Fëmijët që u rritën në biznesin Rama & Tahiri dhe sot po vrasin policë

Fëmijët që u rritën në biznesin Rama & Tahiri dhe sot po vrasin policë

10:57, 01/10/2021
A+ Aa A-

Djaloshi 21-vjeçar, Aldi Rama, i cili vrau me gjakftohtësi një oficer policie dhe më pas qëlloi edhe vetveten, ishte adoleshent kur organizata Habilaj dhe 2 shoqëruesit e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ngarkonin skafe me drogë.

Ishte një fëmijë simpatik me flokët të qethur sipas modës, i cili në atë kohë ra edhe në sy të ustallarëve, që përpunojnë propagandën e Edi Ramës.

E rrëmbyen për ta çuar në krah të kryeministrit, i cili bëri gallatë me flokët dhe veshët e tij dhe pasi mbaruan punë, e flakën.

Por ku, në duart e kujt e lanë?

Ishin vitet 2015-2016, kur Rama me Tahirin e shndërruan me plan dhe ndërgjegje të plotë Shqipërinë, në një narko-shtet brutal.

Fëmijët e atyre viteve, e sidomos ata nga familje të shkatërruara ekonomikisht, panë dhe u bënë dëshmitarë, se si në shtetin e Ramës mund të bëhesh i pasur brenda natës.

Mjafton që të punoje me drogën, të synoje të bëheshe si Habilajt e të tjerë që mbroheshin nga ministri i Brendshëm, e si ata që bashkëpunonin me politikanë, deputetë qeveritarë e vetë shefat e mëdhenj të policisë.

Të pasur, por edhe të paprekshëm!

Në këtë kontekst u rrit dhe iu fut rrugës së drogës dhe krimit, Aldi Rama, deri ditën që theu arrestin e shtëpisë dhe vrau nën-komisarin Saimir Hoxha në një zonë të mbjellë sërish kanabis dhe të shndërruar në qendër të kapove me emër të krimit.

“Bëj me dije se qeveria vendosi mbështetje financiare të konsderueshme për familjen. Me të hyrë në fuq ligji për fëmijët nën kujdesin e Republikës, fëmijët e të ndjerit marrin 170 për qind të pagës deri sa të arrijnë moshën madhore. Përgjegjësia e shtetit është që fëmijët e dëshmorëve të mos mbeten vetëm”, tha Rama në ceremoninë e dëshmorit që mund të mos ishte i tillë dhe iku.

Po pse duhej të bëhej dëshmor oficeri i policisë Hoxha dhe pse të rriten jetim nën kujdesin e shtetit të Ramës, dy fëmijët e tij të vegjël?!

Shihni si lidhen gjërat.

Fëmija Aldi Rama që u rrit në narko-shtetin e ndërtuar nga Rama e Tahiri, lë jetim fëmijët e nën-komisarit të policisë që u la “mish për top” nga shteti dhe shefat e tij, të cilët bashkëpunojnë me shefat e të riut vrasës.

Por lidhjet nuk mbarojnë këtu, sepse e gjitha është skemë shumëvjeçare.

Në të njëjtën ditë që Saimir Hoxha u ekzekuta, Gjykata e Lartë e ktheu çështjen e Saimir Tahirit në Apelin e GJKKO. Tashmë Tahiri do të rigjykohet nga Shkalla e Dytë, e cila do të marrë një vendim përfundimtar.

Ish-ministri i Ramës në kohën e kanabizimit dhe trafikut më të madh të organizuar të drogës që ka parë Europa, ishte dënuar me vendim të formës së prerë me tre vite provë për “shpërdorim detyre”.

Çfarë “shpërdoroi” Saimir Tahiri gjatë viteve kur drejtoi rendin në Shqipëri?

Dosja e kanabizimit të vendit, 2014-2017, ende nuk është hetuar. Kush është përgjegjës për bashkëpunimin e vërtetuar të mbi 130 drejtuesve të policisë që bashkëpunuan me kultivuesit dhe trafikantët?

“Shpërdorimi i detyrës” për ish-ministrin Tahiri në atë kohë, ka të bëjë pikërisht me këtë; përgjegjësinë dhe rolin e tij në maskaradën 5-vjeçare që u luajt me drogën në Shqipëri dhe shërbeu, për zgjedhjet e vitit 2017 e më pas për ato të vitit 2021, me linjat dhe organizatat që vazhdojnë të punojnë njësoj.

Nëse SPAK do të hetojë ndonjëherë këtë dosje, gjithçka do të duhej të niste me rolin e ministrit të Brendshëm e më pas të kryeministrit.

Jo thjesht për ndihmën dhe aksesin që ju dha Habilajve siç e sfumoi prokuroria, por në gjithë planin madhor ekonomik-politik dhe qeverisës në lidhje me lënien e vendit në dorën e krimit të organizuar.

Kjo është arsyeja, pse çështja Tahiri duhet mbyllur njëherë e mirë. Sepse është litari më i trashë, që do t'i mbetet jashtë gjithë jetën Edi Ramës.

Sepse kanabizimi i organizuar i vendit, sot po korr larje hesapesh mes krimit duke lënë dhjetëra të vrarë.

Ka shkatërruar e deformuar ekonominë e vendit; ka blerë dhe vënë nën këmbë policinë dhe shumicën e sistemit të drejtësisë.

Dhe mbi të gjitha, ka prodhuar makinerinë e blerjes dhe tjetërsimit të votës dhe garantimin e mandatit të katër e të pestë, të organizatës Rilindja.

Për të prerë këtë litar kriminal të kanabisimit dhe shndërrimit te vendit në bazë ndërkombëtare të drogave të forta, që i varet nëpër këmbë, kryeministrit, u fut në lojë Gjykata e Lartë e cila në mënyrë absurde e riktheu në Gjykatën e Apelit dhe jo në atë të shkallës së parë, çështjen “Tahiri”.

U përdorën gjyqtarë si Ilir Panda e Sokol Sadushi që mbahen nën presion me vettingun, për të realizuar jo shpëtimin e Tahirit, por të vetë Edi Ramës.

Në të njëjtën ditë që kryeministri dhe Tahiri arritën fitoren e radhës drejt mbylljes së dosjes së kanabisimit të vendit, Aldi Rama, i cili mbronte parcelat e kanabisit në Kuin-Vain, vrau pa mëshirë një oficer policie.

Po atë ditë Saimir Tahiri merr guximin dhe shkruan një shënim të shkurtër në faqen e tij në FB për këtë ngjarje të rëndë, e cila ishte ngjizur që kur ai ishte ministër i Brendshëm dhe Rama e përdorte për propagandë dite, fëmijën që do shkrehte pas 5 vitesh armën.

“Prehu në paqe miku im i panjohur. Pagove me jetë, shpirtin e vrarë të shumë të tjerëve! Yll në Murin e Kujtesës, e në ndërgjegjen tonë gjithashtu”, shkroi ai.

Ylli i nën-komisarit të vuajtur e të përndjekur Saimir Hoxha që e vërtisnin nëpër zona të thella për një gradë, do të vendoset te Muri i Kujtesës ku janë edhe 224 dëshmorë të tjerë të policisë.

Por pse i thotë që qëndron “në ndërgjegjen e tonë?!

Në ndërgjegje e tij dhe të Edi Ramës?!

Çfarë e trazon ndërgjegjen e ministrit që pranoi rolin e zbatuesit në terren të planit për kanabisimin e vendit, i cili sot po mbjell kufoma, luftëra mes bandave, ka deformuar dhe shkatërruar trupën e policisë dhe mbi të gjitha rininë e vendit?!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco