Mustafaj: PD humbi sovranitetin, Kuvendi i 18 dhjetorit do të shembet

Mustafaj: PD humbi sovranitetin, Kuvendi i 18 dhjetorit do të shembet

12:54, 06/12/2021
A+ Aa A-

Politikani i njohur, Besnik Mustafaj, në një analizë të gjatë për gazetën Panorama, duke komentuar situatën e krijuar në PD me dy Kuvendet, lëshon akuza të forta ndaj kryetarit aktual demokrat, Lulzim Basha.

Mustafaj thotë se Basha është një politikan pa shtyllë kurrizore, që nuk e meriton të jetë në krye të PD.

Më tej, ai thotë se PD e ka humbur sovranitetin e saj.

“Kjo dobësi doli qartë në pah në fjalën publike të Lulzim Bashës kur njoftoi përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar demokrat. Aty ai pohon shprehimisht se është i bindur në pafajësinë e Berishës. Domethënë se ai vendimin e kishte marrë jashtë bindjeve të veta. Ndërkohë, ai nuk i kishte dhënë vetes mundësinë që përgjegjësinë ta ndante me strukturat drejtuese të partisë. Do ta mbante vetë të gjithën. Por kjo çështje është tjetër. Kryetari i partisë së dytë më të madhe në vend, alternativë e pushtetit, ai vetë kandidat për kryeministër, një vendim të tillë, që do ta trondiste partinë me rrënjë e me degë, e merr jashtë bindjeve të veta. Duke arsyetuar politikisht, madje edhe përtej lidhjes që kishte ky vendim me atë vetë, Berisha nuk e pati të vështirë të arrinte në përfundimin politik se Partia Demokratike, nëpërmjet kryetarit të saj, kishte humbur sovranitetin. Dhe, qysh në foltoren e parë shpalli se kjo lëvizje kishte për qëllim madhor t’i kthente Partisë Demokratike sovranitetin,” shkruan ai.

Mustafaj thekson në fund se Kuvendi i 18 dhjetorit është një ngrehinë pa themele, e cila do të shembet.

“Lulëzim Basha me bashkëpunëtorët e tij, nga mungesa e vizionit ose zgjedhja e një strategjie të gabuar, qysh në shpërthimin e kësaj krize e deri në fund të fushatës së “Foltores” kanë qëndruar me këmbëngulje jashtë debatit politik, të mbyllur në zyrë me njëri – tjetrin, duke kundërshtuar në mënyrë virtuale mbledhjen e Kuvendit të 11 dhjetorit me argumente vetëm teknike apo proceduriale. Madje, Basha dhe ekipi i tij nuk e pranuan asnjëherë faktin se ka krizë apo se ka rrezik përçarjeje të partisë. Pra, ata refuzuan, do të thosha verbërisht, të bëjnë politikë. Për pasojë, ata përjashtuan çdo mundësi komunikimi me rrymën përballë, komunikim ky që do të duhej të ishte intensiv dhe në rritje, kryesisht publik, i cili sigurisht që do t’i pasuronte idetë në të dy platformat, duke nxjerrë në pah edhe pikat e përbashkëta lidhur me domosdoshmërinë për reformim të thellë të partisë. Por ky komunikim do të duhej të ishte edhe “diplomatik”, me takime larg syve të publikut, në emër të interesit të përbashkët dhe vetëm të këtij interesi. Basha dhe të vetët, madje, mbyllën veshët edhe ndaj propozimeve që vinin nga demokratë të shqetësuar e që nuk ishin pjesë e asnjërës palë. E tillë më duket mua, për shembull, platforma për një konventë kombëtare, që shtroi publikisht ish-deputeti Romeo  Gurakuqi. Jo. Sepse ata ishin të vendosur të flisnin vetëm në gjuhë teknokratike, rrjedhimisht të pakuptueshme për demokratët e  shqetësuar. Për më keq, kjo strategji “apolitike” e veshi sjelljen dhe ligjërimin e tyre me një arrogancë, që vetëm e dobishme nuk ishte për rrethanat. Arroganca nuk mund ta kompensonte mungesën e përmbajtjen politike, për të cilën kishte dhe ka nevojë kjo histori. Kështu që edhe tentativa e tyre për të mbledhur një kuvend bis me 18 dhjetor më duket pa asnjë themel. Dhe, si të gjitha ngrehinat pa themel, do të shembet sa pa iu hedhur ende çatia”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Meta06/12/2021 13:05

Ka ca dite qe nuk e shoh Bashen ne media! Mos valle ka ndermend te shkoje ne Belgjke?!!

Shto koment

Denonco