'Ballkani i Hapur', falsitet dhe ingranazh i rrezikshëm pas ngjarjeve të fundit në Kosovë

'Ballkani i Hapur', falsitet dhe ingranazh i rrezikshëm pas ngjarjeve të fundit në Kosovë

12:47, 26/09/2021
A+ Aa A-

"Ballkani i hapur’ i Vuçiç - një instrument i Serbisë si pjesë e Unionit Euro-Azian rus"

Nga Tritan Shehu.

Ngjarjet e fundit në Mal të Zi e Kosovë e rrëzuan këtë ngrehinë edhe si fasadë. Këto ditë treguan falsitetin e atij “projekti”, së paku si një humbje kohe e energjish prej disa vitesh. Këto ditë treguan se sa absurde është të pranosh rolin lider, realizues e garantues të Serbisë në projekte rajonale, pa ombrellën e BE-së.

Këto treguan qartazi rrezikun e devijimeve të politikave të jashtme rajonale të Shqipërisë, duke e larguar atë nga hapësirat perëndimore europiane e futur në “ingranazhe” të rrezikshme.

Por gjithashtu këto ngjarje treguan se ne duhet të hyjmë përsëri në shinat normale të politikave tona rajonale me disa kolona:

- Projektet e bashkëpunimit rajonal mund të funksionojnë vetëm në qoftë se janë të ndërtuara, drejtuara e garantuara nga Brukseli. Vetëm kështu do të sigurojnë gjithëpërfshirjen e barabartë të vendeve tona, rol të vendeve anëtare në BE si Greqia e Italia në to, garanci për procesin tonë të integrimit.

- Ndërsa përsa i takon marrëdhënieve bilaterale në rajon, vëmendja kryesore e jona duhet të drejtohet përsëri drejt Italisë e Greqisë, qofte kjo në planin politik, ekonomik e integrues. Shqipëria nuk ka pse të lidhë fatin e saj për në Europë as me Serbinë e as me vende të tjera të rajonit.

- Shqipëria duhet të përmbushë standartet e kërkuara nga Brukseli, të ketë prioritare lidhjet strategjike me BE-në e vendet anëtare të saj, të mbajë fytyrën gjithmonë e vetëm nga Perëndimi, pa kërkuar lidhje strategjike në Lindje.

- Pa dyshim, duke respektuar e kërkuar marrëdhënie të mira, bashkëpunim me cilindo vend, që e dëshiron këtë, veçanërisht të rajonit.

Vetëm kështu Shqipëria do të jetë jo vetëm koherente e interesave jetike të saj e të shqiptarëve, por dhe kontributive e pikë orientimi për bashkëjetesën e rrugën europiane të rajonit tonë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco