VIDEO-SYRI TV/ BE po ndihmon familjet përballë krizës, Shqipëria i jep OSHEE-së 200 mln euro

VIDEO-SYRI TV/ BE po ndihmon familjet përballë krizës, Shqipëria i jep OSHEE-së 200 mln euro

15:41, 19/10/2021
A+ Aa A-

Bashkimi Europian ka filluar të marrë masat e para në ndihmë të familjeve përballë rritjes së çmimit të energjisë. Franca po shpërndan kupona prej 100 euro ndërsa Spanja ka ulur TVSH-në për të mos varfëruar familjet. Teksa BE ka prioritet familjet, qeveria shqiptare përballë një krize të mundshme, vendosi që të shpërndajë deri në 200 milion euro vetëm për OSHEE.

Nga SYRI TV

Në të gjithë botën ka nisur të ndihet kriza e rritjes së çmimeve për produktet më jetike. Kjo rritje çmimesh po sjell edhe pagesa më të larta të energjisë elektrike, teksa burimet janë të kufizuara.

BE paralajmëroi se miliona njerëz në Europë po vuajnë tanimë varfërinë prej energjisë, një fenomen përballë të cilit u kërkohet qeverive që të krijojnë paketa ndihme për familjet në mënyrë që të mos dëmtohen financiarisht.

Për aq kohë sa çmimet varen nga kërkesë oferta, qeveritë kanë në dorë përdorimin e instrumenteve të duhur për të mos lejuar që qytetarët te shpenzojnë më shumë dhe të shkojnë drejt varfërisë.

Një krizë energjie që mund të përfshijë edhe vendin tonë u lajmërua edhe nga kryeministri Rama javë më parë. Në daljen e jashtëzakonshme për mediat kreu i ekzekutivit tha se përballë panikut qeveria do të shpërndajë likuididet prej 200 milion eurosh në adresë të operatorit të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të garantojë se vendi nuk do të ketë mungesë rryme elektrike.

Por asnjë fjalë nuk u tha për një ndihmë specifike për familjet nëse do të përballemi me një krizë energjie.

Ndërkohë që në vendet e Bashkimit Europian qeveritë e kanë filluar planin e masave përkundrejt qytetarëve, Shqipëria do të zbatojë planin me ndihme për OSHEE.

Franca ka vendosur të kufizojë çmimet e energjisë elektrike dhe gazit deri në prill dhe do të lëshojë kupona energjie prej 100 euro për 6 milionë familje veçanërisht në nevojë.

Ndërsa Spanja ka ulur përkohësisht TVSH-në për energjinë elektrike. Konfederata Sindikale Europiane shprehu që në shtator frikën që më shumë se 2.7 milionë njerëz në Europë, nuk do të ishin në gjendje të ngrohnin si duhet shtëpitë e tyre, edhe pse ishin në marrëdhënie pune, për këtë arsye duhet të merren masa në adresë të familjeve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco