Dekonspirimi i ‘Misioni-t’ të Lulzim Bashës!

Dekonspirimi i ‘Misioni-t’ të Lulzim Bashës!

12:50, 30/11/2021
A+ Aa A-

Në fillim të muajit Mars të këtij viti, Lulzim Basha, nxori për publikun librin e tij ‘Misioni im’, i cili është formuluar si një letër e hapur për demokratët dhe gjithë shqiptarët.

Ka ardhur koha që ky libër elektoral, i cili sipas Bashës në atë kohë tregonte thelbin e tij si njeri dhe politikan, të shfletohet sërish.

Vetëm 9 muaj pas botimit, situata brenda Partisë Demokratike dhe anëtarësisë ka ndryshuar katërcipërisht.

Partia është zgjuar, kurse Basha është dekonspiruar!

Nuk është më ai që presupozohet se ka shkruar ‘Misionin’, ose me shumë gjasa nuk ka ekzistuar kurrë ‘Basha i Misionit’, por gjithmonë ky që shfaqte sot; i vulës, karriges dhe interesit personal e familjarë!

Ky libër nuk e ndihmoi dot për të fituar zgjedhjet e 25 prillit, por gjithsesi ai ka një vlerë të madhe si dokument autentik, i cili vërteton dy fytyrat e Lulzim Bashës përballë shqiptarëve, demokratëve, Sali Berishës dhe Foltores sot.

Le ta shfletojmë dhe të ballafaqojmë ‘Bashën e Misionit’, me Bashën përball Foltores dhe në krah të Edi Ramës.

Libri hapet me kapitullin ‘Politika për Mua’

Pas shumë përsiatjesh shpesh halucinante, ajo që të mbetet në mendje është vetëm një paragraf që tregon momentet kur Basha vendosi të braktisë rrugën e Jurispidencës dhe të bëhet politikan profesionist.

I kam thënë (atëherë) me bindje Aurelës: Nëse nuk do të ndjek atë që dua të bëj me gjithë zemër, do të vijë një ditë që nuk do të duroj dot veten time, e pastaj nuk do më durosh dot as ti…

Sot pas përjashtimit të Sali Berishës dhe në kulmimin e lëvizjes demokratizuese brenda PD-së, Foltorja, Lulzim Bashan në intervistat e fundit ka hedhur poshtë 8 vite kryetar partie ‘me zemër’. Flet për dualizëm, për vendime të marra nën ‘ndikim’ etj, etj.

Ka ardhur koha që Lulzim Bashës i cili menjëherë pasi dha lajmin e përjashtimit të Berishës deklaroi se këtë akt nuk e kishte bërë me zemër por i ‘detyruar’, të shtrohet pyetja:

A e duron dot sot Basha këtë Lulzim të ri, po Aurela?!

Kapitulli i dytë i Misionit është titulluar:

Partia Demokratike dje, sot dhe nesër, ‘Partia më e bukur e Lindjes’ …

Kështu mendonte Basha për Partinë Demokratike deri në ditën që nisi Foltorja, ‘partia më e bukur e Lindjes’. Por sot ai flet ‘për llum’, të korruptuar’ dhe ‘tuba oksigjeni që mbajnë gjallë pushtetin e Edi Ramës.

‘Partia Demokratike është partia e idealeve të Dhjetorit, e Shqipërisë si gjithë Europa. E simboleve të demokracisë shqiptare, është partia e Azem Hajdarit, Sali Berishës dhe Gramoz Pashkos. Ky trinitet personazhes dhe simbolikash, dy prej të cilëve fatkeqësisht nuk janë më në jetë, është pikë referimi për atë se çfarë duhet të jetë Partia Demokratike 30 vite më pas’, shkruan Basha.

Sot ky trinitet është zëvendësuar me ‘trekëndëshin e Bermudës’, ku ai fut përveç Edi Ramës dhe Ilir Metës, edhe Sali Berishën.

Çfarë ndodhi brenda këtyre muajve që Berisha dhe bashkëkohësit në parti të Hajdarit dhe Pashkos, nga trnia e shenjtë e PD-së u zhvendosën në ‘boshtin e të keqes’?!

Këtë do ta mësojmë shumë shpejt, menjëherë pas 11 Dhjetorit.

Basha ose ai që i ka shkruar ‘Misioni im’, flet edhe për përjashtimet masive që ka bërë gjatë 8 viteve, duke u justifikuar se qëllimi i tij ka qenë dhe është afrimi i ‘të rinjve’.

Kur dikush më kritikon se pse nuk kam përfshirë këtë apo atë në listë, edhe pse për arsye etike jo gjithmonë më duhet të replikojë, përgjigjia ime është: Po vendin për të rinjtë kush do ta hap?’, shkruan ai.

Në fakt se si ka funksionuar ai me të rinjtë dhe Forumin e tyre, doli sheshit me rastin e Foltores. Përgjigjen dhe realitetin e pa në tubimin madhështor te amfiteari i Liqenit, ku mbi 90% e drejtuesve të rinisë demokrate kërkonin largimin e tij…

Përjashtime dhe autoritarizëm

Sot unë kritikohem se jam aksionier në minorancë në partinë që udhëheq, se nuk vendos vetëm unë apo se e drejtoj atë pa arrogancë dhe urdhër nga lartë. Parta Demokratike nuk është një emër, nuk është një individ, nuk është një korrent nuk është një sekt. Nuk është vetëm Lulzim Basha. Janë të huaja për mua, për mua për opozitën shqiptare dhe Partinë Demokratike, çdo nocion ose mundësi e autoritarizmit, e imponimit, e monopolizimit apo gjithçkaje tjetër që mban erë diktaturë ose është një reminishncë e tiranisë’.

Ky që shkruan kështu, është dora vetë Lulzim Basha. Të qeshësh është pak.

Flet kështu Lulzim Basha që listat e deputetëve i ka bërë gjithmonë pas mesnate, i vetëm me dy tre syresh që nuk kanë punë me partinë.

Lulzim Basha që pa pyetur asnjë forum përjashtoi live në TV deputetin dhe liderin historik të partisë së madhe dhe të mijëra sakrificave, në të cilën u katapultua pikërisht vitin që u rikthye në pushtet dhe ai u emërua direkt ministër.

Basha që përjashton me një fjalë goje, këdo që i bashkohet Foltores dhe fshihet pas vulës së kryetarit.

Lulzim Basha që bërtet brenda mureve të godinës së partisë ku është ngujuar: Pushoni se e di unë, flas unë, vendos unë…

Mashtrimi i artistëve dhe hipokrizia me Kosovën

Gjithashtu në libër janë edhe dy kapituj, njëri për artin, kulturën dhe artistët, si dhe i fundit që flet për ‘dashurinë e madhe’ të Lulzim Bashës për Kosovën.

Hipokrizia e Bashës për artistët dhe për ato pak rreshta që ka shkruar për çështjen e Teatrit Kombëtarë, ndërkohë i shembur, do të dekonspirohej vetëm pak kohë pas publikimit të ‘Misionit’.

Basha jo vetëm që e braktisi kauzën e Teatrit, por ndryshe nga sa kishte premtuar, asnjë intelektual, artist apo veprimtarë që i qëndroi në ballë për 2 vite asaj lëvizje epike, nuk u përfshi në listat e kandidatëve për deputet dhe as në forumet e larta të partisë në zgjedhjet e qershorit.

Ndërsa për Kosovën Basha, mund të quhet i vetmi politikan në Shqipëri, përveç Edi Ramës që është në llogoren që dihet, i cili nuk foli kurrë qartë dhe i pozicionuar për ndarjen e Kosovës dhe hesht edhe sot e kësaj dite, për planin malinj pro serb e antishqiptarë të ‘Ballkanit të Hapur’.

Dy Basha përball Berishës

Por pjesa më interesante e librit ‘Misioni im’ është ajo kur ai flet për ‘babain’ e tij politik, Sali Berishën.

Është e neveritshme ta shohësh Bashën e ‘Misionit’, në pasqyrën e Bashës së sotëm përball Berishës. Por duhet bërë ky ballafaqim për arsyen që domokratët e thjeshtë dhe ata dilematikë, të kuptojnë se kë kanë kryetar.

Kam pasur ftesa private apo publike, miklime apo thirrje, marrëveshje apo ‘deklamime’ për të ‘vrarë babain’. Është qesharake, sepse nuk është as në traditën e partive të djathta, as në botëkuptimin apo në formimin tim dhe as në traditën e fisnikërisë apo konservatorizmit që të ‘vrasim babain’. Kjo ftesë e përhershme për të ‘vrarë babain’ më është dukur gjithmonë jo vetëm qesharake por edhe e pakuptimtë, kur në të vërtetë përvoja dhe lidershipi i Sali Berishës si lider politik mund të ishin për mua vetëm se përparësi; për të marrë një mendim, për të rrahur ide, për të bërë një diskutim. Ishte një mënyrë, një lloj shkolle të cilën ishte privilegj që ta kisha dhe jo barrë që ta vuaja’, shkruante ai në mars të këtij viti.

Por dëgjojeni çfarë thotë, sot kur i rrezikohet karrigia:

‘Siç kemi parë, me kulturën e linçimit dhe sulmeve më të turpshme, më të ulëta, përfshirë ndaj drejtueseve gra demokrate që nuk mendojnë si ai.  Me një gjuhë të poshtër, denigruese e cila i ngjan, madje mund të them në disa aspekte ia kalon edhe sulmeve që Edi Rama bën ndaj të njëjtëve persona’

Vazhdojmë me ‘Misionin’ e Bashës dhe më pas me dekonspirimin.

Sali Berisha respektohet, dëgjohet, është pjesë e historisë së Partisë Demokratike dhe të djathtës shqiptare, si lider historik i saj. Dhe si i tillë, mendimi se kam një përvojë të tillë ku mund të mbështetem, ka qenë lehtësim për mua dhe aspak një barrë’, shkruan Basha.

Kurse sot pa u zverdhur e pa u skuqur, deklaron:

 ‘Sali Berisha ka demonstruar, se është një njeri dhe një politikan që i ka mbaruar koha, është jashtë kohe. Është jashtë kohe me mënyrën se si është sjell’

Në intervistën e fundit te Zëri i Amerikës, Basha fliste për ‘ndikime’ dhe dualizëm në detyrën e tij si kryetar i Partisë Demokratike.

Por çfarë shkruan te Misioni’, pikërisht për këtë çështje?

Mbi këtë është spekuluar vazhdimisht duke u përpjekur të krijohet ideja e dualitetit, ideja e mbikqyrjes, ideja e patronazhit. Ndonëse këto janë krejtësisht të pavërteta, mua më është dashur të lëviz në këtë terren. Liderët e mëparshëm të opozitës ose kanë qenë vetë themeluesit e partisë ose i kanë mbyllur derën paraardhësit. Pëshpëritej kudo në Tiranë se Fatos Nano nuk guxonte as të shkelte në Partinë Socialiste pasi u largua nga drejtimi i saj, sepse mund që portiere të mos i hapte as derën. E pra kjo nuk është Parta Demokratike, kjo nuk është e djathta. Ne jemi ndryshe. Partia Demokratike është e hapur për të gjithë, aq më shumë për njerëz që kanë bërë histori brenda saj, si Sali Berisha

Sot në përpëlitjet e fundit për të mbajtur karrigen e kryetarit dhe në tentativë për ta çarë partinë më dysh, Basha arrin deri aty sa barazon Berishën me Ramën dhe e paraqet si të keqen më të madhe të PD-së dhe Shqipërisë

‘Ajo që më trishton më shumë se gjithçka, është konvergimi i plotë që ka në sulmet që bën, në gjuhën që përdor dhe në demokratët që zgjedh për të sulmuar, në veçanti demokratët që përfaqësojnë vullnetin përmes zgjedhjes së tyre në organet legjitime dhe forumet legjitime të Partisë Demokratike. Konvergimi pra me Edi Ramën, me kundërshtarin kryesor të demokratëve. Bashkimi tashmë edhe në një gjuhë, edhe në shënjestra i Sali Berishës me Edi Ramën është nga njëra anë diskreditimi më i madh që i bëhet Sali Berishës, që i bën vetes së tij dhe nga ana tjetër tregues i qartë se e gjitha kjo nuk është gjë tjetër veçse një betejë personale për të mbajtur peng Partinë Demokratike, për interesa personale të Sali Berishës.  Nuk ka për të ndodhur!’.

Se çfarë ka për të ndodhur apo jo, nuk e di më as ‘Basha i Misionit dhe as ‘Basha i Vulës’.

Finalja do të mësohet në ditët në vijim dhe veçanërisht pas 11 Dhjetorit kur mbahet Kuvendi historik i jashtëzakonshëm, për rikthimin e demokracisë në Partinë Demokratike dhe gjithë spektrin shqiptarë politik.

Dhe bashkë me rikthimin e Partisë Demokratike të dhjetorit 1990, duket se do të mbyllet edhe dekonspirimi i ‘Misionit’ të vërtetë të Lulzim Bashës!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

London 30/11/2021 17:36

Duhet nxjerr nga selia që e PD me çdo forme,po u bonus pa ikur. Ate seli që ishte ShQUP. ja la me veshtersi Sali Berisha PDs ta gezoje .Tani klyshi i Soros dhe Rames I ven çelesin. Demokratet nuk kan vdekur o tradhtar

Daj Jaku30/11/2021 15:40

E thjeshtë dhe e qartë, atë libër nuk e ka shkruar Lylysh Basha. Ku din Lylyshi me shkrujt libra. Edhe ato që thotë sot për Berishën nuk i shkruan vetë, ja shkruajnë ato laperët që mban rrotull.

Shqipe30/11/2021 14:03

Nuk e lexova dot deri ne fund kete shkrim….mu peshtiros me hipokrizine e ketij “lideri”

Shto koment

Denonco