Bllokohen për orë të tëra kamionët e tonazhit të rëndë në portin e Durrësit, shoferët në protestë

Bllokohen për orë të tëra kamionët e tonazhit të rëndë në portin e Durrësit, shoferët në protestë

18:28, 06/07/2021
A+ Aa A-

100 kamionë të tonazhit të madh kanë orë e orë të tëra që presin për t'u ngarkuar në portin detar të Durrësit. Kjo për shkak se kompania Mariner Adriatic (HILI), e cila ka në zotërim terminalin e kontenierëve, nuk është në gjendje që me shërbimet e saj të plotësojë nevojat e subjekteve sipas kontratave që kanë me të për përpunimin e kontenierëve, ngarkim apo shkarkim.

Shoferët e kamionëve kanë kohë që ankohen për radhët e gjata dhe orët e ditët që iu duhet të presin për t'u ngarkuar apo shkarkuar.

Një prej shoferëve sqaron se sot janë në radhë 100 kamionë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, të cilët në këtë vapë presin radhën që të kryejnë ngarkimin dhe shkarkimin e tyre.

Një situatë e tillë ngjet sepse kompania nuk ka në gatishmëri mjetet e ngarkim- shkarkimit që quhen Risteker. Ato janë vinça me gomë, të lëvizshëm enkas për kontenierët. Nga 5 që disponon kjo kompani, punojnë 1 ose 2 prej tyre, ndërsa të tjerët nuk janë në gatishmëri.

Një situatë e tillë, thonë shoferët, ka të paktën 3 muaj që ngjet herë pas here.

Në 2 raste shoferët kanë protestuar pranë zyrave të kompanisë për këto vonesa. Edhe 2 ditë më parë ata ngritën zërin, por situata ka mbetur po ajo.

Duhet theksuar gjithashtu se edhe anijet, që vijnë nga portet fqinj, për një punë që duhej të mbaronte për 24 orë punë, detyrohen të presin me ditë të tëra prej 3 muajsh tanimë!

Një situatë e tillë rrezikon që subjektet tregtare shqiptare, maqedone apo kosovare t'i drejtohen porteve të Greqisë apo Malit të Zi për të marrë shërbimet e ngarkim- shkarkimit të konteinerëve me anë të të cilëve ata eksportojnë apo importojnë mallrat e tyre. E kështu tarifat e majme rrezikojnë të largohen nga porti i Durrësit e bashkë me portin humbasin edhe agjencitë detare e padyshim humbësi më i madh do të jetë dogana.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco