VIDEO/ Tenderat 'grabitqarë' të Rindërtimit, si po ndahen miliardat e tërmetit

VIDEO/ Tenderat 'grabitqarë' të Rindërtimit, si po ndahen miliardat e tërmetit

14:35, 10/07/2021
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen me kryebashkiakët i cilësoi “teknika grabitqare” kriteret e vendosura nga bashit që bëjnë të mundur që tenderat të fitohen nga të njëjtat kompani, por nuk dha asnjë koment për tenderat e qeverisë.  Lënia në fuqi e aktit normativ “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore” bën që institucionet të zhvillojnë tenderat multi-milionësh me procedura të mbyllura dhe rasti konkret është Bashkia e Tiranës, e cila në 24 Maj 2021, shpalli tenderin gjigand, me fond limit afërsisht 10 miliardë lekë të vjetra, për mobilimin dhe pajisje me orendi i objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti.

Nga SYRI TV.

Kreu i qeverisë, Edi Rama, i konsideroi “teknika grabitqare” kriteret që shumica e bashkive vendosin për kualifikimin e kompanive të preferuara në fitimin e tenderave publikë. Këtë koment ai e bëri në një takim të zhvilluar me kryetarët e bashkive, të emëruar prej tij në shumicën absolute të njësive të qeverisjes vendore në Shqipëri.

Rama u shfaq i pakënaqur me performancën e drejtuesve lokalë në zhvillimin e tenderave publikë, duke i konsideruar përgjegjës për menaxhimin e fondeve publike.

Por, ndërkohë që kritikoi të emëruarit vendorë, Rama nuk citoi aspak tenderat e zhvilluar nga qeverisja qendrore, e cila gjithashtu përdor teknika, të cilat kryeministri i etiketoi si “grabitqare”, për orientimin e fondeve publike drejt një numri të caktuar kompanish private.

Një shembull tipik që krijojnë dyshime të forta për abuzime “me ligj” janë procedurat e kufizuara për Rindërtimin.

Më shumë se një vit e gjysëm nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019, qeveria mban në fuqi Aktin Normativ nr.9, date 16.12.2019 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësise natyrore”.

Në bazë të këtij Akti, edhe procedurat qindra milionë lekë, të zhvilluara për procesin e Rindërtimit, vijojnë të jenë ende “të kufizuara”, duke shmangur garën reale mes kompanive private.

Akti Normativ është një vendim me fuqi të përkohshme.

Por, qeveria “Rama” nuk duket se ka ndërmend ta shfuqizojë, pavarësisht se situata e “fatkeqësisë natyrore” tashmë ka kaluar prej shumë kohësh.

Shumë institucione publike, përfshirë Fondin Shqiptar të Zhvillimit, Bashkia e Tiranës, ajo e Durrësit dhe të tjera që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, vijojnë të zhvillojnë tenderat multi-milionësh me procedura të mbyllura, duke u justifikuar pas Aktit Normativ.

 Dhe, natyrisht, mes këtyre procedurave të tilla, mund të gjenden elementët e nevojshëm për të dyshuar mbi praktika “grabitqare”, siç preferoi t’i përmende kryeministri në takimin e kësaj të Premteje.

Për të konkretizuar mënyrën se si veprohet me tenderat e Rindërtimit, mjafton një shembull shumë domethënës.

Në 24 Maj 2021, Bashkia e Tiranës shpalli një tender gjigand, me fond limit afërsisht 10 miliardë lekë të vjetra, për mobilimin dhe pajisje me orendi i objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti.

Procedura e ndjekur është ajo e kufizuar, duke u mbështetur tek Akti Normativ i nëntorit 2019.

Sipas dokumentave të tenderit, kompania që do të shpallet fituese, duhet të ketë ndër të tjera përvoja të mëparshme të suksesshme, në shërbime me vlerë 40 përqind e fondit limit, pra rreth 5 miliardë lekë të vjetra.

Në Shqipëri, janë një numër shumë i vogël kompanish orendish shtëpiake, të cilat të kenë fituar kontrata miliardëshe në tendera publikë për mobilime.

Pra, krijohen të gjitha premisat që kjo procedurë të përfundojë tek ndonjë kompani e paracaktuar, ndërkohë që Bashkia e Tiranës i kishte të gjitha mundësitë për të zhvilluar një garë të hapur, ku të sigurohej një pjesëmarrje e gjerë dhe të rritej numri i fituesve që do të ofronin këtë shërbim.

Bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj ka vendosur të përqëndrojë të gjithë tenderin 10 miliardë lekësh në një dorë të vetme, kur, për efektivitet dhe për garë të ndershme, mund të kishte ndjekur procedurën e ndarjes me lote.

Në Tiranë dhe në Shqipëri ka shumë kompani, të cilat megjithëse nuk janë gjigande, mund të ofrojnë shërbimin e mobilimit të shkollave me çmime favorizuese për shtetin.

Por, këto kompani nuk mund të afrohen në këtë tender, pasi Veliaj ka zgjedhur që të grupojë mobilimin e shkollave në një tender të vetëm, duke shmangur konkurencën e lirë dhe të ndershme.

Tendera të ngjashëm janë zhvilluar me shumicë gjatë vitit 2020 e në vijim. Por, këto nuk konsiderohen “grabitqare” nga Kryeministri.

Tendera “grabitqarë” duket se janë vetëm ata me vlera 200 milionë lekë të vjetra, si ai që po mban pas hekurave Fatos Tushen e Lushnjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco