Rama hap 'thesin' me premtime 3D: Do bëjmë Korridorin Blu, s'presim BE-në

Rama hap 'thesin' me premtime 3D: Do bëjmë Korridorin Blu, s'presim BE-në

11:09, 16/09/2021
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama hapi 'thesin' me premtime 3D, teksa mbante fjalimin për prezantimin e programit qeverisës për 4 vitet e ardhshme. Ai ka renditur disa nga projektet, që sipas tij, do të marrin formë në këtë mandat të ri 4-vjeçar. Nga foltorja e Kuvendit, Rama u ndal te projektet në infrastrukturë, duke u shprehur se do të vendosen pikat mbi “i” në të gjitha akset rrugore të mbetura ende të pazhvilluara.

Teksa përmendi ndërtimin e katër porteve turistike dhe dy aeroporteve të reja ndërkombëtare, Rama deklaroi se do t’i kushtohet vëmendje e veçantë edhe Universitetit Bujqësor të Tiranës, për t’i rikthyer atij shkëlqimin.

“Do kemi katër porte turistike, në Sarandë, Vlorë, Durrës e Shëngjin. Dy aeroporte të reja ndërkombëtare, në Vlorë brenda vitit ngrihet kantieri dhe në Sarandë, ku për pak javë mbyllet gara për kantierin. Do të vazhdojë rritja e kapaciteteve të aviacionit civil, me zgjerimin edhe të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku brenda vitit nis investimi për zgjatjen e pistës.

Përmbledhurazi, mund të them se në këtë mandat do të vendosim pikat mbi “i” në atë pjesë të akseve të mbetura ende të pazhvilluara, me parametrat e Shqipërisë 2030. Duam që Shqipëria të kthehet në ekspertuese neto të energjisë elektrike dhe në katër vitet e ardhshme do të hedhim hapa konkret. Skavica do të nisë punën. Ky 4-vjeçar do të ketë edhe kantierin e HEC-it të Skavicës, që do të shërbejë dhe për t’i dhënë fund përfundimisht përmbytjeve në veri-perëndim të Shqipërisë. Do të ketë dhe kantierin e HEC Vlorë për hyrjen e gazit të lëngshëm në Shqipëri. Pas nisjes së punës për parkun me energji diellore të Karavastasë, do të ngrihet dhe parku me energji diellore në Spitallë. Këto do të rrisin kapacitetet prodhuese të vendit. Po ashtu, po përgatitet futja në përdorim e energjisë së erës.

Sot jemi eksportuesit me të mëdhenj të perimeve në Ballkanin Perëndimor dhe zëmë vendin e dytë për eksportimin e frutave. Nuk do të ndalemi këtu. Do t’i çojmë eksportet bujqësore në 1 miliard USD. Kemi një plan konkret, që do fillojë të vihet frontalisht në veprim që në 300 ditët e para të mandatit të ri. Dua të veçoj këtu transformimin e mëtejshëm të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Do t’i kthejmë këtij universiteti shkëlqimin dhe nuk do të kursehemi për këtë".

Rama nga foltorja e Kuvendit premtoi se “Korridori Blu”, një autostradë me standarde të larta europiane, nga Muriqani në Fier, do të bëhet realitet brenda 5 viteve të ardhshme.

“Ky do të jetë edhe mandati i kantierit të madh të Korridorit Blu, më i madhi në historinë e deritanishme të zhvillimit të infrastrukturës rrugore të Shqipërisë, ku në harkun e 5 viteve do të kemi një autostradë të realizuar me standarde europiane, nga Muriqani në Fier, duke kaluar përmes Milotit, Thumanës, Kasharit dhe Rrogozhinës. Kemi pritur më gjatë seç duhet të prisnim që ky projekt prioritar, i procesit të Berlinit të financohej nga BE , por nuk do të presim më, do fillojmë punën".

Një ndër pikat që ai përmendi është zhdukja e përdorimit nga tregu e qeseve plastike.

Gjithashtu Rama ka theksuar se një nga synimet kryesore të qeverisë është rritja e pagës minimale nga 30 mijë lekë të reja në 40 mijë lekë të reja deri në fund të mandatit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco