VIDEO/ Veliaj zhduk projektin 3D të Kombinatit. Rama-Veliaj shkurtojnë fondet e rindërtimit

VIDEO/ Veliaj zhduk projektin 3D të Kombinatit. Rama-Veliaj shkurtojnë fondet e rindërtimit

14:45, 27/07/2021
A+ Aa A-

Projekti futurist për rindërtimin e Kombinatit është zhdukur, e jo vetëm kaq, por Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë shkurtuar edhe fondet duke vënë në pikëpyetje strehimin e banorëve të zonës. Prej prezantimit të parë në korrik të vitit 2020 e deri më sot, ky projekt ka ndryshuar disa herë, duke bërë që qytetarët të mbeten peng i premtimeve boshe dhe i pazareve që kanë sjellë ndryshimin e vazhdueshëm të projektit.

Nga SYRI TV

Në Korrik 2020 u prezantua projekti futurist ‘Kombi-Art’, i cili parashikohej që të shndërronte ish-Kombinatin e Tekstileve në Tiranë në një pol të artit e kulturës, si pjesë e projektit të Rindërtimit pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019.

Aq i bukur dukej projekti në formatin 3-Dimensional, sa që kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, të pranishëm në atë aktivitet, nuk i kursyen aspak lëvdatat për njëri-tjetrin.

Por, vetëm një vit më pas, ai projekt është zhdukur tërësisht.

Bashkia e Tiranës ka shpallur së fundmi një tender për ‘Studim-projektimi në kuadër të procesit të Rindërtimit, në zonën e re zhvillimore Kombinat’.

Kompanive projektuese u kërkohet, ndër të tjera, që të hartojnë një plan edhe për territorin e ish-Kombinatit Tekstil, saktësisht në atë zonë ku Veliaj deklaroi një vit më parë se do të ndërtonte ‘Kombi-Artin’

Në këtë foto, gjendet ‘Zona e re për zhvillim e Kombinatit’, e miratuar nga Qeveria Shqiptare në janar 2021.

Me ngjyrë të kuqe është shënuar territori i ish-Kombinati Tekstil.

Dallohet lehtësisht që zona është e përfshirë në Studimin e ri, për të cilin do të shpenzohen nga Bashkia e Tiranës 300 milionë lekë të vjetra.

Pra, duket qartë se, pas prezantimit në 3-D, çdo gjë mbeti në letër, ashtu siç ka mbetur deri më tani edhe i gjithë procesi i Rindërtimit për një prej zonave më të populluara të Tiranës.

Prej fillimit të vitit të kaluar e deri më tani, Bashkia e Tiranës dhe qeveria kanë hartuar 7 dokumente të ndryshëm për Rindërtimin e Kombinatit, të cilat kundërshtojnë ose bllokojnë njëri-tjetrin, duke i lënë banorët e pastrehë në pritje të burokracive.

Në 31 janar 2020, Këshilli i Ministrave miraton ‘Zonën e re për zhvillim në Kombinat’, në kuadër të procesit të Rindërtimit.

Pa u kryer asnjë veprim konkret në terren, Qeveria vendos të ndryshojë hartën e zonës zhvillimore një vit më pas, në Janar 2021.

Në hartën e re ishte përjashtuar një pjesë e konsiderueshme e Kombinatit, kryesisht zona rurale, e cila nuk duket se përmbush pritshmëritë e Bashkisë së Tiranës për ndërtesa të larta.

Ndryshime ka pasur edhe në fondin për rindërtimin e godinave në zonën e Kombinatit.

Në 3 Gusht 2020, Qeveria miraton fondin për zonën e Kombinatit dhe ‘5 Majit’, në vlerë 143 miliard lekë të reja.

Më pas, ky fond nis e copëtohet dhe ulet në mënyrë të vazhdueshme.

Në Dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria vendos që për vitin 2020 të paguhen fatura deri në 11 miliardë lekë të vjetra, ose 15 herë më pak se sa fondi i plotë për Rindërtimin në Kombinat dhe zonën e ‘5 Majit’.

Në Mars 2021, qeveria vendos që, gjatë vitit 2021, Bashkia e Tiranës të shpenzojnë për rindërtimin në këto zona vetëm 19 miliardë lekë të vjetra, nga fondi i plotë prej 140 miliardë lekë që u parashikua në fillim të procesit.

Nuk mbaron me kaq. Në Korrik 2021, Qeveria vendos të ulë sërish nivelin e shpenzimit për Rindërtimin në Kombinat.

Tashmë, vlera që lejohet të përdoret edhe vetëm 9.9 miliardë lekë të vjetra.

Ndërkohë që qeveria ulte shpenzimet në mënyrë progresive, fondi për Rindërtimin në Tiranë u reduktua ndjeshëm edhe nga Komiteti Shtetëror për Rindërtimin.

Në një vendim të 2 Korrikut 2021, ky komitet i drejtuar nga Arben Ahmetaj, vendosi të shkurtojë mbi 15 miliardë lekë të reja nga fondet e rindërtimit për kryeqytetin.

Ndërkohë që mijëra qytetarë në Tiranë presin zgjidhjen e premtuar nga qeveria për sistemin në banesa të reja pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019, autoritetet më të larta në Këshillin e Ministrave dhe Bashkinë e Tiranës kanë treguar impenjim të plotë për të hartuar, ndryshuar e shkurtuar fonde, të cilat në fund të ditës, kanë bllokuar tërësisht procesin e rindërtimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco