'Jemi të sëmurë'/ Zyrtarët e arrestuar për tenderin e uniformave duan lirinë

'Jemi të sëmurë'/ Zyrtarët e arrestuar për tenderin e uniformave duan lirinë

10:17, 22/07/2021
A+ Aa A-

Dalin detaje nga dosja e tenderit të uniformave të Policisë së Shtetit, për të cilin SPAK-u ka akuzuar deri tani 9 zyrtarë, 8 prej të cilëve janë pas hekurave dhe një në arrest shtëpie. Mes emrave që janë të arrestuar është edhe Edlira Naqellari, ish-drejtoreshë e agjencisë së blerjeve të përqendruara në Ministrinë e Brendshme.

Ajo u shkarkuar nga ministri aktual i Brendshëm Bledi Çuçi vetëm pak ditë para arrestimit. “ABC” zbuloi dje dëshminë e Naqellarit përpara organeve të drejtësisë, ndërsa sot po publikon argumentet e ish-zyrtares së lartë me të cilat ajo vetë dhe përmes avokatit kërkoi lirimin nga qelia dhe gjykimin në një masë më të lehtë.

“Edlira Naqellari është liruar nga detyra dhe për këtë arsye nuk qëndron arsyetimi i gjykatës se rrezikohet marrja e provave. Nuk ka rrezik të largohet apo t’ju fshihet hetimeve, është juriste dhe nuk ka pasaportë të vlefshme për t’u larguar jashtë vendit. Ka mamanë e sëmurë me sëmundje të zemrës, diabet dhe me tension.

Edlira Naqellari jeton me motrën që është kryetare gjykate, sapo ka lindur dhe ka nevojë për ndihmë. E hetuara sapo i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, ka probleme me tëmthin, apandesitin, ndaj edhe qëndrimi i mëtejshëm në paraburgim do të rrezikonte shëndetin e saj”, tha avokati në gjyq.

Por pretendimet e ish-zyrtares nuk u morën në konsideratë nga gjyqtarja e dosjes duke e lënë në burg. Në dosjen e SPAK, theksohet se Edlira Naqellari ishte në dijeni të problematikave të konstatuara, por megjithatë e ka çuar deri në fund realizimin e këtij prokurimi abuziv. Ish –drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara Edlira Naqellari, në dëshminë e saj këmbënguli se është e pafajshme ndërsa shtoi se ende nuk e ka të qartë se cilin ligj ka shkelur.

Në dokumente parashtrohen edhe pretendimet e të arrestuarve që kërkuan lirinë, por që gjykata i refuzoi me përjashtim të Anisa Bogdanit, e cila ka një fëmijë të mitur.

“Rreziku i ikjes është inekzistent, pasi e hetuara ka një fëmijë të vogël 4 -vjeç dhe është në një proces të vështirë divorci. Ajo punon pedagoge dhe duhet të jetë prezente ndryshe humbet të ardhurat. Ka një kredi për të shlyer dhe duhet të punojë”, tha avokati i Anisa Bogdanit dhe pretendimi u pranua nga gjykata.

Anisa Omuri kërkoi lirinë nga qelia me argumentin se ka probleme me shëndetin. “Kam probleme shëndetësore. Kam bërë një ndërhyrje kirurgjikale dhe gjendja psikologjike më është rënduar, kërkoj një masë më të butë”.

Kleivis Hasani i tha gjyqtares se ka punuar me ndershmëri dhe se nuk është i përfshirë. “Jam punonjës i devotshëm i policisë së shtetit. Sapo jam bërë edhe me një djalë, kam edhe një kredi për të paguar, kërkoj lehtësimin e masës së sigurisë”.

Po ashtu edhe Gëzim Mingaj kërkoi një masë më të lehtë për arsye shëndetësore. “Pas 43 vitesh punë kam dalë në pension. Kam punuar me ndershmëri. Vuaj nga një sërë sëmundjesh, jam vetëm me një veshkë”.

Ndërkohë që Mariglen Muzali tha se është pedagog dhe duhet që të diplomojë studentët. “Kërkoj ndryshimin e masës së sigurisë për dy arsye, e para më ka mbaruar pasaporta dhe nuk kam si të largohem dhe e dyta sepse unë jam mësim, tani është sezoni i provimeve të masterit. Ndihem shumë keq me këtë situatë, ku të shkosh 5 vite me studentët dhe të mos arrish ti diplomosh në vitin e fundit është absurditet”.

Por të gjithë u lanë në burg me përjashtim të Anisa Bogdanit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Qytetar Shqiptar.25/07/2021 00:21

Vodhen sa deshen bashke me ripjerdhjen ne krye tani po na semuren nga parate , ta provojne nje here deren e burgut sa e embel eshte kur vjedh leket e djersen e popullit .

Shqiptari22/07/2021 12:56

SIGURISHT QË PO DALIN QË TË GJITHË "TË SËMURË" KËTA HAJDUTË!! JANË SËMURUR NGA MILIONAT QË KANË VJEDHUR! JANË SËMURUR NGA AJO QË KANË NGRËNË SI SHEHIKË!! I KANË SËMURUR BIFTEKËT E NUSRETIT DHE PUSHIMET LUKSOZE PËRTEJ DETIT!!! NË BURG TË KALBEN PLEHRAT!! LE TË MOS FLASIN, LE TË MOS TREGOJNË DHE LE T'I MBROJNË SHEFAT E TYRE DHE TË HANË BURGUN PËR VETE!!! T'JU KONFOSKOHEN SHTËPITË, MAKINAT DHE ÇDO LLOJ PASURI E LUAJTSHME DHE E PALUAJTSHME QË KANË BËRË ME MILIONAT E VJEDHURA!

Shto koment

Denonco