Basha etiketon bazën e PD si 'llum', Flamur Noka: Lulzim Basha të dorëhiqet!

Basha etiketon bazën e PD si 'llum', Flamur Noka: Lulzim Basha të dorëhiqet!

20:03, 11/10/2021
A+ Aa A-

Lulzim Basha ka dalë me një qëndrim të paprecedentë ndaj bazës së Partisë Demokratike, që e akuzon për lidershipin e ndjekur këto 8 vite.

Pasi deputeti Flamur Noka e akuzoi se po i bën presion anëtarëve të PD që të mos firmosin peticionin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, Basha iu kundërpërgjigj se akuzat ndaj tij po bëhen nga llumi i qeverisjes demokratike.

Në mbledhjen e Kryesisë nuk munguan debatet edhe mes Lulzim Bashës dhe Oerd Bylykbashi, për zgjatjen e mandateve për anëtarët e  komisioneve të vetingut.

Në mbledhjen e kryesisë së grupit të Partisë Demokratike nuk kanë munguar  debatet mes kreut aktual të selisë blu, Lulzim Basha dhe deputetëve demokrat. Mbledhjen e ka tensionuar një deklaratë e paprecedentë  e Lulzim  Bashës, i cili i ka fyer anëtarët demokrat. 

“Dëgjoj akuza ordinere që po i bëj presione bazës. Qeverisja 8 vjeçare e PD ka pasur pjesën e vet të mirë dhe ka pasur edhe llumin”, ka thënë Basha.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit demokrat Flamur Noka, i cili ka hedhur poshtë këtë deklaratë të Bashës.

“PD nuk ka pasur llum në qeveri. Ka qenë qeverisja më e suksesshme e demokracisë. Ti ke qenë më shumë se kushdo në qeveri dhe po i thua vetes. Unë kam emrat qe ti i ke telefonuar dhe u ke bërë presion mos të firmosin. Po do t’i them këtu. Është e rëndë për një parti demokratike, që kryetari të ushtrojë presion. Është fundi i demokracisë”, ka thënë Noka.

Edhe në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar këtë të hënë, deputeti Flamur Noka duke iu referuar deklaratës fyese të Lulzim Bashës, kërkoi që ai të japë dorëheqjen.

Pas zbardhjes së debatit në mbledhjen e kryesisë nga deputeti Flamur Noka, ku Basha e cilësoi kritikët si llum i qeverisjes së PD, ka reaguar edhe selia blu. Nëpërmjet vartësve në zyrën e shtypit, Basha ka shpërndarë në mënyrë selektive për mediat një njoftim për të sqaruar deklaratën e tij.

E në këtë njoftim të shpërndarë vetëm për disa media dhe jo për të gjitha, si në çdo praktikë në të shkuarën, Basha sqaron të ketë thënë se “Fjala llum është përdorur për ata të cilët në qeverisjen e PD kanë mbushur xhepat me paratë e korrupsionit dhe sot duan të përdorin anëtarësinë e PD për interesat e tyre personalë dhe të pushtetit të Ramës”.

Por në mbledhjen e kryesisë, e cila zgjati për rreth 2 orë, vëmendje mori edhe zgjatja e mandatit të anëtarëve të komisioneve të vetingut, kërkesë kjo e artikuluar nga Partia Socialiste. Referuar postimit të tij për këtë çështje, kreu aktual i PD-së e pyeti deputetin demokrat Oerd Bylykbashi nëse ka ndonjë ofertë për mandatet e organeve të reja të drejtësisë dhe nëse është në dijeni që dikush brenda partisë ka marrë një propozim nga socialistët për shkëmbim.

Pas kësaj pyetje, deputeti Bylykbashi sqaroi edhe njëherë qëndrimin e tij për këtë çështje.

“Ato lloj insinuatash tërhiqi kryetar. Unë po përsërisja një qëndrim që ta kam thënë në grup parlamentar, para dy javësh. Unë e kisha për Ramën atë postim. Qëndrimi im është në parim.  Duhet të ishte këtu kryetari i grupit i ngarkuar për vetingun, i cili më ka kontaktuar mua ditën e enjte dhe i kam thënë kujdes se nuk është interesi ynë. Rama e di shumë mirë çfarë do, se e thotë në publik. Unë ka thënë Rama ofron pazar, nuk kam thënë që ka marrëveshje PD. Unë ta kam thënë në grup, ne na duhet sistemi zgjedhor, reforma zgjedhore, reforma territoriale dhe pastaj vetingu. Unë e kam thënë publikisht, ne na duhet një strategji për të gjitha reformat. Bateritë e partisë u turren ndaj meje,  është një reagim i ulët nga Partia Demokratike ndaj meje”, tha Bylykbashi.

Sa i takon skadimit të  mandatit të organeve të vetingut, Lulzim Basha ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do ta votojë propozimin e Partisë Socialiste, i cili kërkon 94 vota.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Fatmir Lohja11/10/2021 20:48

Nje shprehje e veter thite:Kur ikin loqer vine lloqet!”kur ha suoe e byrek,eshte e sigurte qe shenjay do te shfaqen.

Shto koment

Denonco