Lajmi i fundit

VIDEO-E vranë, e zhveshën dhe i zhdukën dokumentet/ Si u ekzekutua recepsionisti në Dhërmi

INTERVISTA/ Deputetët e Dibrës munguan në Foltore, Hoxha: Ata gabuan, por sipas sinjaleve që kam ...

INTERVISTA/ Deputetët e Dibrës munguan në Foltore, Hoxha: Ata gabuan, por sipas sinjaleve që kam ...

13:05, 20/10/2021
A+ Aa A-

Z. Bedri Hoxha, një figurë kryesore e PD në qarkun e Dibrës, ka shpjeguar në një intervistë për SYRI TV, veçoritë që e karakterizuan Foltoren e djeshme të zotit Sali Berisha në Dibër. Një prej tyre ishte mungesa e grupit të deputetëve të PD në takimin me ish-Kryetarin përballë një anëtarësie që ka firmosur mbi 80% pro z. Berisha për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të partisë.

Xhelal Mziu, Kreshnik Çollaku, Dhurata Çupi – ky grup deputetësh dhe deklaratat e habitshme  të kryetarit Basha për origjinën e mamasë së tij, në këndvështrimin dhe gjykimin e z. Hoxha.

INTERVISTE ME NJE "KAFE SHQETO"

Flavio: Z. Hoxha, le ta fillojmë me një koment për Foltoren. Si dhe sa u ndjetë i përfaqësuar nga fjalët e zoti Berisha, ju personalisht në radhë të parë?

Bedri Hoxha: Padyshim që Foltorja e radhës në Dibër ishte një pikë kulmore, po them, në këtë lëvizje që ka ndërmarrë zoti Berisha.  Jo vetëm unë, por të gjithë demokratët e Dibrës, Bulqizës dhe Matit e gjetën veten në këtë prezantim që zoti Berisha i bëri gjendjes në të cilën ndodhet Partia Demokratike. Pa dyshim që demokratët janë të papërfaqësuar sot , jo vetëm në qeverisjen lokale, po as në qeverisjen qendrore dhe në asnjë strukturë të qeverisjes së shtetit shqiptar, kjo për pasojë të keqmenaxhimeve , të keqqeverisjeve të zotit Basha dhe kupolës drejtuese të PD. Siç e ndoqët përmes kamerës suaj, zoti Berisha evokoi edhe njëherë më së miri, të gjithë problematikën që ka sot Partia Demokratike në Dibër, Mat dhe Bulqizë e në të gjithë Shqipërinë. Mund të them se sot PD është në agoni të plotë dhe në rënie akoma më poshtë sesa jemi sot.

Dori: Ndërkohë, z. Hoxha, pati një mungesë të dukshme të deputetëve të PD të Dibrës në takimin e djeshëm. Si e shpjegoni këtë mungesë?

Bedri Hoxha:  Grupi i deputetëve të qarkut Dibër kanë gjykuar gabimisht me mospjesëmarrjen e tyre në Foltoren e zotit Berisha. Fare mirë ata mund të ishin pjesë e kësaj Foltoreje, mund të kundërshtonin mendimet e zotit Berisha , të jepnin mendimet e tyre për organizimin dhe funksionimin e PD, të strukturave të saj dhe kështu do të ishte një debat më i mirë. Mendoj se me mospjesëmarrjen e tyre në këtë Foltore ata kanë humbur një pjesë të mirë të mbështetësve, pasi jo vetëm në atë sallë, por dhe në ambientet e jashtme të Pallatit të Kulturës të qytetit të Dibrës, po dhe ata që ishin të pamundur për të ardhur , i kanë mbështetur këta deputetë që janë sot.

Flavio: Le të ndalojmë pak tek kjo çështje zoti Hoxha, është ndoshta “thembra e Akilit”. A është ky një moment që ka vërtetuar argumentin e zoti Berisha sa i takon meritokracisë së përzgjedhjes së emrave? A a ka krijuar një krisje midis të zgjedhurve? Jam kurioz të di si do të mundet zoti Xhelal Mziu, i njohur për suportin e tij për zotin Berisha, të paraqitet pikërisht para këtyre dibranëve?

Bedri Hoxha: Nuk e kisha se si do të paraqitën ata nesër përpara elektoratit, përpara atyre që i kanë votuar, por i gjithë grupi i deputetëve nuk mund të them se janë produkt i zotit Basha. Janë pjesë e strukturave drejtuese të mëparshme të PD, qoftë zoti Çollaku, qoftë zonja Çupi...Kanë punuar në Ministrinë e Brendshme; zoti Çollaku ka qenë përfaqësues në Ambasadën e Shqipërisë në SHBA si Sekretar i kësaj ambasade, zoti Mziu i zgjedhur lokal disa herë si kryetara bashkie në Kamzë. Pra janë rrjedhim i natyrshëm i zhvillimeve dhe kontributeve të tyre në PD.  Por gjithsesi, mospjesëmarrja e tyre nuk i lehtëson aspak ata dhe koha do ta tregojë se ata dje kanë krijuar një hendek mes përfaqësimit dhe atyre që i kanë zgjedhur atje ku ata duhet të përçojnë shqetësimet e qytetarëve. Nuk do ta quaja me vend një gjë të tillë.

Nesër po të më thërrasë në një takim zoti Basha, unë do të shkoj prapë atje, do ta dëgjoj, do të ballafaqoj mendimet nëse do të bëhet një gjë e tillë. Por në të vërtetë në këto tetë vite, PD-së i ka munguar një sallë e tillë, një problematikë e tillë, ngritja e shqetësimeve të bazës së PD dhe në tetë vite PD vetëm ka përzgjedhur një kryetar e nuk ka bërë asnjë analizë. Kështu që mendoj se e vetmja shpresë e demokratëve , e ndoqët nga salla por e keni ndjekur edhe nga Foltoret e tjera në qarqe të tjera, demokratët të vetmet shpresë sot kanë zotin Berisha, pasi ai po rizgjon nervin e demokratëve, shqetësimet, po ngre problematikat që ka PD në demokracinë e brendshme dhe pastaj do të mbledhin dhe Kuvendin Kombëtar të PD me vendimet që tashmë janë prezantuar.

Dori: Si i komentoni ju deklaratat e zotit Berisha se “nuk është parti e Berishës, e Bashës, por sigurisht ju mund të thoni çfarëdo gjëje për mua ndërkohë… që jeni të lirë ta bëni këtë, por që është një parti e të gjithëve”?

Bedri Hoxha: Unë kam një eksperiencë të gjatë me zotin Berisha pothuajse për 20 vite dhe Berisha i tillë ka qenë edhe më përpara pavarësisht se e majta politike, ata që e sulmojnë mund ta paraqesin si autokrat. Jo, Berisha nuk është i tillë. Berisha të dëgjon, të pret, të merr në konsideratë mendimet dhe nuk merr kurrë vendime pa u konsultuar. Këtë cilësi të zotit Berisha unë e kam konstatuar në marrëdhëniet e mia të vazhdueshme për shkak të punës që kemi pasur dhe në Foltoren e Dibrës dje zoti Berisha shpaloi idetë e reja për mirëfunksionimin demokratik të PD, për zhvillimin e procedurave demokratike në zgjedhjet e kandidatëve për deputetë, për këshilltarë në pushtetin lokal e kështu me radhë. Kështu që kjo është rruga e  vetme që ne mund të na bashkojë , mund të na bëjë më të fortë për të ardhur në pushtet një orë e më parë, se sot qeverisja e vendit është në nivelet më të ulëta dhe varfëria sot është e tejskajshme.

Flavio: Zoti Hoxha, le ta ndryshojmë pak çështjen... Ka dalë një transkript nga mbledhja e Grupit parlamentar të PD ku Lulzim Basha , le të themi kishte një moment lëshimi nervash, fliste me një gjuhë me të cilën nuk jemi njohur më përpara dhe adresonte çështjen e origjinës së tij nga linja e mamasë si të shquar për lloje të tjera gjërash... Si do ta lexonit ju gjithë këtë  dhe në fund, komentin dhe kuptimin e përgjigjes së zotit Berisha?

Bedri Hoxha: Nuk është në nderin e zotit Basha jo vetëm kjo deklaratë por dhe disa deklarata të mëparshme në raport me bazën e partisë.  Nuk i shkojnë për shtat një lideri, një kandidati për kryeministër që nesër do të qeverisë vendin. Një kryetar partie që nuk arrin të krijojë marrëdhënie luajale, marrëdhënie respekti, vlerësimi dhe vlerash me bazën e partisë nuk është i besueshëm për qytetarët në tërësi për të qenë nesër Kryeministër i ardhshëm i vendit. Unë mendoj se Basha ka dështuar në këtë drejtim dhe rruga më e mirë do të ishte dorëheqja. Dorëheqja do ta lartësonte atë përsëri. Le të futet prapë në garë. Të japë dorëheqje, të futet në një garë sepse është Kryetari i partisë që ka shkelur të gjitha normat, rregullat dhe statusin e PD dhe në një parti politike sipas mendimit tim nuk ka pronar. Partia politike funksion si një shoqëri aksionere ku të gjithë anëtarët e partisë bashkë me kryetarin, në vendim mbizotëron  vota, një anëtar një vote dhe vendimet merren me shumicë. Koha tregoi që kryetari Basha të gjitha vendimet e mëdha në këto tetë vite i ka marrë sipas kokës së tij, sipas mendjes së tij dhe rezultati ka treguar që ai ka dështuar. Kur dështon duhet të largohesh.

Flavio: A kanë qenë këto një ngjarje e ngjashme, sidomos deklaratat e zotit Basha që e kanë “alienuar” bazën e PD si dhe eksponentët parlamentarë të qarkut të Dibrës që dje nuk ishin pranë strukturave që i kanë zgjedhur deputetë? A është kjo një pikë thyerjeje më shumë se Foltoret e tjera?

Bedir Hoxha: Unë jam një njohës i mirë i bazës së PD në qarkun e Dibrës dhe për shkak të eksperiencës sime të gjatë dhe marrëdhënieve të mira që kam me bazën e partisë e vazhdoj t’i kem, ju garantoj se mospjesëmarrja e tyre nuk ka krijuar asnjë çarje. Koha do të tregojë se strukturat e bazës së PD, kryetarët e grupseksioneve, seksioneve, anëtarësia është në mbështetje maksimale të zotit Berisha dhe të tezave që zoti Berisha ka hedhur në foltoret e zhvilluara nëpër qarqet e ndryshme të vendit. Mund t’ju them me shumë ekzaktësi se sot anëtarësia e delegatëve të Kongresit të Partisë Demokratike ka firmosur në masën 80%. Pra janë pro zhvillimit të një Kuvendi Kombëtar ku të merren vendime që janë bërë të ditura dhe parashtruar nga zoti Berisha. Kjo tregon që grupi i deputetëve është i shkëputur nga baza dhe nuk e njeh realitetin e ky është gabim i madh për mendimin tim që ata kanë bërë dje duke mos marrë pjesë. Por, unë gjykoj se në ditët e ardhshme ata do të reflektojnë dhe do të kenë reagime të tjera, sipas atyre sinjaleve që unë kam.

Flavio:  Atëherë le ta mbyllim me këto lloj lajmi, le të themi,  zoti Hoxha. Ju faleminderit shumë!/ar.sh/SYRI.NET

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

tirana20/10/2021 15:46

Nuk ka pike dyshimi se mungesa e tre deputeteve te partise demokratike te qarkut te Dibres ne " Foltoren " e doktorit , i ve dyshime te medha atyre per pjekurine dhe qasjen e tyre politike ne raport me problemet qe ka sot ne mjedisin e renduar politik te se djathtes ne teresi . E do s'e do Berishen , te pakten shko sa per sy e faqe te elektoratit qe te ka dhene voten ..?!

Shto koment

Denonco