VIDEO- SYRI TV/ Sadri Abazi merr 20 mln euro për Unazën e Madhe

VIDEO- SYRI TV/ Sadri Abazi merr 20 mln euro për Unazën e Madhe

13:53, 09/10/2021
A+ Aa A-

“Alko Impeks General Construction” dhe “2T” janë fitues për ndërtimin e Lotit 7 të Unazës së Madhe. Edhe pse në garë morën pjesë edhe 5 operatorë të tjerë, ato u skualifikuan dhe tenderi 20 milionë euro u fitua nga kompania e familjarëve të ish-deputetit socialist Sadri Abazi

SYRI TV

Kompania e lidhur me ish-deputetin socialist, Sadri Abazi, fitoi tenderin rreth 20 milionë euro për ndërtimin e Lotit 7 të Unazës së Tiranës, në një garë ku të gjithë konkurentët e tjerë u skualifikuan.

Autoriteti Rrugor Shqiptar publikoi pasditen e së premtes rezultatet e tenderit për ndërtimin e aksit rrugor që kalon në periferinë lindore të kryeqytetit, me fond limit 2.3 miliardë lekë të reja pa TVSH. Sipas të dhënave zyrtare, fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “Alko Impeks General Construction” dhe “2T” shpk.

Në garë morën pjesë edhe 5 operatorë të tjerë ekonomikë, të cilët u skualifikuan të gjithë, duke ngritur flamurin e kuq mbi këtë tender gjigant.

Kompanitë fituese të tenderit për ndërtimin e Lotit 7 të Unazës së Madhe kanë lidhje direkte apo indirekte me qeverinë dhe shumicën parlamentare të Edi Ramës.

Kompania “Alko Impeks General Construction” është degë e një shoqërie të regjistruar në Kosovë, nën administrimin e Arbër Abazi, nipi i ish-deputetit socialist, Sadri Abazi. Kompania me seli në Kosovë është pjesë e konsorciumit “Alko Impeks”, të themeluar nga ish-parlamentari Abazi në Shqipëri dhe që tashmë administrohet nga familjarë të afërt të tij.

Ndërsa fituesi tjetër, kompania “2T” ka si pronar me 50 përqind të aksioneve biznesmenin Artan Sako, vëllain e Komandantit të Gardës së Republikës, Gramoz Sako. Vite më parë, opozita ka ngritur dyshime se kompania “2T” ka favorizuar bashkëshorten e kryeministrit, Linda Ramën, duke i ndërtuar familjarëve të saj një godinë 5-katëshe në zonën e ish-Kinostudios, në Tiranë.

Bashkimi i operatorëve fitues së tenderit për ndërtimin e Lotit 7 të Unazës së Madhe të Tiranës kanë ofruar ofertën e katërt më të lartë. Megjithatë, ato u shpallën të suksesshëm, pasi të gjithë konkurrentët e tyre u eliminuan nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Ndërtimi i Unazës së Madhe të kryeqytetit është shoqëruar me dyshime të shumta për fatura të fryra financiare, si edhe për klientelizëm qeveritar në shpërndarjen e tenderave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco