Barbara në Foltore: Shoqja polake më mësoi, ngrihu sa herë cenohet demokracia, pavarësisht kë ke votuar!

Barbara në Foltore: Shoqja polake më mësoi, ngrihu sa herë cenohet demokracia, pavarësisht kë ke votuar!

13:56, 30/11/2021
A+ Aa A-

Barbara Doda nuk ka arritur ta njohë ish-Kryetarin e PD-së dhe ish-Kryeministrin Sali Berisha në vitet kur ai kulmoi në politikën shqiptare, e megjithatë sot, arkitektja e re që ka kryer studimet në Shangai të Kinës, gjendet në krah të tij.

Në një intervistë në Kafe Shqeto, e sulmuar me pyetje nga dy gazetarë, Dori Daka dhe Flavio Qarri, politikania e re Barbara Doda, ish-kandidatja më e re për deputete e PD-së në 2017-ën,  s’e humbi për asnjë çast fokusin e saj dhe e shprehur qartë arsyen pse sot po distancohet politikisht nga kryetari Lulzim Basha.

“Unë i përkas atij brezi që PD-në e nuk e ka parë në pushtet,  por vetëm në opozitë,  pavarësisht se adoleshente në atë kohë e mbaj mend mirë, por, nuk e kam përjetuar pushtetin si të tillë.”

Intervistë me znj. Barbara Doda.

Kafe Shqeto: Barbara, ti je pjesë e PD-së e ndoshta shpirtërisht që nga viti 2013. Mund të na flasësh shkurtimisht për rrugëtimin tënd dhe stacionin aktual ku ndodhesh?

Barbara Doda: Po, kam qenë pjesë e strukturave të PD-së dhe jam munduar të kontribuoj në bazë. Më vonë, në 2017-ën kam qenë kandidate për PD-në. Jam munduar të kontribuoj realisht dhe jo vetëm unë. Sidomos në fushatën e 2021-it kam njohur njerëz që kanë lënë pas bizneset e tyre, familjet e tyre, punët e tyre për të kontribuar për PD-në, që ajo të vinte në pushtet, të ishte më afër fitores dhe njëkohësisht që Lulzim Basha të bëhej kryeministër.

Kafe Shqeto: Ky moment, është një moment ndryshimi për ju sikurse për shumë demokratë të tjerë dhe pse?

Image

Barbara: Patjetër që është moment ndryshimi sepse në mes të bërit diçka dhe të mosbërit asgjë, normalisht që zgjedh. Foltorja po del si një alternativë pavarësisht se unë nuk e kisha menduar që mund të isha një ditë pjesë e një Foltoreje të tillë . Të paktën është një alternativë, sjell 2-3 mundësi , sjell 2-3 ide për të ardhmen e PD-së dhe gjithashtu edhe për ndryshimin e saj. Njerëzit e shikojnë ndryshimin si diçka shumë të fortë, si një fjalë shumë të fortë, por ndryshim është edhe zgjerimi, përmirësimi, pranimi i njerëzve të rinj, i ideve të reja, i metodave të reja gjithashtu, duke qenë se jemi në një botë që sot po ndryshon. Politika nuk është më siç ka qenë këtu e 20 vite më parë e patjetër që duhet t’i përshtatemi kohës, njerëzve.

Kafe Shqeto: Unë e Dori kemi kuriozitet këtu në studio pikërisht për çështjen e profilit. Pra, kush janë ata që janë me Bashën dhe çfarë i bën ata të djathtë,  se kam përshtypjen që jemi pak më të qartë se cilët janë ata që mbështesin Foltoren. Ju brenda shtëpisë suaj politike a e bëni një dallim të tillë?

Barbara Doda: Unë nuk kam nevojë të shkoj tek shtëpia ime politike , por po them që tek shtëpia ime familjare këtu kemi përplasje idesh shumë të forta herë pas here, duke qenë se ndodhi një problem në Shqipëri, por edhe në Partinë Demokratike. Ne dolëm nga komunizmi dhe jemi në demokraci sot; nuk është demokracia më e madhe në botë, por kur shumë ankohen “Ou, 30 vite e s’kemi ndryshuar gjë”, duhet të mendosh që kemi vetëm 30 vite! Ka shtete si Amerika që kanë demokraci shumë para nesh, kanë institucione shumë të forta dhe çdo vit përballen me probleme të reja. Demokracia në vetvete është një çështje shumë e brishtë, por nuk do të thotë se nuk ekziston. Ndërsa pas komunizmit ne nuk mësuam diçka që ma ka thënë një shoqe nga Polonia: më tha se ne si të rinj e ndiejmë si detyrim ndaj atdheut për t’u ngritur sa herë na cenohet demokracia - pavarësisht kë kemi votuar!!!

Ndërkohë, ne në Shqipëri nuk arritëm kurrë ta mësonim këtë gjë, që të luftonim për demokracinë dhe çfarë është demokracia e ku na cenohet, ku na preket. Dhe për këtë gjë, ndoshta duke ditur apo duke punuar e lobuar për demokracinë vetë, kam pasur shpeshherë  përplasje duke nisur që nga familja ime e më tutje pastaj. Demokracia nuk është vetëm kur të leverdis ty dhe karriges tënde, është një luftë që bëhet çdo ditë.

Kafe Shqeto: Dikush që e sheh CV tënde thotë se ka qenë kandidate për deputete në 2017-ën, një vlerësim nga partia  e drejtuar nga z. Basha e në këtë moment duket sikur je kundër atij. A është pikërisht në këtë kontekst që e ke bërë këtë lëvizje që po e bëjnë qindra, mijëra anëtarë të PD-së, pavarësisht se je shpërblyer apo jo? Po merr vendimin që e konsideron si të drejtë dhe jo për çështje interesash?

Barbara Doda: Më lër ta them në këtë formë... unë realisht nuk e kam pasur problem karrigen time apo pozicionin tim. Mendoj se demokracia është shumë më e madhe sesa thjesht unë; normalisht, dua të kem kontributin tim në të. Nuk kam asgjë personale me z. Basha siç nuk kam asgjë personale me z. Berisha. Për mua z. Basha mund të jetë një njeri shumë i mirë, por nuk bëhet beteja për këtë gjë. Unë e gjykoj politikisht, jo njerëzisht. Politikisht, si një kryetar jam e interesuar sepse PD-ja ka marrë vazhdimisht vendime të gabuara, ka marrë rrisqe përsipër dhe këto janë bërë në bazë të kërkesave dhe ideve të z. Basha. Po, demokracia ka shumë probleme dhe në këtë rast ka pasur edhe kur z. Basha humbi për herë të tretë dhe mendoj se e gjithë partia duhet të ishte në vijë duke i kërkuar dorëheqjen. Nuk ishte. Personalisht kam punuar në fushatën e z.Shehaj dhe në fushatën e tij për kryetar partie sepse mendoja se çdokush duhej ta sfidonte z. Basha dhe çdokush duhej të tregonte se asnjë njeri në PD, qoftë edhe Kryetari nuk është i pazëvendësueshëm. Të gjithë e kanë një zëvendësim.

Kafe Shqeto: Barbara, fole në fillim për ndryshim, për ide të reja të cilat i pe të mishëruara tek Foltorja. A mund t’i thuash pak ato 2-3 boshtet kryesore të Foltores që ty të kanë bërë për vete, të kanë joshur dhe të bënë të vendosësh të kalosh nga një pozicion te Basha, për tek Berisha?

Barbara Doda: Për muaj janë dy gjëra. Vetëm dy gjëra mendoj se PD -së i nevojiten për të ardhur në pushtet. E para është transparenca. Një parti transparente e hapur, një parti që vendimet nuk i merr natën, i merr ditën, i merr me votuesit e saj, me anëtarësinë, një parti që mbështetet dhe përshëndet organet e saj drejtuese dhe e dyta, kthimi i votës brenda Partisë Demokratike. Fakti që janë premtuar “primaret”, fakti që është premtuar që çdokush do të zgjidhet në bazë të votës, në bazë të meritokracisë , janë dy gjëra që i duhen çdo partie në përgjithësi për të qenë më demokratike, më e hapur, më meritokratike. Pra, transparencë dhe kthim vote.

Kafe Shqeto: Kjo lëvizje, a mendon se do të jetë përbashkuese apo përçarëse?

Barbara Doda: Ka një problem ky përbashkimi dhe përçarja sepse njerëzit apo ana e Bashës, meqë ma përmendët më herët po mundohet të shesin vazhdimisht unifikimin si unitet, që është një problem shumë i madh. Ata kërkojnë që njerëzit të mendojnë të gjithë njësoj dhe të jenë në rresht njësoj. Ndërkohë që për mua ky unifikim nuk e bën partinë të bashkuar, e bën më të përçarë. Për sa kohë që njerëzit nuk kanë të drejtë të shprehin pakënaqësitë, mendimet e tyre, kjo nuk është parti e bashkuar, është parti që na shitet si e tillë, kurrsesi nuk është. Dhe nuk është një parti e djathtë.  E djathta gëlon nga individualizmi ndërkohë që në Partinë Demokratike kjo gjë shtypet dhe nuk lejohet. Pra njerëzit që kanë pak karakter, pak ide, janë të destinuar të shkojnë drejt përjashtimit në PD.

Kafe Shqeto: Një pyetje të fundit. Vijmë në një moment perspektive, kalojmë datën 11 Dhjetor dhe ecim më tej. Për ty personalisht dhe moshatarët e tu, të rinjtë që e duan ndryshimin dhe e shohin  atë tek Foltorja, ti mendon se duhet duruar deri në fund të mandatit të z. Rama për të shkuar pastaj në zgjedhje e për të marrë pushtetin apo duhet të ketë një ndërhyrje më të shpejtë për ta ndryshuar këtë situatë që është bërë, le të themi katastrofike?

Barbara Doda: Për mendimin tim, problemi më i madh që është ngritur këto kohë nuk paska qenë kundrejt Ramës por paska qenë kundër vetes. Ne kemi probleme vetë si Parti Demokratike dhe pa rregulluar këto probleme e kemi shumë të vështirë të përballemi me Ramën, gjë që do shumë kohë, energji dhe për momentin mendoj se të gjitha forcat duhet të fokusohen brenda PD-së për ta ringritur atë në mënyrë që nesër të jetë një parti konkuruese për të ardhur në pushtet, për të mundur Ramën apo këdo tjetër.

Kafe Shqeto: Besoj se do të jesh në Tiranë në datën 11, apo jo?

Barbara Doda: Do të jem në Tiranë më datë 11, por nuk jam delegate. Do ta ndjek me përzemërsi. Familjarët i kam delegatë, kështu që do ta bëj gjysmën e punës dhe unë./ar.sh/ SYRI.NET

INTERVISTA NE VIDEO NE EMISIONIN "KAFE SHQETO"

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco