Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Lufta brenda PS – A po kërkohet koka e Subashit në Fier?!

Lufta brenda PS – A po kërkohet koka e Subashit në Fier?!

10:35, 23/07/2021
A+ Aa A-

Vetëm tre ditë pas denoncimit të deputetit të PS në Fier, Petro Koçi i cili akuzonte se tenderat po i jepen botës së krimit për pastrim parash, SPAK ka zbarkuar në bashkinë e drejtuar nga Armando Subashi për të verifikuar praktikën e tyre. Në qytetin jugor i konsideruar si hambar votash për PS-në janë dhënë më shumë se 100 milionë euro investime. Kjo është goditja e dytë e një kryebashkiaku në këtë qark, pas rezultatit të dobët që në zgjedhjet e 25 prillit, ku PS pati një rrjedhje prej gati 28 mijë votash. A është parimore lufta ndaj korrupsionit që po ndodh atje dhe që po inicohet nga një prej njerëzve të besuar të Ramës. Ndiqni analizën e gazetës MAPO

Do mjaftonin dy statuse të deputetit të sapozgjedhur Petro Koçi që SPAK të mbinte në bashkitë e qarkut Fier. Më parë ishte Fatos Tushe kreu i Bashkisë Lushnje, i cili ndodhet pas hekurave për nje tender të kalave kullonjëse me vlerë 240 milionë lekë. SPAK thotë se hetimet kanë nisur prej gati një viti më parë, por goditja u vendos të bëhej pikërisht tani. Por ditën e djeshme SPAK ka trokitur dhe në derën e kreut të bashkisë Fier, Armando Subashi. Kjo pasi tre ditë më parë Petro Koçi me anë të një statusi të datës 19 korrik, bënte me dije se tenderat në Fier, fitohen nga grupe mafioze. Në fakt institucioni që miraton tenderat, në nivel lokal është bashkia e Fierit ose dhe bashkitë e tjera në rang qarku.

Vlerësimet

Rama jo pak herë i ka konsideruar investimet në fier si një “spektakël” të Rilindjes Urbane. Nga një kërkim i shpejtë në internet mendohet se deri më tani për këtë bashki janë investuar më shumë se 100 milionë euro. Kush ka qenë atje do shikojë se dhe ngjashëmria e sheshit kryesor të qytetit, ngjan shumë me atë të tiranës. Pra një shesh me pllakë në mes dhe poshtë parkim. Ndërkohë dhe ndërtimi i kullave në qytet është masiv megjithëse fuqia blerëse e vogël. Fieri është dhe një ndër vendet me aktivitet të lartë kriminal sidomos në fushën e trafikimit të narkotikëve. Por e habitshmja qëndron në faktin se askush nuk flet për atë çka ndodh atje.

As mediat as shoqëria civile. Ndonjë denoncim anemik tek tuk i opozitës sidomos për sa i përket manipulimit të zgjedhjeve ka qenë i pamjaftueshëm. Nuk është folur për për tenderat, për prerjen e pemëve dhjetra vjecare që hijeshonin rrugët e qytetit dhe zëvëndësimine tyre me fidanë të blera me çmime të larta, apo për kostot e punimeve për të cilat Rama nuk linte rast pa i rrahur shpatullat kryebashkiakut. Bashkia e atij qyteti konsiderohet si një bunker dhe kjo jo pak here është kryetemë e bisedave mes banorëve të qytetit jugor. Media lokale ka zgjedhur me dëshirë të mbyllë gojën herë për shkak të kërcënimeve që mund të vijnë nga persona me të kaluar kriminale që kanë vëshur petkun e biznesmenit dhe herë nga varësia direkte që mund të kenë nga fondet e bashkisë si reklamat apo përfitime të tjera.

Kreu i Bashkisë

Vetë Subashi ka mbajtur një profil të ulët duke u shfaqur rrallë në media. i gëzohej fondeve të pafundme që vinin në qytetin e tij nga qeveria qëndrore dhe me to imitonte kryeqytetin, ndërkohë bënte dhe gojëkyçurin . Lyente fasada ose shtronte beton ku të mundte një praktikë e filluar nga kryeministri i sotëm kur drejtonte Bashkinë e Tiranës. Kostot nuk publikohen kurrë. Megjithëse është një qytet ku janë investuar miliona vetë fierakët zgjedhin të migrojnë brenda vendit, ose të largohen jashtë Shqipërisë.

Qyteti nuk ka punë, rinia po tkurret dhe fuqia blerëse është e ulët. Por kjo është një panoramë që dihej prej kohësh ashtu siç dihej se tenderat në qytet paracaktohen që më parë. Kush do e marrë investimin e ujësjellësit, atë të shtrimit të pllakave, rikostruksionin e rrugëve etj. Kjo ska qenë asnjëherë e fshehtë dhe është folur jo pak nën zë. i ka ditur më parë dhe deputeti socialist i cili tashmë ka marrë stafetën e antikorrupsionit, që vështirë të besohet se është thjeshtë parimore

Shpërthimi i Petro Koçit

Por natyrshëm lind pyetja, çfarë e nxiti Petro Koçin të shpërthente ndaj Bashkisë së Fierit dhe drejtorëve të emëruar atje? Rezultati që mori PS në zgjedhjet e fundit në këtë qytet, është rreth 27 apo 28 mijë vota më pak se ai i vitit 2017-të. Bashkia e fierit ka dy mijë vota diferencë, por ama ka rritje PD me 4 mijë vota. Si rrjedhojë, megjithë paranë e derdhur në hambarin e tyre të votave, të majtët nuk morën rezultatin e pritshëm. Koçi do shkruante pas zgjedhjeve se drejtorët dhe administrata e qytetit nuk i ndihmuan në zgjedhje kandidatët e PS-së. “Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashme kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publike. Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtperdrejta me ndonjë titular institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtarëve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eleminimit të konkurrenteve në proçesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit.

Të fuqizuar sidomos duke larë paratë e pista në industrine e ndërtimit ata vazhdojne të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona. Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë ti nënshtrohet botës së krimit të organizuar” shkruan deputeti socialist. Në fakt ska zbuluar asgjë të re. Subashi ka hyrë në vitin e shtatë që kur ka marrë zyrën. E njëjta praktikë tenderash ka qenë zhvilluar dhe nga paraardhësi i tij Baftjar Zeqo. Tenderat dhe prokurimet në këtë qytet të kontrolluar që kur nuk mbahet mend nga e majta, gjithmonë janë zhvilluar nga krimi i organizuar ose jo. Vetë Koçi kujdeset që të shprehet se ata që i fitojnë janë të PD dhe LSI. Por a është parimore lufta e nisur nga deputeti i PS-së, dhe e mbështetur me jo pak zell nga SPAK? A ka të bëjë kjo me korrupsionin apo me luftën e brendshme të Ramës, për rezultatin e dobët që mori në Fier? Kjo mbetet për tu parë…./MAPO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco