Ilir Meta dhe Ramush Haradinaj kanë një synim: hekurudhën Shqipëri - Kosovë

Ilir Meta dhe Ramush Haradinaj kanë një synim: hekurudhën Shqipëri - Kosovë

11:25, 25/11/2021
A+ Aa A-

Presidenti Ilir Meta dhe ish-Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj kanë një ëndërr dhe synim të përbashkët: lidhjen hekurudhore midis Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo dëshirë, ky projekt, është shpalosur sot nga të dy në takimin që kanë pasur në Prishtinë dhe e kanë konfirmuar të dyja palët.

Meta shkroi në Fb: “I lumtur të nisja sot ditën me një takim vëllazëror në Prishtinë me Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-Kryeministrin, Ramush Haradinaj. Ndamë urimet më të ngrohta në vigjilje të Ditës së Flamurit Kombëtar dhe nënvizuam rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve, në dobi të qytetarëve tanë. Në këtë kuadër, vendosja e lidhjes hekurudhore mes Shqipërisë dhe Kosovës është e domosdoshme dhe me impakt zhvillues për tërë rajonin. Duke evidentuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha vendeve tona, si element kyç në promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në Ballkan, theksova se Procesi i Berlinit është një mundësi e shkëlqyer për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët europiane.”

Ndërsa Haradinaj njoftoi: “Sot me bashkëpunëtorë e prita në takim të përzemërt, Presidentin e Republikës së Shqipërisë Ilir Meta. Folëm hapur për projektet e përbashkëta me interes të dy vendeve tona dhe kërkova mbështetjen e Presidentit për linjën hekurudhore që do ta lidhte Prishtinën dhe Durrësin, krijimin e një sistemi të përbashkët mbrojtës për ndihmë të ndërsjellë në situata të jashtëzakonshme e emergjente si dhe krijimin e lehtësirave për të mundësuar shtetësinë shqiptare për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Njëkohësisht shfrytëzova rastin që Presidentit Meta dhe Popullit Shqiptar t’u uroj Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco