‘Bregdeti ynë’/ Lufta e humbur e Edi Ramës me ndërtimet e paligjshme

‘Bregdeti ynë’/ Lufta e humbur e Edi Ramës me ndërtimet e paligjshme

14:15, 18/11/2021
A+ Aa A-

Me gjithë gjuhën e ashpër të kryeministrit, shumica e të pandehurve për ndërtime pa leje në bregdet ia hedhin paq me sanksione simbolike, ndërkohë që ankohen se shembjet janë selektive dhe të padrejta. 

Nga Jerola Ziaj-BIRN

Me 5 tetor fadromat dhe punonjësit e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, IKMT, zbarkuan në fshatin Jalë të Himarës të mbështetur nga Policia e Shtetit, për të shembur një ngrehinë të paligjshme të familjes Balaj.

‘Je i paligjshëm, ta kam prishur njëherë objektin para tre viteve,’ i drejtohet inspektori Fatmir Meta, njërit prej vëllezërve Balaj. ‘Në dy vite, ke ndërtuar dy herë pa leje,’ shton ai gjatë përballjes së filmuar nga kamerat e disa televizioneve.

Një muaj pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, ku Partia Socialiste u konfirmua për një mandat të tretë, kryeministri Edi Rama nisi operacionin ‘Bregdeti ynë’, duke premtuar se do të fshinte nga harta çdo ndërtim pa leje dhe përgjegjësit do ti nxirrte përpara ligjit.

Kjo nuk është hera e parë që kryeministri nis fushata kundër ndërtimeve pa leje dhe efikasiteti i tyre në parandalimin e shkeljes së ligjit është i debatueshëm.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtën e informimit nga IKMT, tregojnë se vetëm në qarkun e Vlorës, gjatë tre viteve të fundit u shembën qindra ndërtime të paligjshme.

Edhe numri i çështjeve penale në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm u rrit gjatë dy viteve të fundit, por dënimet e të proceduarave kanë qenë kryesisht minimale.

Ndërtimet pa leje nuk janë thjesht raste shkelje ligji nga banorët e bregdetit, por shpesh lidhen me problematikat e regjistrimit të pronave dhe mungesën e planeve të zhvillimit urban të vijës bregdetare.

Familja Balaj, e cila ka jetuar në fshatin Jal të Himarës që nga viti 1989, i tha BIRN se ndërhyrja e IKMT-së ka qenë e paligjshme, ndërsa shembja e pasurisë së tyre i kishte lënë të rrënuar ekonomikisht.

‘Na lanë pa asnjë të ardhme dhe mundësi për të jetuar, fëmijët na ngelën rrugëve sepse as shkollimin e tyre nuk mund ta përballojmë më në këto kushte’ tha Artan Balaj. ‘Kemi përfunduar të gjithë të papunë dhe të pastrehë,’ shtoi ai.

Image

Kontrolli i territorit

Kontrolli i territorit është një nga problemet më të mprehta që është përballur shteti shqiptar në tre dekadat e fundit, pas rënies së regjimit komunist të ish-diktatorit Enver Hoxha, kur gati 1/3 e popullsisë migroi nga zonat rurale dhe malore në ato urbane dhe bregdetare.

Sipas të dhënave të ASHK-së në Shqipëri ka më shumë se 320 mijë ndërtime pa leje, nga të cilat deri në vitin 2020 janë legalizuar 200 mijë.

Në një audiopërgjim të publikuar gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare, drejtori i ASHK-së Artan Lame pranon se një pjesë e ndërtimeve pa leje-rreth 100 mijë objekte, nuk do të legalizohen kurrë, por që aplikimet mbahen pezull për arsye politike.

Në këto objekte bëjnë pjesë dhe ndërtimet informale në zonat bregdetare, numri i të cilëve vazhdon të rritet vit pas viti. Sipas të dhënave të marra me kërkesë për të drejtë informimi nga IKMT, Vlora është qarku me problematikën më të madhe të ndërtimeve pa leje.

Sipas IKMT-së 43.1 % e  objekte të prishura në vitet 2017-2020 ndodhen në qarkun e Vlorës.  Në këtë periudhë në këtë qark u prishën 247 objekte pa leje, 170 prej tyre vetëm në vitin 2019. Por pavarësisht prishjeve me zhurmë të dhënat nga Gjykata e Vlorës tregojnë se numri i çështjeve penale me të paditur për ndërtime pa leje vijoi të rritej – nga 46 në vitin 2019 në 60 në vitin 2020.

Pjesa më e madhe e këtyre ndërtimeve janë në vijën bregdetare. Në disa raste, si me objektet e shembura dy vite më parë për t’i hapur rrugë projektit të vazhdimit të Lungomares në drejtim të Orikumit, është lehtësisht e konstatueshme me sy se ato janë rehabilituar nga pronarët. Disa janë kthyer sërish në  ambiente shërbimi gjatë sezoneve turistik të 2020-2021 nëpërmjet strukturave të lëvizshme.

 ‘Ndërtimi i paligjshëm’ u përfshi në Kodin Penal në vitin 2008 pas një vale të madhe ndërtimesh pa leje në të gjithë vendin dhe u shoqërua edhe me një plan për legalizim të objekteve të ndërtuara dhe frenim të vijimit të fenomenit. Në vitin 2014 masa e dënimit për këtë vepër penale u ashpërsua.

Në rang vendi IKMT vendosi 739 milionë lekë gjoba nga viti 2017 deri në vitin 2020, por vetëm 9.5 % e tyre është arkëtuar.

Shumica e vendimeve që BIRN shqyrtoi në Gjykatën e Vlorës janë mbyllur me marrëveshje me organin e akuzës. Të pandehurit nuk janë dënuar me heqje lirie. Marrëveshjet e pranimit të fajësisë, një koncept që u prezantua me ndryshimet ligjore të Kodit Penal në vitin 2016, lidhen mes prokurorit dhe të akuzuarit që pranon fajin dhe miratohen nga gjykata.

BIRN shqyrtoi 16 vendime të Gjykatës së Vlorës për ndërtime pa leje, për çështje që përfshinin nga ndërtimi i avllive, shtesa katesh e ndërtime nga e para në bregdet. Në 14 vendime gjykata ka dhënë 76 muaj burg, që janë konvertuar në 136 muaj liri me kusht dhe 120 orë punë në shërbim publik. Në dy raste gjykata ka refuzuar të miratojë marrëveshjen. Një herë mbi arsyen se prokuroria nuk kishte hetuar mbi pronësinë e tokës ku ishte bërë ndërtimi dhe në rastin e dytë pasi ngriti dyshime se i akuzuari nuk ishte vërtet personi që kishte bërë shkeljen.

Dënimet e dhëna nga gjykata nuk duket se kanë shërbyer shumë për të dekurajuar rastet e reja. Sipas vetë gjykatës numri i çështjeve të regjistruara ka ardhur në rritje.

Rritjen e ndërtimeve të paligjshme e pranon edhe shefi i komisariatit të Vlorës, Agim Basha, por ai thotë se numri i rasteve ka të bëjë me rritjen e kontrollit në territor.

 ‘Kemi pasur vëmendje të shtuar dhe kontroll të vazhdueshëm të territorit, të gjitha  rastet e konstatuara janë proceduar’, tha Basha, i cili tha se policia bashkëpunon me IMT-në e Vlorës në rast konstatimesh.

Image

Bregdeti ynë

Aksioni ‘Bregdeti ynë’, i cili filloi njëkohësisht në Jug dhe në Veri të vendit, shembi deri në fillim të korrikut 130 objekte dhe u ndërpre për t’i lënë hapësirë sezonit turistik. Në shtator fadromat u kthyen në bregdetin e Himarës dhe zona të tjera.

Në 5 tetor IKMT dhe policia ishin në Jalë në pronat e familjes Bala dhe të tjerëve. Katër objekte u prishën brenda ditës. Në një procedurë standarde të inspektoriatit që krijon dëmtime të tilla mbi kolona që e bëjnë të pamundur restaurimin dhe lënë pas gërmadhat që duhet të pastrohen nga vetë ndërtuesit për të shmangur ndjekjen penale.

Inspektori i IKMT-së që drejtonte operacionin, Fatmir Meta, i tha BIRN se nuk kishte një numër të saktë të objekteve që do të shembeshin në tërësi, por se lista ishte në azhornim të vazhdueshëm bazuar edhe në rastet që shtoheshin çdo ditë nga inspektoriatet vendore.

Ndryshe shprehen të prekurit prej aksionit, të cilët e shohin veten si shënjestra të padrejta.

‘Na mashtruan, na thanë se do të pastronin territorin nga mbetjet e shembjeve të mëparshme,’ kujton Artan Bala.

‘Nuk mund të marrin vendim për shembje në një kohë sa ne jemi në proces gjyqësor,’ shtoi ai.

Bala pretendoi se një urdhër prishje ndaj godinës në pronësi të tyre ishte rrëzuar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë dhe se ata ishin në pritje të Apelit, të cilin sipas tij IKMT nuk e ka pritur.

Përplasjen mes nxitimit të qeverisë dhe padive gjyqësore të ngritura nga pronarët e mjediseve në listë për tu shembur u vunë në dukje edhe prej një letre publike të Ministrit të Brendshëm, Blendi Çuçi për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, ILD.

Çuçi kërkonte n procedim për një gjyqtar të gjykatës Administrative në Gjirokastër me pretendimin se po vononte operacionin e IKMT-së.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë reagoi duke e refuzuar kërkesën e Çuçit si ‘mosrespektim të pavarësisë së magjistratëve në ushtrimin e detyrës së tyre.

‘Vendimet e magjistratëve nuk mund të bëhen objekt rishikimi apo diskutimi, nëpërmjet deklaratave publike jashtë sistemit të ankimit gjyqësor,’ theksoi ILD.

Avokati Armando Cakrani, përfaqësuesi ligjor i rreth 20  familjeve në zonën e Radhimës që mund të preken nga ndërhyrjet e IKMT-së, këmbëngul se prishjet po bëhen me standarde të dyshimta dhe se këmbëngulja e qeverisë se po prish objektet pranë detit është hipokrite.

‘Standardi i përdorur nuk është i njëjtë dhe për më tepër fakti që ende jepen leje ndërtimi buzë të detit është tregues i qartë se përzgjedhja është preferenciale dhe jo ligjore’, tha ai.

Megjithatë, Cakrani pranon se edhe në rrugë gjyqësore familjet e prekura kishin probleme. Ai tha se nga 60 objekte në planet e prishjes në Rradhimë, vetëm katër kishin marrë masa sigurie nga gjykata.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco