Në mbështetje të mbrojtjes së Qendrës Kulturore Dea në Ksamil

Në mbështetje të mbrojtjes së Qendrës Kulturore Dea në Ksamil

15:02, 26/09/2021
A+ Aa A-

Po ndjek me pikëllim dhe me shqetësim prej qytetari dhe njeriu të kulturës atë që po ndodh me Qendrën Kulturore DEA në Ksamil!

Qendra Kulturoe DEA është një KËSHTJELLË E KULTURËS SHQIPTARE e ngritur me gurët shqiptarë të talentit, patriotizmit, mundimit, sakrificës, vuajtjes, përkushtimit, dhe privimeve personale e familjare. Është ngritur me shpenzime bazike që i duhen familjes dhe që janë vënë në atë KËSHTJELLË e cila gjëndet pranë monumentit tonë arkeologjik më të madh në Rajon: Butrintit dhe ballë për përballë me Greqinë.

Kështjellat janë kështjella dhe nuk merren aq lehtë. Kështjellat tona nuk i ka marrë dot armiku ndonjëherë as me topa as me ushtri…por, fatkeqësisht, kur i ka marrë, i ka marrë me tradhëti, duke iu helmuar ujin me dorën e tradhëtarëve.

Dhe ju të dashur DIZDARË, jeni në rrethim. Asnjë ushtri mediokrish anti- kulturë dhe anti-shqiptarë nuk e marrin dot atë KËSHTJELLË.

Dhe nëse e marrin me mjetet e tradhëtisë, ndërprerjen e ujit, dritave dhe sulmet me falangat e krimit, nuk jeni ju të humburit, madje as ata që e marrin nuk do të jetë fitimtarë çfarëdo hoteli pesë yjesh të ndërtojë aty! E humbur është kultura jonë shqiptare të cilës ju i keni dhënë aq shumë.

Unë jam dëshmitar i punës që bëhet në atë qendër. Kam lekturuar vetë! Jam dëshmitar që atë punë e ka vënë në emisionet e veta kanali më i madh televiziv në Botë – BBC ËORLD.

E kam vizituar atë qendër dhe jam mahnitur me punën që behet aty për edukimin e talenteve të reja dhe sa e sa aktivitete me vlera kombëtare. Aty ka bibliotekë që shumë qytete sot nuk  e kanë. Aty ka salla shfaqjesh me piano dhe paisje të blera me para pensionstësh. Njësoj si Muzeu SOLOMONI në Berat, ku një mësues i thjeshtë vuri pensionin e vet për të ngritur një muze që e viziton tërë bota hebraike, sot Dizdarët e ngritën Dean. Dhe rrënuesit e kulturës mburren me rritje të turistëve që vijnë nga Izraeli edhe pse vetë nuk kanë vënë qoftë edhe një llampë në të.

Nuk është nevoja të flas për veprën e Limoz Dizdarit, pasi ajo është në partiturë, në inçizime, në radio dhe në disqet tona që i dëgjojmë çdo ditë.

Si një shqiptar që ka pasë nderin të përfaqësojë Shtetin Shqiptar në Britaninë e Madhe, dëshmoj me përgjegjësi se Alda Dizdari, njëra nga vajzat e tij që qan për atë masakër që po i bëhet asaj qendre, me veprën e saj muzikore – interpetimin e veprave të kompozitorit më të madh anglez të të gjitha kohërave, Edëard Elgar është sot artistja që ia ndrit emrin Shqipërisë në atë vend mik ku jetojnë mbi 100.000 shqiptarë. Janë me dhjetra e më shumë violinistët britanikë, të cilët do ta kishin ëndërr të kishin një inçizim të veprës violinistike të kompozitorit të tyre Elgar. Por jo!

Atë ua dhuron artisja jonë me renome evropiane Alda Dizdari. Alda që lamenton, vajton, dhe lutet që mos të prishet qendra Dea, qendra që e ngriti bashkë me prindërit dhe motrat me aq përkushtim.

I ftoj tërë njerëzit e kuturës së vendit tonë dhe të Kosovës, që e vizitojnë Ksamilin jo vetëm për detin dhe rërën, por edhe për atë qendër të rëndësishme të identiteti tonë kombëtar mu në buzë të kufirit me Greqinë, t’i bashkohemi nismës për mbrojtjen e këaj qendre.

Një popull që lejon qeverinë e vet të shkatërrojë veprat e tij kulturore të ngritura me kaq mund e sakrifica, nuk meriton të konsiderohet i qytetëruar.

Le të mos e lemë kombin tonë të bjerë aq poshtë sa të vertetojë tezën anti-shqiptare, se në jemi barbarë!

Jo nuk jemi! Kurrë!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco