Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Habit ministrja e Ramës: Po marrim borxh që të rrisim ekonominë

Habit ministrja e Ramës: Po marrim borxh që të rrisim ekonominë

10:20, 25/07/2021
A+ Aa A-

Për shkak të rritjes me ritme më të larta të shpenzimeve në raport me të ardhurat, deficiti buxhetor pritet të zgjerohet me 11.8 miliardë lekë, në raport me buxhetin fillestar, duke e çuar atë në total në 120.5 miliardë lekë, ose gati 1 miliardë euro, në nivele të krahasueshme me vitin e pandemisë.

Ministrja e Financave, Anila Denaj, thotë në një intervistë për “Monitor”, se ndryshimi i buxhetit 2021, me akt normativ, për të rritur borxhin publik nëpërmjet zgjerimit të deficitit buxhetor, u ndërmor për të stimuluar ekonominë. Borxhi i ri do të përdoret për investime në infrastrukturë, ujësjellës dhe rrugë, u shpreh ministrja, e cila premtoi se, borxhi publik në raport me PBB-në, do të arrijë 70% në vitin 2025.

Ministria e Financave, nëpërmjet Aktit Normativ nr. 26, datë 22.6.2021, vendosi të zgjerojë deficitin buxhetor të vitit 2021, duke e çuar atë në 120.5 miliardë lekë, nga 108.6 miliardë lekë që ishte plani vjetor në Ligjin e Buxhetit 2021. A është masa e deficitit buxhetor në përputhje me Ligjin Organik të Buxhetit dhe rekomandimet e Misionit të fundit të FMN-së? 

Qeveria ndryshoi Ligjin Organik të Buxhetit, me qëllim që të krijonte një hapësirë fiskale të nevojshme dhe të domosdoshme për vitin 2021. Ofrimi i stimujve fiskalë nga krahu i shpenzimeve buxhetore, si dhe reagimi i shpejtë me masat e ndërmarra nga qeveria, si ndaj tërmetit, edhe ndaj pandemisë, dhanë rezultate vitin e kaluar.

Me një tkurrje me vetëm 3.3% të PBB-së nga 6.1% e parashikuar nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë dhe me një trend pozitiv të zhvillimeve në tregun e punës (grafiku më poshtë) është e nevojshme të mendosh se ofrimi i stimujve edhe për këtë vit, të sigurojë një rimëkëmbje më të shpejtë të ekonomisë së vendit.

Image

Burimi: INSTAT

Në frymë edhe të udhëzimeve fiskale të Komisionit Europian për vendet e Bashkimit Europian, të datës 2 qershor 2021, është rekomanduar shtrirja e aplikimit të përjashtimeve fiskale gjatë 2021-2022, me synim forcimin e potencialit të rritjes ekonomike dhe punësimit, si dhe përmirësimit të financave publike në afatmesëm.

Pavarësisht këtij përjashtimi të përkohshëm, vetëm për vitin aktual, objektivi madhor i Qeverisë është për ulje të pandalshme të Borxhit Publik në periudhën afatgjatë deri në arritjen e objektivit final.

Përjashtimet fiskale

Në frymë edhe të udhëzimeve fiskale të Komisionit Europian për vendet e Bashkimit Europian, të datës 2 qershor 2021, është rekomanduar shtrirja e aplikimit të përjashtimeve fiskale gjatë 2021-2022, me synim forcimin e potencialit të rritjes ekonomike dhe punësimit, si dhe përmirësimit të financave publike në afatmesëm.

Qeveria i bëri ndryshimet në Buxhetin 2021 duke u mbështetur në nenin 101 të Kushtetues, “Nevoja dhe urgjenca, si kushte për nxjerrjen e Aktit Normativ me fuqinë e ligjit”, por ndërkohe, shpenzimet nga zgjerimi i deficitit parashikojnë blerje dhe investime që zgjasin përtej vitit 2024. Ku qëndron emergjenca?

Është e nevojshme të ritheksohet se, momenti i zgjedhur për të zbatuar stimulin fiskal në ekonominë shqiptare ishte më i përshtatshmi dhe se nuk duhej hezituar më tej. Nuk besoj se është objektivi i intervistës përcaktimi i afateve procedurale, por gjykimi nëse rritja e shpenzimeve buxhetore dhe zërat që morën vëmendje i shërbejnë qëllimit të rimëkëmbjes.

Kemi alokuar me akte të mëparshme normative 3 miliardë lekë në funksion të procesit të vaksinimit masiv të popullsisë, si e vetmja përgjigje ndaj këtij virusi, në një kohë sa më të shpejtë, sipas prioriteteve të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Vaksinimit. Për të mbuluar nevojat për vitin 2021, është përllogaritur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale një nevojë për shtesë në buxhetin e tyre, prej 1 miliard lekësh.

Akti Normativ siguron, njëkohësisht, edhe vijimin e pagesës së familjeve të dëmtuara nga tërmeti, me një shtesë në masën 500 milionë lekë për qiranë e banesave.

Më tej, shuma prej 10.3 miliardë lekësh, e shpërndarë mes projekteve të rëndësishme të infrastrukturës së Unazës së Tiranës, Ujësjellës-Kanalizime dhe infrastruktura rurale e zhvilluar nga FSHZH, do të ketë impakt të drejtpërdrejtë këtë vit dhe jo në 2024, sikurse ju bëni referencë.

Keni përmendur termin “papërgjegjshmëri” në editorialin tuaj dhe mendoj se është tejkalim pa argument. Sikurse Qeveria tregoi përgjegjshmëri në vitin e kaluar, për të përballuar krizën e dy goditjeve të njëpasnjëshme, po ashtu, edhe këtë vit, do të jemi në lartësinë e duhur për të përballuar çdo krizë tjetër, nëse situata me pandeminë do të marrë një drejtim tjetër. Shëndeti i çdo shqiptari dhe mundësia për të rritur punësimin dhe për të zhvilluar ekonominë gjatë kësaj periudhe të vështirë, janë fokus i shpenzimeve të rritura buxhetore.

Deficiti buxhetor i planifikuar këtë vit (120,5 miliardë lekë) është më i lartë se realizimi i vitit 2020, vit i një krize të paprecedentë për shkak të pandemisë. Çfarë projektesh financon ky borxh i ri?

Deficiti buxhetor, i përcaktuar me këtë Akt Normativ është i njëjtë në terma relativë (në raport me PBB-në) me atë të realizuar në vitin 2020 (6.9%). Të ardhurat totale për 5-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 191.6 miliardë, ose 104% të planit të 5-mujorit. Krahasuar me një vit më parë, të ardhurat kanë shënuar rritje prej 31 miliardë lekësh.

Image

Burimi: Ministria e Financave

Rimbursimi i TVSH-së vijon të mbetet një nga prioritetet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe Administratës Tatimore. Pavarësisht goditjeve të forta që mori ekonomia shqiptare, arritëm të ruajmë qëndrueshmëri dhe të dyfishojmë rimbursimin e TVSH-së në 5-mujorin e parë të vitit 2021.

Image

Burimi: Ministria e Financave, Tatimet

A ka studime fizibiliteti për projektet që financohen me borxh të ri, se sa do të jetë kthimi i tyre në rritjen ekonomike dhe në të ardhurat buxhetore?

Ky Akt Normativ financon, në masën më të madhe, projekte në vazhdim, projekte infrastrukturore të rrugëve rurale dhe ai më i rëndësishëm, përfundimi i plotë i projektit të Unazës së Tiranës. Gjithashtu, edhe projekte ujësjellësish, në disa rajone të Shqipërisë dhe përfundimi i rrugëve rurale.

Të gjithë këto investime do të ndikojnë drejtpërdrejt në ekonomi në afatmesëm dhe, mbi të gjitha, në rritje të punësimit në afatshkurtër. Projektet e reja kanë studim fizibiliteti dhe janë përllogaritur efektet e tyre, që mbështesin rritjen ekonomike të parashikuar.

Në cilin vit synoni të arrini objektivin e borxhit 45% të PBB-së dhe si?

Në parashikimet buxhetore afatmesme, pritet reduktimi gradual i borxhit dhe synohet që, në vitin 2025, të jetë në nivelin e 70%.  Sa i takon arritjes së objektivit të borxhit 45% ndaj PBB-së duhet të jemi të qartë që një masë të madhe në këtë realizim, për një kohë të shkurtër, do të luajë edhe formalizimi i ekonomisë dhe një politikë fiskale e drejtë dhe pa lehtësi fiskale për ata sektorë që nuk japin rezultatin e pritur nga këta stimuj.

Në frymë të kësaj të fundit është punuar e po punohet për një Strategji afatmesme të të ardhurave, e cila do të synojë një politikë fiskale, që ndryshon pak në kohë dhe fokus të plotë në një set masash 4-vjeçare për të garantuar miradministrimin tatimor.

Ndryshimet në buxhetin 2021 zgjerojnë deficitin me 11,8 mld lekë

Më herët në fillim të muajit qeveria autorizoi ndryshime në buxhetin e vitit 2021 me akt normativ, në drejtim te të ardhurave, shpenzimeve dhe deficitit buxhetor. Ndryshimet që tashmë janë miratuar në Kuvend kanë rritur planin e të ardhurave me 5 miliardë lekë ose 1% më shumë në krahasim me planin fillestar të përcaktuar në buxhetin e vitit 2021.

Plani i shpenzimeve buxhetore u rrit me 17 miliardë lekë, ose 2.9% më shumë se buxheti fillestar, ndërsa deficiti buxhetor u zgjerua me 11,8 miliardë lekë në raport me buxhetin e fillim vitit duke arritur vlerën e 120.5 miliardë lekëve ose 11% më shumë se limiti në ligjin fillestar të buxhetit të vitit 2021.

Sipas ndryshimeve të fundit fondet totale për Ministrinë e Shëndetësisë arritën në 70.4 miliardë lekë nga 71.4 miliardë që ishin me ndryshimet në aktin normativ të majit 2021. Fondet për Ministrinë e Arsimit u pakësuan me 3.6 për qind, duke i çuar fondet totale për arsimin në 40.7 miliardë nga 42,2 miliardë lekë që ishin me ndryshimet e majit të këtij viti.

Fondet për infrastrukturën shënuan rritjen më të fortë. Buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës shënoi rritje me 14% më ndryshimet e fundit, duke arritur 56.8 miliardë lekë nga 49.8 miliardë lekë që ishin në ndryshimet e fundit në muajin maj. Gjithashtu buxheti i Fondit Shqiptar të Zhvillimit u rriten me 22 për qind, duke arritur në 17.7 miliardë lekë nga 14.5 miliardë që lekë që ishin më parë.

Fondet për infrastrukturën në total u rritën me rreth 82 milionë euro. Projektet kryesore të infrastrukturës që do të financohen me fondet shtesë janë disa projekte afatgjata të tilla si ndërtimi i Unazës se re, Teatrit Kombëtar dhe Tunelit të Llogorasë./Monitor/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Landi25/07/2021 14:28

Rrite xhan rrite Se se ka mendjen njeri Po ik tani se na filloi telenovela

Shto koment

Denonco