VIDEO/ Historia e Partisë Demokratike mes lavdisë, çarjeve, ndarjeve dhe ringjalljes!

VIDEO/ Historia e Partisë Demokratike mes lavdisë, çarjeve, ndarjeve dhe ringjalljes!

22:43, 06/12/2021
A+ Aa A-

Partia Demokratike e Shqipërisë u krijua më 11 dhjetor të vitit 1990 nga një grup studentësh dhe intelekualësh shqiptarë, mes të cilëve Azem Hajdari, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Arben Imami, Aleksandër Meksi, Eduard Selami etj. 

Një ditë më vonë në datën 12 Dhjetor, kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike, u zgjodh studenti Azem Hajdari.  

Më 13 shkurt 1991 u mbajt aktivi i parë i Partisë Demokratike, i cili zgjodhi me votim të fshehtë një kryesi prej 19 anëtarësh. 

Kështu, Komisioni Nismëtar i PD-së, u shndërrua në Komitet Drejtues. Nga votimi i bërë një ditë më vonë në kryesinë e re, profesor Sali Berisha, u zgjodh kryetar i Komitetit Drejtues të PD-së. 

Pas tij u renditën Aleksandër Meksi, Gramoz Pashko, dhe Azem Hajdari, kurse Eduad Selami u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i këtij Komiteti. Ky organizëm kishte për detyrë të drejtonte Partinë, deri në mbajtjen e Kuvendit Kombëtar në fund të shtatorit 1991. 

Pas punimeve Sali Berisha si figura më e popullore në PD, u zgjodh kryetar me 499 vota pro. 

Për herë të parë një forcë politike në Shqipëri e zgjidhte kryetarin jo më nga Kryesia e as nga Këshilli i Përgjithshëm, por nga Kuvendi. 

Në atë Kuvend të parë të PD-së përshëndeti dhe ish-ministri i Mbrojtjes së Britanisë së Madhe Lordi Xhuljan Emëri, i cili ka mbajtur një fjalim entuziast në mbështetje të Sali Berishës dhe u prit në sallë me ovacione të mëdha. 

Ky Kuvend mund të quhet deri më tani më historiku për Partinë Demokratike, jo vetëm se e formëzoi atë si një parti moderne perëndimore, por edhe sepse sanksionoi rregullat, statutin dhe programin orientues për të fituar në mënyrë plebishitare zgjedhjet pak muaj më vonë. 

Konkurrentët për postin e e lartë të partisë në këtë Kuvend ishin, Sali Berisha, Nertian Ceka dhe Azem Hajdari. 

Berisha fitoi në mënyrë plebishitare. Në statutin e PD-së ishte sanksionuar që Kuvendi i partisë mbahej çdo dy vjet. Kryetari që u zgjodh do çonte PD-në në zgjedhjet e tjera politike të 22 marsit 1992, ku PD fitoi thellësisht duke marrë 92 vende në parlament, kurse  PS vetëm 38 vende. 

Pas kësaj më 3 prill 1992, Ramiz Alia njoftoi dorëheqjen nga posti i presidentit. Më 9 prill 1992, me 96 vota pro dhe 35 kundër, Sali Berisha u zgjodh President i ri i vendit. 

Më 10 prill, Berisha dekretoi Aleksandër Meksin të krijonte qeverinë e parë demokratike, kurse në postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë u zgjodh Pjetër Arbnori. 

Në bazë të paketës Kushtetuese në atë kohë, Presidenti mund të ishte anëtar dhe pjesë e forumeve të Partisë por nuk mund të ishte kryetar i saj. 

Kështu më 16 Prill 1992, u mbajt Konferenca Kombëtare e PD e cila zgjodhi në postin e kryetarit të partisë, si pasardhës të Berishës, Eduard Selamin, i cili deri në atë kohë mbante postin e sekretarit të Përgjithshëm të PD-së. 

Selami mori 411 vota nga 485 gjithsej. Azem Hajdari dhe Arben Imami, të dy kandidatë për kryetarë, u zgjodhën nënkryetarë të Partisë, ndërsa Tomor Dosti Sekretar i Përgjithshëm. 

Meqenëse në statutin e PD-së ishte sanksionuar që Kuvendi i partisë mbahej çdo dy vjet, në Kuvendin e Dytë të PD-së që u mbajt në 4 dhjetor 1993 u rizgjodh në postin e kryetarit Edurad Selami. 

Sekretar i Përgjithshëm u zgjodh Tritan Shehu, ndërsa nënkryetarë, Ali Spahia dhe Tomor Dosti. Theksojmë se kjo ishte hera e parë dhe e fundit në PD, ku kryetari, garoi pa kantidad tjetër alternativ. 

Drejtimi i PD-së prej Selamit vazhdoi deri në mars 1995. 

Disa muaj më parë, në nëntor ’94, u zhvillua referendumi për Kushtetutën, betejë të cilën Partia Demokratike e humbi. 

Me tej ndodhi një përplasje e Eduard Selamit me linjën zyrtare të partisë, për mënyrën e miratimit të Kushtetutës së re, pasi dështoi referendumi në nëntor 1994. Ku konflikt i brendshëm çoi Konferencë e jashtëzakonshme të mbajtur më 5 mars 1995. 

Plot 607 delegatë nga 664 gjithsej, votuan kundër alternativës së Selamit, i cili u largua nga posti.  

Më 4-5 prill 1996 do të mbahej Kuvendi i Tretë zgjedhor i Partisë Demokratike. 

Ky Kuvend zgjodhi si kryetar të PD-së, Tritan Shehun pas një gare me Sekretarin e Marrëdhënieve me Publikun Ferdinand Xhaferri. Kurse Sekretar i Përgjithshëm do të zgjidhej profesori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Dr. Besnik Gjongecaj.

Tritan Shehu e ka drejtuar Partinë Demokratike deri në vitin 1997, duke dhënë dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve. Në atë periudhë edhe Sali Berisha, ashtu si kishte premtuar, gjithashtu dha dorëheqjen nga posti i Presidentit të vendit me 31 korrik 1997. 

PD, mbeti pa kryetar në atë vit të vështirë për çdo demokrat ndaj një grup organizator me 29 persona, me në krye Sali Berishën, nisën riorganizimin e partisë. 

Më 20-21 tetor 1997 u mbajt Kuvendi i Katërt zgjedhor i Partisë Demokratike, i cili u zhvillua në një situatë të vështirë dhe me shumë rrjedhje nga kjo forcë politike. 

Sali Berisha u zgjodh kryetar i PD-së, në një garë me ish-kryetarin e Parlamentit Pjetër Arbnori. 

Genc Pollo u zgjodh në postin e nënkryetarit të Partisë, kurse Ridvan Bode u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm. Këtë herë Berisha e mbajti pozicionin e tij deri pas humbjes në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, kur në mënyrë teje civile dha dorëheqjen. 

Që nga Kuvendi i parë i Partisë Demokratike i mbajtur në shtator 1991 e deri te ai që pritet në 11Dhjetor 2021, në këtë forcë politike ka pasur mjaft përplasje, rrjedhje dhe franksione të cilat më pas u shndërruan në parti të tjera. 

Por edhe ribashkime të mëdha. 

Rrjedhja e parë nga PD-ja ka filluar me grupin e të ndjerit Gramoz Pashko, i cili vetëm dy vite pas themelimit të PD-së në 1992, formoi Partinë “Aleanca Demokratike”. 

Përveç Pashkos kësaj force të re politike ju bashkua grupi i mocionistëve ndaj ish-qeverisë “Meksi”, i përbërë nga Arben Imami, Preç Zogaj, Arben Demeti, Edmond Trako... etj.

Dy vite më pas në 1994 nga Partia Demokratike doli një forcë tjetër politike e themeluar nga ish-bashkëpunëtori i Berishës, Abdi Baleta, e cila u pagëzua “Rimbëkëmja Kombëtare”.

Në të njëjtën periudhë një tjetër eksponent i lartë i Partisë Demokratike, Petrit Kalakula, themelon partinë “E Djathta Demokratike”.

Në vitin 1995 brenda partisë pati sërish një përplasje të madhe mes atyre që përkrahnin presidentin Berisha dhe një grupi që udhëhiqej nga kryetari i partisë në atë kohë Eduard Selami. 

Por ky i fundit, nuk shkoi deri në krijimin e një force të re politike. U largua nga skena për tu rikthyer në vitin 2013 dhe si kandidat për kryetar përball Lulzim Bashës në vitin 2017. 

Dy vite më pas, gjatë vitit të mbrapshtë të 97-ës ndodhi një tjetër hemorragji në Partinë Demokratike. 

Shkëputen themelues si  Dashamir Shehi, Genc Ruli e të tjerë, të cilët krijojnë formacionin e ri politik “E djathta e bashkuar”. 

Në vitin 1999, vjen përplasja e madhe mes Genc Pollos ish-nënkryetar i PD-së dhe Sali Berishës për postin e kryetarit të partisë. Në këtë garë, Genc Pollo tërhiqet në momentin e fundit. 

Më pas gjatë atij viti, Genc Pollo bashkë me një grup deputetësh nga PD-ja dhe figura të reja, punojnë për krijimin e një partie politike, të quajtur Partia Demokrate e Re.
Genc Pollos ju bashkuan në këtë nismë edhe figura si  Ylli Vejsiu, Ferdinand Xhaferri, Tritan Shehu, Enno Bozdo dhe Kreshnik Çollaku. 

Në vitin 2001 edhe Dashamir Shehi i bashkohet PDr-së por një vit më vonë krijon forcën e tij të quajtur, “Partinë Demokratike e Rinovuar”, e cila në 2004-ën ndërroi emrin në; “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” (LZHK) e cila vazhdon edhe sot të jetë në koalicion me Partinë Demokratike.

Historia e PDr e cila arriti të futet në parlament në zgjedhjet e vitit 2001, mbyllet në vitin 2005 pas një lëvizje brilante përbashkuese të Sali Berishës, duke krijuar  Komitetin e Orientimit të Politikave,“KOP”, ku përveç figurave të reja si Lulzim Basha u mblodhën edhe shumica e të larguarve ndër vite nga partia. 

Por edhe pse e rikthyer sërish në pushtet, Partia Demokratike, nuk do të ketë qetësi. 

Në fund të vitit 2008 Spartak Ngjela njëkohësisht deputet i PD-së nisi të punojë ilegalisht për krijimin e një parti të re, të cilën e legalizoi në vitin 2009. Ajo u regjistrua me emrin  “Ligj dhe Drejtësi”, por shpej dështoi. 

Po gjatë atij viti një ish-deputet tjetër i Partisë Demokratike, i ndjeri Gilman Bakalli, bëhet pjesë e bordit të një formacioni të ri politik, “Poli i lirisë” të cili ju bashkua në zgjedhjet e viti 2009 edhe LZHK e Dashamir Shehi dhe ish kryeministri Aleksandër Meksi. 

Por edhe kjo forcë e dalë nga PD, dështoi që në zgjedhjet elektorale të para që garoi. 

Tre vite më pas në 2012, ish-nënkryetari i PD-së, më pas edhe President, Bamir Topi krijon partinë “Fryma e Re Demokratike”. Atij ju bashkuan edhe figura si Gazmend Oketa dhe Aleksandër Biberajn. Të dy këta të fundit u rikthyen  së fundmi, në listat e kandidatëve për deputet për Partinë Demokratike, kurse aktualisht janë pozicionuar kundër Lulzim Bashës. 

Në vitin 2013 Sali Berisha pas humbjes së zgjedhjeve dhe kalimit të partisë në opozitë jep dorëheqjen përfundimtare nga të gjitha funksionet në parti, duke qëndruar vetëm deputet.

Pas një gare plot dritë-hije mes Lulzmi Bashës dhe të ndjerit Sokol Olldashi, i pari zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike.

Që në atë kohë, pas humbjes në katër palë zgjdhje të përgjithshme dhe lokale dhe pas përjashtimeve të shumta, brenda PD-së nisi një përçarje e cila sfumohej dhe riparohej herë pas here nga lideri historik Sali Berisha.

Përfoljet për lidershipin e dobët dhe të mbështetur në prapaskena meskine e personale ndaj kryetarit Basha, plasën sheshit me rastin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. 

Pa mbledhur forumet por duke përdorur të drejtën e bërjes së listës së kandidatëve për deputetë, Basha, natën dhe vetëm me 2-3 individë që nuk kanë asnjë lidhje me partinë, arriti që me një të rënë të lapsit të fshinte figura si Ridvan Bode, Astrit Patozi, Jozefina Topalli e të tjerë drejtues dhe kontribues në nivele më të të ulëta.

Kjo bëri që ne trupin e Partisë Demokratike të shëruar në vitin 2005, të hapen plagë të reja dhe të krijohen forca të tjera politike.

Kështu largimi i ish-nënkryetarit Astrit Patozi, u shoqërua me krijimin në prill të vitit 2019 të forcës politike, “Bindja Demokratike”.

Së fundmi përpara zgjedhjeve të 25 prillit 2021, deputetët që nuk iu bindën vendimit politik për të braktisur Kuvendin u bënë nismëtarë të forcave të reja politike.

Myslim Murrizi regjistroi në gjykatë partinë, “Lëvizja Demokratike”, kurse Rudina Hajdari u bashkua me partinë politike të quajtur “Nisma”. 

Dhe rrjedhja e fundit, tani për tani, Jozefina Topalli ish-nënkryetare e PD-së, u fut në zgjedhjet e fundit me partinë e saj “Lëvizja për Ndryshim”.

Pas pak ditësh në datën 11 Dhjetor, ditën e themelimit të Partisë Demokratike, grupi organizator i Lëvizjes “Foltorja” dhe Sali Berisha kanë shpallur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike.

Firmat tashmë janë bërë publike, ndaj pritet që ky Kuvend me vendimet që do të marrë të jetë po aq historik sa ai pari i shatorit 1991.

Në datë 18 ka njoftuar edhe Lulzim Basha për një Anti-Kuvend.

Çfarë do të ndodh me partinë që solli pluralizmin dhe demokracinë në vendin më diktatorial të Europës?!

Një çarje tjetër, apo një Ringjallje e madhe? / Çim Peka Live

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Lulzimi07/12/2021 08:37

PD u themelua ne 12 dhjetor si nje alternative e Shoqates apo Partise se Studenteve dhe intelektualeve te rinje qe pregatiste guzhina e ramiz alise ne grumbullin e partickave qe do te mbeshtesnin PPSH. Komisioni u krijua ne salle me 13 Dhjetor por nuk kishte Kryetar. Tallja me daten eshte blasfemi dhe tregon deshperimin e atyre qe nuk zbatuan dot porosine e Ramizit... Ne 12 eshte festuar per gati 20 vite e pastaj dikush e ndryshoi. Turp.

Shto koment

Denonco