ndërtimit të një ekonomie të fortë dhe vendosjen së rolit të individit, familjes dhe komunitetit në qendër të shoqërisë.

Një vend i individëve të lirë me dinjitet dhe ndërgjegje kombëtare nuk mund të thyhet dhe të nënshtrohet kurrë. Shqipëria, e ndihmuar nga vizioni dhe idetë e konservatorëve të saj, ka çdo mundësi që të ketë sukses dhe të bëhet një xhevahir i lirë dhe demokratik i kontinentit të vjetër dhe një faktor stabiliteti në rajon. Këtë fundjavë, Partia e re Demokratike konservatore në Shqipëri do të rithemelohet sërish 31 vjet pasi filloi lëvizja studentore në vend.

Partia do të ringrihet mbi të njëjtat parime siatëherë kur ndihmoi në sjelljen e pluralizmit dhe demokracisë në vend. Ajo mbetet e vetmja parti antikomuniste në ish-bllokun lindor dhe ky restaurim konservator do të sigurojë që ajo të vazhdojë të ndihmojë kombin tonë për dekadat në vijim. Ky do të jetë një fillim i ri për një popull që kërkon një shoqëri të lirë me bazademokratike dhe morale – një vend që mund ta quajnë shtëpi. Shpresa është kthyer!/ The American Conservative/

Edith Harxhi është një diplomate karriere, ka shërbyer si zëvendësministre e Jashtme dhe themeluese e think tank-ut konservator, Albanian Policy Center, si dhe është anëtare themeluese e Partisë Demokratike.

Nikola Kedhi është një Konsulent Financiar në Deloitte dhe kontribuues në media të ndryshme në SHBA dhe Evropë, duke përfshirë Fox News, European Conservative, Il Giornale, the Federalist dhe shumë të tjerë. Artikulli pasqyron vetëm pikëpamjet e autorëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco