Përse Rama ju ka shpallur luftë të egër mediave online, duke i krahasuar me nazistët?!

Përse Rama ju ka shpallur luftë të egër mediave online, duke i krahasuar me nazistët?!

12:56, 19/10/2021
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama në konferencën e organizuar nga OSBE-së për Europën Juglindore, “Gazetaria në kohë krizash”, ka sulmuar ashpër mediat online në vendin tonë duke i krahasuar edhe me nazistët. Sipas Ramës këto media (portalet dhe rrjetet sociale) mund të shkaktojë dëme në të njëjtën mënyrë si propaganda naziste. Nga ana tjetër pjesëmarrës kritikë të qevrisë në këtë konferencë e kanë akuzuar Ramën se me këto sulme ai kërkon që të të justifikojë përpjekjet për të frenuar liritë e mediave. 

“Media online në Shqipëri është po aq e dëmshme sa propaganda naziste, pedofilia dhe terrorizmi”, deklaroi Rama edhe në sy të ndërkombëtarëve që organizonin këtë aktivitet. “Kur përpiqesh të parafytyrosh për shembull, se çfarë do t’i kishte bërë makineria propagandistike naziste botës me këtë liri është tronditëse. Apo edhe pa u përpjekur të imagjinoni fare, përpiquni të vlerësoni se çfarë dëmi po shkaktohet në jetën e përditshme nga burimet e së keqes në këtë botë nga terrorizmi, të gjitha llojet e fondamentalizmave, deri të pedofilia e të gjitha sëmundjet e shoqërisë moderne, që përmes lirisë së përhapjes  mund të prekin shumë qenie njerëzore, grupe në nevojë dhe pjesë të dobëta të organizmit të shoqërive tona”, tha tekstualisht kryeminstri.

Por Gjergj Erebara, gazetar i Rrjetit Ballkanit të Gazetarisë Investigative BIRN Albania, u kundërpërgjigj duke deklaruar se këtë këndvështrim të kryeminstrit e sheh si një mbulojë dhe justifikim për të mbrojtur deri në fund paketën anti-shpifje të vitit 2018 (e konsideruar si ‘luftë’ ndaj medias online), e cilas është kundërshtuar nga çdo shoqatë mediatike dhe që gjithashtu nuk u mbështet nga asnjë institucion ndërkombëtar brenda dhe jashtë vendit.

“Deklarata e Ramës ishte një përpjekje e sforcuar dhe jo shumë bindëse për të përsëritur se ai vetë beson fort se liria është e tepërt dhe se ai ka largpamësinë e duhur se si zgjidhen abuzimet me lirinë e shprehjes por që të gjithë ne të tjerët, e keqkuptojmë atë si aspirant për diktator ndërkohë që ai ka synime të mira, si për shembull, të na mbrojë nga nazizmi apo të mbrojë fëmijët nga pedofilia”, deklaroi Erebara për Deutsche Welle.

Megjithatë, përpjekjet dhe ligjet për të censuruar median nuk janë problemi i vetëm sipas Erebarës. “Rama ka demonstruar gjatë të gjithë karrierës së tij politike dëshirën për të pasur nën kontroll çdo lloj medieje. Gazetarët që kanë pak kujtesë e dinë dhe janë dëshmitarë se modeli i tij i korruptimit të medias me akses në vendimmarrjen publike është faktori kryesor që ka sjellë degradimin e vazhdueshëm të medias në Shqipëri gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit”. Duke u ndalur tek Agjencia për Media dhe Informim e krijuar së fundmi në Shqipëri, Erebara thotë se “kjo strukturë është formalizim i asaj që qeveria ka bërë deri tani në mënyrë të paligjshme”.

Kurse Dorian Matlija i cili punon prej 17 vitesh si avokat në Shqipëri dhe gjatë 11 viteve të fundit përmes organizatës Res Publica, ai ka përfaqësuar ligjërisht gazetarët në gjykata deklaron për DW se janë shtuar shumë rastet në Shqipëri kur gazetarët paditen për shpifje. “Janë dy dukuri të reja të shfaqura kohët e fundit: së pari, paditë SLAPP (strategic litigation against public participation), të cilat janë padi që nuk synojnë detyrimisht të fitohen kundër gazetarëve, por kanë qëllim t’i konsumojnë atyre kohën dhe burimet e tjera dhe të dekurajojnë gazetarët e tjerë për të bërë shkrime kritike ndaj politikaneve apo bizneseve të fuqishme. Së dyti, fushatat shpifëse, të cilat janë një tërësi shkrimesh nga një ose më shumë media të tjera, që për interesa jomediatike synojnë të dëmtojnë reputacionin e një gazetari dhe besueshmërinë e tij në publik. Çështjet penale ndaj gazetarëve në kohët e sotme janë shumë më të pakta se në të kaluarën. Pra, jemi duke vënë re një sofistikim të luftës, duke përdorur mjete më pak brutale në dukje, por më të dëmshme në nxitjen e vetëcensurës”, deklaron ai për DW.

Sipas Matlisë, në përgjithësi gjykatat kanë qenë pozitive ndaj gazetarëve, por nuk kanë munguar edhe ndërhyrjet e politikës në vendimmarrje. “Në raste specifike, gjyqtarët kanë marrë edhe vendime të pafavorshme për shkak të gravitetit politik apo ekonomik të subjekteve të posaçme, si për shembull rasti i padive te Kryeministrit Edi Rama, të cilat në një masë të madhe janë pranuar përmes vendimeve të diskutueshme, sipas pikëpamjes time si profesionist”, ka shtuar avokati.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

t19/10/2021 15:00

Propagande ben qeveria,kurse portalet,ato qe jane opozite me qeverite,sigurisht jane te rrrzikshme, po per qeverine, jo per popullin

Shto koment

Denonco