Vuçiç përçan diplomacinë e Tiranës me atë të Prishtinës

Vuçiç përçan diplomacinë e Tiranës me atë të Prishtinës

08:22, 24/07/2021
A+ Aa A-

Ndonëse publikisht përbetohen për rakordim të përbashkët në diplomaci, sidomos kur vjen fjala për qëndrimin ndaj Serbisë, Tirana dhe Prishtina duken më larg se kurrë njëra-tjetrës. Dhe kjo është parë sidomos në takimet e njëpasnjëshme që kryeministri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë kanë pasur me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

Fillimisht ishte Albin Kurti ai që u takua në Bruksel me kreun serb të shtetit, në raundin e dytë të përpjekjeve për rivendosjen e dialogut. Kurti i kujtoi bashkëbiseduesit të tij gjenocidin sistematik ndaj shqiptarëve, vendosjen si prioritet të viktimave të pagjetura të luftës, si dhe këmbënguli në idenë e tij për të nënshkruar një marëveshje paqe dhe mossulmimi mes dy vendeve.

Ashtu sikurse pranuan të gjitha palët takimi shkoi si mos më keq. “Takimi i sotëm në Bruksel ishte shumë më i shkrutër, sesa ishte planifikuar, sepse palët nuk ishin dakord pothuajse për asgjë. Pas bisedimeve u dëgjuan madje edhe fjalë të rënda në adresë të njëri-tjetrit”, komentoi radioja gjermane Deutche Welle.

Ndërsa Vuçiç duke folur për mediat serbe u shpreh se “këto bisedime nuk janë të vështira, por të tmerrshme”. Ai tha se pala kosovare është e orientuar nga e kaluara ndërsa, ajo serbe nga e ardhmja.

Por tre ditë më pas në takimin mes Ramës, Vuçiçit dhe Zaevit, në kuadër të “Zonës së Novi Sadit” (të ashtuquajtur Mini-Shengen) nuk u pa asnjë notë e tillë. Ndonëse Vuçiç kërcënoi sërish se “nëse dikush e njeh pavarësinë e Kosovës, në atë moment nisim fushatën tonë për tërheqje të njohjeve”, kryeministri shqiptar nuk foli asnjë fjalë.

Rama u mjaftua ta kalonte në heshtje këtë takim i cili me sa duket shkoi në paqe të plotë. Madje ai mund të quhet edhe i frytshëm pasi u informua që palët do të takohen përsëri në datat 28-29 korrik, ku pritet të lidhen marrëveshje të reja për tregëtinë dhe lejet e punës mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Kryeministri i Kosovës dërgon në kancelaritë ndërkombëtare provat se presidenti i Serbisë është antishqiptar i papenduar për krimet e të shkuarës. Kryeministri i Shqipërisë dërgon në kancelaritë botërore mesazhin se presidenti i Serbisë është partner i pranueshëm për shqiptarët”, i komentoi këto dy ngjarje zyrtari i Vetëvendosjes Arbër Zaimi.

Këto qëndrime tëdyfishta bëhen në një kohë kur roli i Serbisë është shqetësues edhe për analistë që e njohin mirë Ballkanin. Amerikani Daniel Serwer e konsideroi sërish Serbinë e Vuçiçit rrezik për rajonin dhe i bëri thirrje ShBA, BE dhe NATO-s që të reagojnë.

E në këtë sfond nuk mund të mos bëjë përshtypje fakti se dy shtetet shqiptare po ndjekin politika kaq të ndryshme ndaj Beogradit. Prishtina: luftarake, Tirana: vëllazërore. Nëse të dyja së bashku nuk e kanë gabim, për faktin se nuk arrijnë të koordinohen, me siguri së paku njëra është në rrugë të shtrembër në qasjen që ka zgjedhur ndaj Aleksandar Vuçiçit./Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco