'Zajednica' e shtyn Kurtin drejt kompromisit me Serbinë ose rënies së qeverisë

'Zajednica' e shtyn Kurtin drejt kompromisit me Serbinë ose rënies së qeverisë

13:48, 19/10/2021 Nga A.ZH
A+ Aa A-

Nga Albionë Zhitia

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe që nga viti 2013 vazhdon të jetë temë debati në Kosovë e Serbi.

Së fundmi, më të madhe Lista Serbe në Kosovë po kërkon që themelohet ky Asociacion, për me tepër po japin dhe ultimatume ndaj Qeverisë Kurti 2.

Është vet Goran Rakiq që mban postin e ministrit për Komunitet dhe Kthim, që i çoi selam kryeministrit Albin Kurti për këtë temë, duke e ‘kërcënuar’ me largim nga qeveria, në rast që deri në fund të vitit nuk themelohet Asociacioni – shkruan Syri.net Kosova.

Në anën tjetër, Kosova nuk ka nga t’i ikë kësaj teme, as në tavolinën e dialogut në Bruksel pa diskutuar me Serbinë. Madje, është përfaqësuesi nga Beogradi, Petar Petkoviç, që ka thënë se kjo çështje do të trajtohet në takimin e parë me Prishtinën.

Por, a pritet që Kurti t’i nënshtrohet presionit të Listës serbe dhe të pranoj implementimin e kësaj pike? Sipas analistëve, kërcënimet e Rakiqit nuk pinë ujë, pasi, nuk kanë rol të madh në qeveri dhe si e tillë nuk prish stabilitetin e funksionimit të ekzekutivit.

Nexhmedin Spahiu ka folur me Syri.net Kosova, ku ka potencuar se presioni në çështjet madhore ndaj politikanëve është gjithmonë i pranishëm, aq më shumë nëse dëshiron të drejtosh shtet.

Spahiu ka shtuar se Kurti në asnjë moment nuk duhet t’i nënshtrohet Listës Serbe dhe se nuk duhet të lë anash që me themelimin e Zajednicës, duhet Kosova të marr si këmbim njohjen nga Serbia.

Nuk do të duhet të kishte nënshtrim të Kurti përball Listës Serbe sepse rikthimi i Zajednicës duhet të vijë me njohjen nga Serbia. Nuk guxojmë të krijohet Zajednica para se me marr njohjen, e çështja e kompetencave të Asociacionit është objekt diskutimi në Bruksel. Kjo do të thotë që në çdo marrëveshje duhet të thuhet se Zajednica hyn në fuqi ditën kur Serbia njeh pavarësinë e Kosovës. Ndryshe, nëse jepet kjo, atëherë Serbia do të kërkojë diçka tjetër e nuk do jap asgjë” tha Spahiu për Syri.net Kosova.

As Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” nuk mendon se kryeministri kosovar do të pranojë të bie pre e ‘kërcënimeve’ të Beogradit, që në Prishtinë thuhen nga Rakiqi.

Demhasaj vë theksin e presionit ndaj Kurtit më shumë nga ana e ndërkombëtarëve, e që këtu mund të kemi një ndryshim qëndrimesh të kryeministrit nga e kaluara.

Nuk besoj që qeveria aktuale ka tendenca t’i nënshtrohet një partie që nuk varet stabiliteti i qeverisë, duke qenë se ka numra mjaftueshëm ta mbajë vet andaj s’ka pse t’i nënshtrohet presionit të Listës serbe për krijimin e Asociacionit me komunat serbe. Por, pyetja është se a do të mund t’i rezistojë presioneve ndërkombëtare qoftë nga Brukseli apo Uashingtoni, këtu kam dyshime. Rezistenca nga faktori ndërkombëtare do të ia vështirësojë Kurtit punët. Pasi kjo do të jetë edhe tema  e radhës në dialog. Mbetet të shihet nëse Kurti do t’i mbaj premtimet që i ka dhënë sa ishte në opozitë në lidhje me këtë çështje” shprehet Demhasaj.

Tutje, analisti Demhasaj thotë se i pari i qeverisë ka vetëm dy zgjedhje për t’i bërë rreth temës së Asociacionit, veç se njërën vështirë beson që do ta zgjedhë Kurti.

Kurti në këtë pikë do t’i ketë vetëm dy zgjedhje: të pranoj presionin ndërkombëtar duke u ulur për të bërë kompromisi për Asociacion ose të tërhiqet nga qeveria sikur herën e parë sepse ndryshe zgjedhje nuk ka. Ne e kemi parë në Kurti1 që ishte presioni ndërkombëtar që ftonte të uleshin në dialog dhe nuk e bëri andaj dhe iku, e këtë e pranoi edhe ish ambasadori amerikan që ishte deri para pak kohe, se ka pasur kërkesa nga ta për të dialoguar me Serbinë për këtë temë. Por që nuk besoj që tani Kurti do të ik nga qeveria por do të mundohet që të gjejë një kompromis me faktorin ndërkombëtar dhe atë marrëveshja ta prezantoi para opinionit si dicka shumë e mirë për vendin, sikur Thaçi që bënte dikur” përfundon Arton Demhasaj për Syri.net Kosova.

Në anën tjetë,r Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sërish ka nxitur përplasje mes subjekteve politike, në këtë rast LDK-së dhe LVV-së.

Lidhur me këtë çështje, LDK u shpreh se frikësohet që Qeveria e Kosovës mund të pranojë themelimin e asociacionit, sidomos pas marrëveshjes për targat dhe kërkesave të vazhdueshme nga BE-ja dhe Serbia për implementimin e marrëveshjes së vitit 2015.

 “Kjo qeveri po bënë hapa prapa sepse thoshte se marrëveshjet e kaluara nuk janë të mira, do t’i rishqyrtonte, tash po i realizon dhe madje po bënë hapa prapa. Unë kam drojë se me këtë lloj qeverie të papërgjegjshme dhe pa zonjë në punët e jashtme mund të rrezikojmë një asociacion me fuqi ekzekutive. Gjithsesi është i pa pranueshëm dhe cenon rregullimin kushtetues të Kosovës dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, është shprehur anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti.

E pas kësaj deklarate ka reaguar deputeti i LVV-së, njëherit edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashmte, Haki Abazi.

Abazi tha se kjo deklaratë vjen pikërisht nga ata që e kanë nënshkruar Asociacionin, dhe se është politikisht e pandershme që gabimet e tyre në të kaluarën të përdoren sot në fushatë elektorale.

Është politikisht e pandershme që gabimet e tyre në të kaluarën të përdoren sot në fushatë elektorale. Po të njëjtit që kanë nënshkruar marrëveshje joevropiane për komandantin serb të policisë në veriun e Kosovës, nënshkruesit e fusnotës dhe ata që dobësuan fuqinë e Kosovës në dialogun me Serbinë, sot për qëllime të ulëta politike të tentojnë të shpërndajnë lajme të rrejshme kundër qeverisë për të krijuar konfuzion dhe për të zbehur arritjen në rastin e targave”, ka shkruar Abazi.

Deklarata e Abazit, bëri që ish-kryetari i LDK-së dhe ish-kryeministri, Isa Mustafa, të reagojë përmes një postimi të gjatë në Facebook.

Mustafa u shpreh se në kohën kur u nënshkrua marrëveshja e parë për Asociacionin, ai nuk ishte kryeministër.

“Në kohën kur është nënshkruar Marrëveshja e Parë në Bruksel dhe është ratifikuar në Kuvend në Prishtinë, (e cila ka sanksionuar themelimin e Asociacionit), Isa Mustafa nuk ka qenë Kryeministër i Kosovës. Prandaj rrjedhimisht dezinformojnë dhe gënjejnë të gjithë ata që ma përshkruajnë mua Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit”, ka deklaruar Mustafa.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe apo 'Zajednica' (Bashkësia e Komunave me shumicë serbe) është paraparë me marrëveshjen e Brukselit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vitit 2013. Asociacioni i Komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë, ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë. Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

/SYRI.net Kosova

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco