Kur Gjermania kishte ministër të Jashtëm...

Kur Gjermania kishte ministër të Jashtëm...

20:40, 13/10/2021
A+ Aa A-

Nga Enver Robelli

Në shkurt të vitit 2018 ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel vizitoi Mitrovicën. Me atë rast ai tha se "duhet të luftohet dominimi i krimit të organizuar në Kosovën veriore të banuar kryesisht nga serbët".

Pak javë para se Gabriel të vizitonte Mitrovicën, "persona të panjohur" vranë politikanin Oliver Ivanoviq. Gabriel tha: "Këtu kemi një situatë ku administrata publike nuk funksionon dhe krimi i organizuar e ka marrë pushtetin. Ata nuk ngurrojnë të vrasin njerëz dhe bashkësia ndërkombëtare këtë nuk mund ta tolerojë më".

Gati 4 vjet kanë kaluar nga kjo deklaratë e Sigmar Gabrielit. Që nga marsi i vitit 2018 ministër i jashtëm i Gjermanisë është Heiko Maas, i cili më shumë i ngjan një manekeni për reklamim të kostumeve të ngushta se sa një politikani serioz. Gjendja në veri nuk ka ndryshuar. Siç nuk ka ndryshuar as gjuha kundërthënëse, dualiste e burokratëve të Brukselit me apelet e tyre cinike "që të dy palët të ndalin tensionet".

Përkëdhelja dhe tolerimi shumëvjeçar i krimit të organizuar (jo vetëm në veri) paraqet kërcënim për shtetin dhe shoqërinë e Kosovës. Fakti që "bashkësia ndërkombëtare" nuk arriti të kap as vrasësit e një polici lituanez të EULEX-it tregon se BE, NATO dhe shtetet kryesore perëndimore janë dorëzuar para bandave. Për vrasjen e policit kosovar nuk flet askush nga "bashkësia ndërkombëtare".

Një bombë me sahat, herët apo vonë shpërthen. Dhe Josep Borrell mund të recitojë mesazhet e tij gjoja deeskaluese orë e çast, por çka kërkohet është një përgjigje ndaj problemit ekzistues (jo vetëm në veri): aui problem ka të bëjë me krimin e organizuar, kontrabandën e veprime të tjera të paligjshme.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco