Deklarimi i firmëtarëve/ Strategjia e Berishës për të tmerruar Bashën

Deklarimi i firmëtarëve/ Strategjia e Berishës për të tmerruar Bashën

15:20, 30/11/2021
A+ Aa A-

Strategjia e ithtarëve të foltores kundër Lulzim Bashës është me sa duket ajo e pikës së ujit që gërryen shkëmbin.

Për ditë, para selisë së PD-së, po shfaqen përfaqësues së firmëtarëve për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar në 11 dhjetor të cilët shpallin publikisht me emër dhe mbiemër listat e atyre që kanë nënshkruar pro Sali Berishës.

Ky procesi që u fillua nga deputeti i Tiranës, Agron Shehaj i cili verifikoi në zyrën e Edi Palokës se 98% të firmave të atyre që kishte verifikuar ai në dy degët e PD-së ishin të sakta, po vijon me shpalljen e emrave ditë pas dite.

Sipas një llogari të thjeshtë që Lapsi.al ka bërë deri më tani janë rreth 800 delegatë, pra afro 10% e tërësisë së Kuvendit Kombëtar që kanë pranuar të shfaqin publikisht pozicionimin e tyre.

Delegatët që janë bërë publike sipas degëve:

Elbasan, kane firmosur 272 delegatë nga 409 gjithsej.

Dega 1 Tirane kane firmosur 75 delegatë nga 90 gjithsej.

Dega 3 Tirane kane firmosur 77 delegatë nga 86 gjithsej.

Dega 4 Tirane kane firmosur 97 delegatë nga 111 gjithsej.

Dega 5 Tirane kane firmosur 70 delegatë nga 100gjithsej.

Dega 6 Tirane kane firmosur 65 delegatë nga 82 gjithsej .

Dega 7 Tirane kane firmosur 46 delegatë nga 86 gjithsej.

Dega 9 Tirane kane firmosur 70 delegatë nga 91 gjithsej.

Dega 11 Tirane kane firmosur 88 delegatë nga 117 gjithsej.

Ndonëse kjo shifër është ende larg numrit minimal që duhet për të mbledhur forumin më të lartë të PD (1800 delegatë) dhe shumë më larg sigurimit një shumice për të marrë vendime (mbi 50%), ajo ka rëndësi sepse krahu i PD-së zyrtare që nuk e njeh vërtetësinë e firmave nuk ka kontestuar askënd nga emrat e bërë publike dhe të lexuara përpara selisë.

Pra këta rreth 800 që janë bërë publikë deri tani, kryesisht nga Tirana dhe Elbasani mund të shërbejnë si një kampion për vërtetësinë e nënshkrimeve që gjenden në kasafortën e Edi Palokës.

Që kur Berisha shpalli se ai kishte arritur të mbledhë mbi 4200 delegatë rreth vetes, Lapsi.al në një qëndrim editorial, kërkoi me forcë transparencë për publikun, sepse askush në një parti politike legale nuk mund ti mbajë ilegalë mbështetësit e vet.

Por edhe disa ditë më pas shpalljes krerët e foltores hezituan të bëjnë transparencë. Në deklaratat që ata bënin për Lapsi.al pretendohej se dalja me emër dhe mbiemër i bënte vulnerabël delegatët ndaj presionit të trefishtë të PD-së zyrtare, të qeverisë por po ashtu edhe të persionit që u bëhet në emër të ambasadës amerikane.

‘Ka shumë njerëz që frikësohen me shprehjen nuk do të marësh vizë për USA, nëse shkon në kuvendin e 11 dhjetorit’ tha një burim që kërkoi të mbetej anonim.

Por me sa duket presioni publik për transparencë ka bërë të vetën. Po ti shtosh këtyre instrumentalizimin nga selia qendrore të ndonjë kazusi si i ai i Freskida Rapos, delegates që pretendoi se i është falsifikuar firma, pasi ajo nuk kishte nënshkruar, apo ndonjë gjysmë investigim si ai i Fiks Fare, kuptohet që ‘Foltorja’ ka qenë e dënuar të japë prova.

Dhe kjo tashmë po ndodh para syve tanë dhe në shkallët e selisë së partisë më të madhe të opozitës. ‘Këto shpallje publike do të vazhdojnë deri një ditë para kuvendit për të bindur edhe më skeptikët se ne i kemi firmat dhe se ata që do të mblidhen në datë 11 janë të vetmit delegatë të ligjshëm’ tha për lapsi.al një burim nga ‘Foltorja’.

Në fakt, statistikat dhe përqindjet e delegatëve të bërë publikë ditët e fundit përkojnë edhe me dy anketa të opinionit publik, një në Euronews dhe një në OraNews lidhur me avantazhin që ka Berisha kundrejt Bashës.

Por me sa duket mbështetësit e liderit historik kanë vendosur ta gërryejnë përditë dhe dalë ngadalë targetin e tyre duke i publikuar ditë pas dite emrat e atyre që më shumë se pro Berishës duket se kanë firmosur kundër tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco