Gazetari i njohur: Propaganda e Top Channel synon sulmin ndaj Kosovës

Gazetari i njohur: Propaganda e Top Channel synon sulmin ndaj Kosovës

20:00, 16/09/2021
A+ Aa A-

Një ditë më parë, Top Channel raportoi në mënyrë ‘ekskluzive’ se nismës së Ballkanit të Hapur po i afrohej edhe Bosnja.

I zakonshmi Muhamed Veliu raportoi se Zoran Tegeltija, Kreu Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, ka pohuar se vendi i tij është i gatshëm të ulet në tryezën e Ballkanit të Hapur.

Por ky lajm ka revoltuar gazetarin e njohur nga Kosova, Enver Robelli. Ai e quan një propagandë që ka për qëllim sulmin ndaj Kosovës.

“Mediat oborrtare të qeverisë „socialiste“ të Tiranës dje me bori e trumbetë dhe nën siglën „ekskluzive“ dhanë këtë lajm: edhe Bosnjë-Hercegovina po i bashkohet nismës „Open Balkan“. Kështu paskësh thënë Zoran Tegeltija, kryesues i Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, pra kryeministri i këtij vendi,” shkruan Robelli në Koha Ditore.

“Ky lajm është larg të së vërtetës. Por qëllimi i plasimit të lajmeve të tilla nuk është e vërteta. Qëllimi është: sulmi ndaj Kosovës. Madje duke cituar verbërisht politikanët serbë të Bosnjës, të cilët flasin si Aleksandar Vuçiqi, por nuk mund të marrin vendime kokë më vete në Bosnjë, sepse Bosnja është shtet edhe i dy popujve të tjerë. Iniciativa „Open Balkan“, thotë ministrja e Jashtme e Bosnjës, e ka humbur rëndësinë në kuptimin ideor, sepse është paralelizëm i „Procesit të Berlinit“.”

“Momentalisht disponimi i dy anëtarëve të presidencës (boshnjakut dhe kroatit) është kundër hyrjes së Bosnjës në „Open Balkan“. Andaj lajmi „ekskluziv“ i përhapur dje nga mediat oborrtare tiranase është vetëm një flluskë propagandistike.

Mali i Zi po ashtu nuk dëshiron të jetë pjesë e „Open Balkan“, ndonëse ky vend tani ka një qeveri që konsiderohet proserbe. Zorka Kordiq, kryenegociatore e Malit të Zi për anëtarësim në BE, ka thënë për gazetën „Vijesti“ se Podgoricës më shumë i përshtatet tregu i përbashkët rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit dhe jo „Open Balkan“ i instaluar nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Në lidhje me „Open Balkan“ profesori grek Nikolaos Cifakis nga Universiteti i Peloponezit thotë: „Ekziston rreziku që iniciativa 'Open Balkan' mund të thellë vijat ekzistuese ndarëse në rajon dhe zbatimi i saj mund të paraqesë një fushëbetejë të re për çështjet e Kosovës dhe Bosnjës. Nëse Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duan të shmangin këtë rrezik, duhet t’i kenë parasysh shqetësimet e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe t’i japin përparësi inkluzivitetit të procesit”,” shkruan gazetari.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco