VIDEO/ Kryesia e PD në Fier mbështet Luan Baçin: Nuk e njohim vendimin e Bashës, shkeli statutin Fier

VIDEO/ Kryesia e PD në Fier mbështet Luan Baçin: Nuk e njohim vendimin e Bashës, shkeli statutin

18:57, 20/10/2021
A+ Aa A-

Kryesia e degës së PD në Fier mbështet Luan Baçin. 

Deputeti dhe drejtuesi i degës lokale të PD-së në Fier u shkarkua sot me vendim të Lulzim Bashës dhe në vend të tij u komandua Agron Kapllanaj. 

Por në një mbledhje urgjente që po zhvillohet në këto momente, kryesia e degës së PD nuk njeh vendimin e Bashës dhe anëtarët mbështesin Baçin. 

Ata i kërkojnë Bashës të tërheqë vendimin për të komanduar Agron Kapllanajn, pasi ai nuk ka lidhje, s'është as i votuar dhe as përfaqësues i degës së PD në Fier, por i asaj të Mallakastrës. 

Shkarkimi i Luan Baçit është një tjetër shenjë e hakmarrjes së Lulzim Bashës ndaj atyre që mbështesin 'Foltoren' e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kritikojnë vendimmarrjen e kryetarit në detyrë.

Disa ditë më parë Basha shkarkoi edhe Flamur Nokën nga nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, pikërisht pse u pozicionua 'pro' lëvizjes së Berishës. 

Pjesë nga diskutimet sot në Kryesinë e PD Fier

Luan Baçi: Nuk ka asnjë vendim zyrtar qoftë për komandim të X apo Y, apo për pezullimin tim. Kam patur një takim mbrëmë 10 minuta, ka bërë një propozim për komandim dhe kërkonte dorëheqjen time, gjë që nuk e kam dhënë. I kam thënë nuk po jap dakordësi si individ pavarësisht se kam edhe pozicionin e deputetit dhe kryetarit të degës, pa pyetur Kryesinë e Degës. Sot duke parë rrjete sociale, media, telefonata të shumta, vendosa t'ju thërras në këtë takim për një bashkëbisedim për situatën e fundit që po kalon PD, por edhe ne si degë. Shumë nga strukturat menduan se sot do të bëhej një prezantim. Por nuk ka prezantim dhe as vendimmmarrje, nuk ka asgjë zyrtare. 

Sami Maloku, anëtar i Kryesisë: Kemi pësuar disfatë pas disfate me të dhe sërish vendosi veton pa pyetur strukturat e PD. është e rëndë për ne nëse pranojmë të na shkelë me këmbë. Ne do të presim Kuvendin Kombëtar, të vendosin ata njëherë. Kemi firmosur 520 veta që do të thotë të gjithë këta që janë këtu kanë firmosur. Në asnjë mënyrë nuk ka të drejtë tani në këto momente, të marrë vendime jashtë statutit të PD, aq më keq jashtë strukturës së PD në Fier. Boll na ka marrë për këmbë, ia dhamë edhe votën herën e fundit, shkelëm ata të tjerët, burra e gra dhe e pritëm. Nuk e kemi pritur që ai është kaq i dobët (ndërhyrje nga salla: është i pabesë). Kryetari i ri të zgjidhet me një anëtar, një votë, pasi të mblidhet Kuvendi Kombëtar, dhe jo të zgjidhet jashtë strukturës tonë, por nga brenda nesh. 

Shefqet Krasniqi, anëtar i Kryesisë: Edhe ti (Luan Baçi) si kryetar aktual i PD në Fier dhe si deputet, në emër të kësaj mbledhje t'i dërgosh një përgjigje Lulzim Bashës. Nëse ai zotëria, mori 9700 vota në Ballsh, të tërë e dimë pse i mori ato vota, por s'na intereson. Ne duhet të pyetemi, që të japim mendimin tonë. Ose brenda 15 ditëve të caktohen emrat, të dalin kandidatët dhe të vijë këtu e të votohet. Dhe pastaj kush ta fitojë me votë.  

Anëtare e Kryesisë: Le të komandohej nga brenda Kryesisë (kryetari i ri) dhe jo të na vijë ne dikush nga jashtë. Pse pak kemi ne këtu?

Fatos Mihali, anëtar i Kryesisë: Është prishur statuti komplet. Ai (Agron Kapllanaj) nuk është i zgjedhuri juaj, por një i emëruar nga kryetari që nuk e dimë a është kryetar më. Po të isha më i ri do të merrja pjesë në 10-të foltoret e Berishës. Ka ende kohë që PD, forca më e madhe opozitare, ajo që solli lirinë, ka fuqinë të sjellë edhe këtë radhë që të sjellë lirinë e vërtetë. Nuk mundet Lulzim Basha të prishë të gjithë strukturën dhe të na sjellë një njeri që s'është i zgjedhur, s'është as i anëtar i PD-së në Fier. është i panjohur dhe i pavotuar nga ne. 

Haki Hurguri, anëtar i Kryesisë së PD: Lul Basha dashej pa dashje, na ka çuar në humnerë. Që me daljen nga Parlamenti. Luani e di mirë, te UFO atje, propozoj tha, dorëzoni mandatet që të fitojë PD-ja. Unë, me zë të fuqishëm si Sali Berisha kam thënë, mandatin mos e dorëzoni, ta kam thënë ty dhe z.Alibeaj. Pasi erdhi Basha pas votimeve, i kam thënë mos jep dorëheqje, por mendo për bashkimin e PD. I bëj thirrje z.Basha, që t'i vendoë gishtin kokës sepse realiteti po çon ujë te mulliri i Edi Ramës. E kemi mbështetur me mish dhe me shpirt. Ia kam thënë z.Basha, që njeriu duhet të mbështetet në bazë të rezultateve, z.Baçi po të mos kishte rezultate unë do të isha i mendimit që të jepte dorëheqjen. Por me rezultate të shkëqyera, me demokratë që kanë ikur me qindra rrugëve të Europës, ke dalë shkëlqyeshëm gjatë këtyre 30 viteve. Kur ikja në protesta këtu 30 viteve më parë, kurrë nuk iknim në mënyrë të organizuar, futesha mes shkodranëve, kush më pyeste prej nga je, se mendonin se isha ndonjë SHIK-as, iu thosha nga Fieri. Po ku ka demokratë Fieri?, më pyesnin. Por gjatë këtyre 8 viteve, ma merr mendja se as Shkodra, të mos them vetëm Tirana është me Fierin. Kem shkuar në mënyrë tepër të organizuar, kemi thithur gazin lotsjellës, kemi sakrifikuar. Ta mbështesim z.Baçi sepse ka punuar me gjithë shpirtë.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Pavli20/10/2021 20:47

Gjithe lojen ne Fier po e ben Alibeaj.Kapllani e ka zen mat Alibeajn ( dihet me cfare ) dhe ky i fundit po punon per te.Qe te dy kane lidhje me krimin e organizuar ne Fier. Si duket edhe Alibeaj ka futur ne vathe edhe Bashen.Se nuk ka kuptim qe te vihet ne krye te Pd ne Fier nje njeri me diplome te blere dhe i denuar ne Irali.

Shto koment

Denonco