A e dobëson apo e forcon PD-në 'përçarja' e Sali Berishës

A e dobëson apo e forcon PD-në 'përçarja' e Sali Berishës

09:24, 14/09/2021
A+ Aa A-

Që kur Lulzim Basha vendosi ta parjashtojë nga grupi parlamentar i PD-së, Sali Berisha nuk po i rresht sulmet. Një herë flet për një marrëveshje të fshehtë Rama- Basha, një herë tjetër për grisje të aktit të pabesisë nga anëtarësia, diku shfaqet në TV, për të thënë se do fillojë lëvizjen nga baza dhe diku tjetër shfrytëzon një ceremoni përkujtimore për të shpallur se do ta rikthejë partinë në piedestalin që i takon.

Të gjitha këto në fakt priteshin.

Që kur lëshoi të famshmen “kurrë mos thuaj kurrë”, për mundësinë e rikthimin në krye të PD-së, ai nuk reshti së paralajmëruar Bashën se, nëse do t'i bindej verbërisht shantazhit të amerikanëve, do të kishte probleme. Edhe disa ditë përpara se kryetari i PD-së të merrte vendimin, në një intervistë në Euronews, Berisha e paralajmëroi: nëse doërzohesh, ne nuk do të lejojmë që PD-në ta marrin peng.

Megjithatë, Basha vendosi të divorcohet me atin e tij politik dhe që nga ky moment, demokratët po e ndjekin me shqetësin këtë sherr të brendshëm të një partie që prej kohësh, një kryetar i squllët dhe një ekip drejtues eunuk e kishin futur në letargji të plotë.

Pyetjet që shtrohen rëndom janë: a e dobësojnë PD dalja në terren dhe bashkëbisedimi i Berishës me demokratët? A ekziston rreziku i një përçarjeje, duke ditur se Berisha është shumë i fortë tek militantët, ndërsa Basha ka rekrutuar të gjitha strukturat drejtuese? A i shërben ky konflikt i brendshëm regjimit të Ramës, që ka aktivizuar të gjitha bateritë mediatike për t'i hedhur benzinë zjarrit?

Këto pyetje që shtrohen me të drejtë, të krijojnë në pamje të parë përshtypjen se nga kjo përplasje opozita del më e dobët.

Por, po të shikosh pak më thellë edhe më afatgjatë nuk është kështu.

E para, regjimi i Edi Ramës është rinisur për një rrugë të gjatë, minimumi katërvjeçare dhe nëse opozita duhet të hapi një debat të brendëshëm, koha për ta bërë tani është më mirë se kurrë. Sa më shumë t'i afrohet sfidave elektorale, aq më e pamunduar do bjetë që PD-ja të merret me vetveten.

Kështu që ky është momenti i duhur.

Ndonëse për një çast mund të duket sikur lihet mënjëanë beteja me regjimin dhe denoncimi i mëkateve të tij, rëndësi ka një proces që tani e forcon opozitën për ta bërë atë t'i bëjë këto detyra me vërtetësi dhe bindje, kur të afrohen zgjedhjet.

Nga ana tjetër, dalja e Berishës në terren e zgjon PD nga gjumi. Për një kohë të gjatë, duke qenë se kishte vendosur ta mbështeste me çdo kusht Bashën, lideri historik i kishte pranuar në heshtje gjithë mëkatet e tij. Ai kishte kapërdirë gjithë eleminimet e kastës drejtuese dhe bashkëpunëtorëve të tij për t'i zëvendësuar ata me figurina qesharake. Ai kishte mbyllur gojën për butësine e Bashës me shumë nga oligarkët që i shërbendin Ramës. Mjafton të shohësh Facebook-un e Berishës dhe ta krahasosh atë me qëndrimet e selisë së PD-së, për të kuptuar se sa radikal është njëri në betejën me pushtetin dhe sa e squllët është vija zyrtare.

Berisha i fali gjithashtu edhe tani në fund, ish-të përzgjedhurit të tij, mungesën e protestave për blerjen e votës, vendimin për t'i futur deputetët e PD si qingja në parlament dhe krijimin e një stabiliteti fallco me anë të të cilit Edi Rama mund të sundonte pa telashe.

Largimi i këtyre skrupujve, heqja e kësaj mburoje dhe sulmi nga pozicioni radikal që Berisha mund të bëjë ndaj Bashës, duke i ndenjur si çekan mbi kokë ndaj çdo tolerimi që mund t'i bëhet qeverisë, do ta shtyjë PD në një përballjeje më të pa kompromis.

Edhe nëse nuk e fiton betejën brenda partisë, për shkak se Basha kontrollon strukturat, aksioni i Doktorit do prodhojë një opozitë më radikale. Basha nuk do të ketë më tolerancën e Berishës për të toleruar Ramën. Dhe kjo është gjëja e duhur për një opozitë në kushtet e një regjimi.

Prandaj, ndonëse demokratët janë të shqetësuar nga përçarja e mundshme, një zgjim i PD nga gjumi është shpresa e fundit që ajo mos përfundojë si një parti qesharake që bën një opozitë fallco./Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

N14/09/2021 15:19

Lul Basha në vënd qe të gjënte zgjidhje ,gjeti një krizë të rëndë ,për ti dhënë goditje përfundimtare PD.Sali Berisha është e vetmja shpresë për PD dhe shqipërinë.

Daj Jaku14/09/2021 09:44

Kjo lëvizje e Berishës do e kthejë në identitet Partinë Demokrstike që humbi rrugën nga allishverishet e Lulit me Edvin Ramën. Një herë vjehrri, një herë marrëveshje, herën tjetër i dorëzoi 100% parlamentin, e parafundit i dorëzoi 100% pushtetin lokal, këto të fundit janë kulmi i poshtërsisë, për 25 milionë € dhënë kunatit të Lulit i dorëzoi zgjedhjet si dhe kundërshtarin e madh e të vërtetë të Edvinit, Sali Berishën. Çfarë kanë bërë më shumë Juda ose Bruti? Sot nuk ka më PD. Duhet rithemeluar nga aty ku e la Berisha, me gjithë risurset e fillimit, mundësisht të kthejmë edhe Sokol Olldashin.

Shto koment

Denonco