BE kritika të forta Beogradit: Lejoni vizitën e 4 ministrave të Kosovës në Preshevë!

BE kritika të forta Beogradit: Lejoni vizitën e 4 ministrave të Kosovës në Preshevë!

10:01, 01/12/2021
A+ Aa A-

Më në fund Bashkimi Europian ka reaguar ndaj provokimeve të Beogradit zyrtarë kundrejt Republikës së Kosovës.

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Serbisë që ta rishqyrtojë vendimin e saj për refuzimin e vizitës së katër ministrave të Kosovës në Luginën e Preshevës si dhe tu qëndrojë marrëveshjeve të nënshkruara më herët.

Ka qenë Zëdhënësi i BE, Peter Stano, i cili nëpërmjet një deklarate ka kërkuar që Beogradi duhet të nisë t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Prishtinën.

“Ne presim që Serbia dhe Kosova t’i zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e së kaluarës, duke përfshirë këtu edhe marrëveshjen për vizitat zyrtare. Vizitat zyrtare janë një pjesë e rëndësishme e normalizimit të marrëdhënieve pasi ofrojnë një mundësi për më shumë ndërveprim dhe komunikim mes palëve”, ka deklaruar Stano.

Gjithashtu ai ka cekur edhe aktin e fundit provokativ të Serbisë, atë të ndalimit të katër ministrave të qeverisë Kurti për të vizituar rajonin shqiptarë të Preshevës.

“Sipas marrëveshjes, të gjitha vizitat duhet të kryhen në një mënyrë që të çojnë përpara procesin e normalizimit ose të kontribuojë në punën e përgjithshme në kontekstin e procesit të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka thënë ai.

Stano deklaron gjithashtu, se vizita e ministrave të Kosovës ishte njoftuar në përputhje me marrëveshjen dhe është dashur të lejohet.

“Vizita e ministrave të Kosovës ishte njoftuar në mënyrë adekuate në përputhje me marrëveshjen dhe prandaj është dashur të lejohet të zhvillohet. I bëjmë thirrje Serbisë të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të lejojë që të bëhen vizita zyrtare që plotësojnë kushtet e mësipërme”, ka thënë Stano për KlanKosova.

Ishte ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, që e bëri të ditur se kjo vizitë nuk u lejua nga shteti serb të shtunën. Sipas tij, kërkesa për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë u refuzua pa arsye.

“Vizita jonë, nga autoritetet në Beograd, u refuzua, pa asnjë arsyetim pak para nisjes së delegacionit tonë. Në harmoni me procedurat dhe marrëveshjen në Bruksel, ne kemi bërë kërkesë të rregullt me datë 24 nëntor, duke prezantuar edhe agjendën e vizitës. Refuzimi na është bërë sot në orën 07:13. Në përgjigjen negative të marrë përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, nuk shprehet asnjë arsye, për refuzimin”, tha ai.

Agjenda e aktivitetit të planifikuar, përfshinte vizitën, në datat 27 dhe 28 nëntor, në të tre komunat e banuara me shqiptarë dhe takime me kryetarët e komunave, përfaqësuesit në parlament, në nivelin lokal dhe me krerët e subjekteve politike në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Vizita do të kryhej nga ministri i Infrastukturës Liburn Aliu, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco