'Amerika nuk ka më kohë të humbasë', ky është paralajmërimi për Albin Kurtin

'Amerika nuk ka më kohë të humbasë', ky është paralajmërimi për Albin Kurtin

21:06, 18/11/2021
A+ Aa A-

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë të dhënë së fundi, ka paralajmëruar se marrëveshja finale me Serbinë mund të arrihet gjatë mandatit të tij si kryeministër.

“Unë nuk mund të parashikoj se kur do të ndodhë, por nëse kemi parasysh që mandati i presidentit amerikan, (Joe) Biden, mandati i zëvendëskryetarit të Komisionit Evropian, Borrell dhe mandati im përafërsisht do ta kenë të njëjtën kohëzgjatje, është e pritshme që në kuadër të këtyre mandateve, që në kohë janë pak a shumë të njëjta, ta përmbyllim marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë. Pra, te ne ekziston vullneti dhe interesimi, varet a ekziston gatishmëria te Serbia”, tha kryeministri Kurti.

Të njëjtën gjë e presin edhe amerikanët. Së paku kështu ka bërë të ditur i ngarkuari me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nicholas Giacobbe, pas takimit me kryeministrin, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.

“Ishte kënaqësi takimi me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi sot për të diskutuar një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë planet për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë gjatë mandatit aktual të kryeministrit”, deklaroi Giacobbe.

E sipas analistit dhe publicistit, Rexhep Shahu, kjo është një sinjal se SHBA nuk ka kohë të humbas me Kosovën dhe Serbinë.

“Unë besoj se Amerika nuk ka më kohë të humbasë më shumë por synon të mos zvarritet me çështja e marrëdhënieve Kosovë - Serbi, por të marrë fund kjo Odise me njohje të ndërsjellë. Duket se z. Kurti duhet ta hedhë vallen sipas melodisë amerikane me hir ose me pahir, duke ditur se amerikanët janë aksionarë të parë të lirisë e pavarësisë së Kosovës”, thotë Shahu.

Shahu më tej shprehet se Amerika është mbrojtësja më e madhe e shtetit të Kosovës.

“Lajmet e mëdha e të rëndësishme nuk kumtohen gjithmonë nga udhëheqësit, janë diplomatët që i kumtojnë ato. Unë vazhdoj të besoj se Amerika është aleatja e mbrojtësja me e mirë dhe e sigurtë e Kosovës. Besoj se edhe z. Kurti nuk i shkon më në mend të thotë Amelika Amelika, por duhet të jetë tashmë një politikan kooperurs me Amerikën. Kosova është tashmë shteti i dytë shqiptar në botë i krijuar me luftë nga Amerika e NATO në mes të Evropës në fillim të këtij shekulli, është ky realitet që shqiptarët duhet të jenë optimistë. Unë kam besuar gjithmonë se Amerika nuk e çon dëm investimin e saj në Kosove e për Kosovën”, përfundon publicisti Rexhep Shahu.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco