VIDEO/ Miliarda të tjera për Unazën e Tiranës, ARRSH: 10 mln euro për plotësim punimesh

VIDEO/ Miliarda të tjera për Unazën e Tiranës, ARRSH: 10 mln euro për plotësim punimesh

14:25, 16/10/2021
A+ Aa A-

Unaza e Madhe vijon të përthithë të tjera miliona nga buxheti i shtetit pavarësisht kritikave nga ekspertet se kostoja financiare e këtij projekti është tepër e madhe. Një tjetër tender për 10 milionë euro pritet të jepet në muajin nëntor për plotësim punimesh në Lotin 2. Ndërkohë pak ditë me parë u mbyllën tenderat prej 100 milionë eurosh për 6 lote në pjesën lindore të Unazës.

Nga SYRI TV.

Unaza e Madhe e Tiranës po shndërrohet në një gropë të fuqishme thithëse për miliardat e buxhetit të shtetit. Pak ditë më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar mbylli procedurat për 6 lote të pjesë lindore të Unazës, me vlerë totale rreth 130 miliardë lekë të vjetra, afërisht 100 milionë euro. Por, kjo shifër gjigante nuk duket se ka qenë e mjaftueshme për të mbyllur punimet, të cilat kanë sjellë kaos në trafikun e kryeqytetit dhe rritje marramendëse të shpenzimet buxhetore.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka planifikuar që të shpenzojë mbi 10 miliardë lekë të vjetra pa TVSH, ose mbi 9 milionë euro bashkë me TVSH, për plotësim punimesh. Në Regjistrin e Parashikimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik është shpallur njoftimi për tenderin me objekt “Plotësimi i punimeve dhe rrugët lidhëse në Unazën Lindore, Loti 2”, me fond limit 10.8 miliardë lekë të vjetra.

Njoftimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar mban datën 10 Tetor 2021 dhe tenderi është planifikuar të zhvilluar në muajin Nëntor të këtij viti. Ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës është shoqëruar me kritika të shumta dhe me dyshime për abuzime financiare. Këto dyshime kanë nisur që me projektin për ndërtimin e aksit nga Pallati me Shigjeta deri tek shesh-rrotullimi “Shqiponja”, në fund të vitit 2018. Ai tender, i fituar përfundimisht nga kompania “Salillari”, parashikonte që kostoja e ndërtimit të rrugës të drejtë dhe pa pengesa të ishte 20 milionë euro për kilometër.

Me gjithë reagimet e shumta, qeveria “Rama” nuk u tërhoq nga ky projekt i florinjtë.  Për më tepër, kostoja 20 milionë euro për kilometër u përsërit edhe në ndërtimin e një pjese të Lotit 2 të Unazës Lindore.

Në gusht të këtij viti, “Syri TV” raportoi se Autoriteti Rrugor Shqiptar kishte vendosur të shpenzojë rreth 60 milionë euro për 3 kilometra në Unazën e Madhe, në tre procedura të ndryshme. 

Sipas të dhënave zyrtare, për aksin nga ish-rrotullimi i Shqiponjës deri tek Bulevardi i ri, pranë ish-stacionit të Trenit, janë parashikuar këto shpenzime;

1. Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja - Bulevardi i Ri, Loti 2”, me fond limit 2.486 miliardë lekë të reja

2. Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja - Bulevardi i ri - Shkozë, Urat mbi lumin Tirana, me fond limit 2.6 miliardë lekë të reja, si edhe

3. Plotësimi rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja - Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT, me fond limit 2,375 miliardë lekë të reja.

Ekspertë ndërtimi dhe kritikë të qeverisë e kanë konsideruar me të drejtë projektin e Unazës së Re si “rruga e florinjtë”, për shkak të kostove tepër të larta, duke mbajtur në konsideratë se terreni i punimeve është fushor dhe nuk ka pengesa të rëndësishme natyrore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco