Dy fytyrat e Ballkanit të Hapur/ Vuçiç i merr armë Putinit, Rama flet për prodhimet bujqësore

Dy fytyrat e Ballkanit të Hapur/ Vuçiç i merr armë Putinit, Rama flet për prodhimet bujqësore

09:16, 26/11/2021
A+ Aa A-

Eshtë e qartë se projekti i Ballkanit të Hapur është një krijesë me dy fytyra, por dy themeluesit e tij këtë të enjte kanë qenë larg njëri-tjetrit më shumë se kurrë. Mes Ramës dhe Vuçiçit është e vështirë të përcaktosh se kush e shtyn më shumë idenë e heqjes së kufijve, por në retorikën mes të dyve tashmë ekziston një hendek i madh në lidhje me Kosovën.

Një qasje agresive, që nuk ka asnjë lidhje me frymën e bashkëpunimit në rajon, Vuçiç e shpërfaqi në takimin në Sochi me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Në transkrptin e zbardhur të takimit mes Vuçiçit dhe Putin, Kosova ka zënë një vend të rëndësishëm. Nuk është folur për të ardhmen e begatë mes fqinjëve, nuk është folur as për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, apo për potencialin ekonomik që krijohet nga heqja e kufijve.

Vuçiç dhe Putin kanë folur për tensione, provokime, stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe ndihmë të ndërsjellë për çdo rast. Në bisedë me Putinin, del fytyra luftarake e Vuçiçit, që bashkë me një ekonomi më të mirë, kërkon edhe armë.

“Dua t’ju shpreh falenderimet për mbështetjen e vendit tonë, integritetin territorial dhe sovranitetin e tij. Siç e dini tashmë, ne po përballemi me provokime dhe tensione në rritje në rajon, veçantërisht në Kosovë dhe Metohi. Dua të shpreh falenderimet e mia edhe për mbështetjen tuaj në organizmat ndërkombëtare gjithashtu” ka thënë Vuçiç duke hapur temën e tensioneve dhe provokimeve në Ballkan.

Përgjigjia nga Putin ka qenë muzikë për veshët e Serbisë. Shefi i Kremlinit ka kujtuar stërvitjet e përbashkëta ushtarake dhe ndihmën që Rusia jep në këtë drejtim.

“Ne rregullisht kryejmë stërvitje të përbashkëta, dhe ne po promovojmë bashkëpunimin mes agjensive tona të sigurisë, ministrive të mbrojtjes dhe stafit të tyre. Sigurisht që këto bëhen për përfitim të të dy vendeve. Profesionistët tuaj ushtarakë mësojnë të stërviten në universitetet tona. Dhe disa fjalë mbi përpjekjet dhe bashkëpunimet tona në skenën ndërkombëtare, përfshirë edhe atë për një komunitet në Kosovë. Siç e dini, qëndrimi jonë parimor nuk ndikohet nga ndonjë faktor politik i caktuar. Ne mbështesim pozicionin tuaj në Kosovë. Shpresoj që një zgjidhje do të gjendet dhe që do t’i bashkojë të gjithë interesat e të gjithë njerëzve në rajon” ka thënë Putin.

Përmendja e bashkëpunimit ushtarak është përqafuar menjëherë në bisedë nga Vuçiçi që ka shprehur mirënjohjen e tij, duke thënë: “Bashkëpunimi jonë ushtarak dhe teknik sigurisht që ka arritur nivele të larta. Ju jemi mirënjohës për dhuratat tuaja të mrekullueshme dhe për standartet e bashkëpunimit tonë”.

Më pas, gjatë një interviste pas takimit, presidenti i Serbisë tha se e kishte informuar presidentin e Rusisë edhe për deklaratat e Albin Kurtit për bashkimin me Shqipërinë, madje edhe i ka treguar në hartë veriun e Kosovës.

“Unë fola për standarde të dyfishta për hipokrizinë shpeshherë në marrëdhëniet ndërkombëtare, presidenti Putin e njeh këtë dhe e kupton mirë se për çfarë po flas, por ai më kërkoi shpjegime shtesë, kështu që folëm për veriun e Kosovës dhe ia treguam në hartë” tha Vuçiç duke lënë të kuptohet se kishte marrë armë të tjera dhuratë nga Putin.

Në të njëjtën ditë, i ftuar në emisionin “Të paekspozuarit”, Kryeministri Edi Rama ka vazhduar të flasë për Ballkanin e Hapur përmes një retorike që ngjan vite dritë larg asaj të Vuçiçit, por që ka në qendër sërish Kosovën.

Rama ruajti linjën e qepëve, domateve, mandarinave, qumështit që bëhet kos dhe produkteve të tjera që kanë vështirësi kalimi mes vendeve të Ballkanit dhe që sipas tij duhet të qarkullojnë lirisht.

“Duke u hapur ne bëhemi më konkurues, se hapja të rrit, se këtu punohet dyfishi i tokës bujqësore se sa punohej dikur” tha Rama tek Të Paekspozuarit, ndërsa fajësoi Kosovën se përse nuk ulet në tryezë me Vuçiçin për t’i dhënë një zgjidhje mosmarrëveshjeve.

“Si zgjidhet? Zgjidhet duke fol. Nëse thua “nuk dua t’ia di. Unë nuk e njoh Serbinë”, Serbia nuk të njeh ty. Por ti je i interesuar të të njohë? Se ato mbajnë peng një dynja. Se në Bruksel u ul Albini me Ana Bërnabiçin. Ça e gjeti? Kështu funksionon bota, nuk funksionon me pushkë false dhe Facebook. Dhe gjëja më e tmerrshme është relativizimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Pse i bie pesha Kosovës? Se dakort Vuçiçi… Pse i bie pesha ndërkombëtarisht në mënyrë eksponenciale? Një arsye është që duhet ta gjejë të vetja. Apo e ka e gjithë bota gabim. Po mirë e ka bota gabim” tha kryeministri.

Me fjalët e tij, kryeministri i Shqipërisë vazhdoi t’ioa faturojë gabimet liderëve të Kosovës që nuk pranojnë të hapin kufijtë me Serbinë.

Por një nga arsyet për të cilat Kosova, Mali i Zi apo Bosnje-Hercegovina e kundërshtojnë Ballkanin e Hapur është se heqja e kufijve do t’i hapë rrugë ndikimit rus në Ballkan përmes Serbisë. Hegjemonia serbe sipas tyre buron nga favoret ekonomike të Rusisë.

Albin Kurti mendon se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të jenë “të hapur për Federatën Ruse dhe Kinën. Në një farë mënyre kur thuhet i hapur, nga pikëpamja e Serbisë synohet që ashtu siҫ Serbia është e hapur për Federaten Ruse dhe Kinën, të bëhen edhe të tjerët në Ballkanin Perendimor. Ne kundërshtojmë një tendencë të tillë…” siç është shprehur ai për DW.

Rama e ka quajtur këtë argument, një teori konspiracioni. Kryeministri i Shqipërisë nuk beson se përmes heqjes së kufijve në Ballkan shtohet ndikimi rus.

Por fakt është që Vuçiç dhe Putin folën në Soçi për Kosovën përmes gjuhës së armëve. Pas këtij takimi duket se, qepët, domatet, kastravecat dhe mandarinat për të cilat shqetësohet Rama, duhet të presin ende./Lapsi.al/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco