'Gimi i Zjarrfikësve' – Patronazhist, trafikant droge dhe i përfshirë në shitblerje votash

'Gimi i Zjarrfikësve' – Patronazhist, trafikant droge dhe i përfshirë në shitblerje votash

09:44, 22/06/2021
A+ Aa A-

Koka e grupit të trafikantëve të drogës që u godit dje me kërkesë të Prokurorisë së Zvicrës rezulton të jetë një punonjës i shërbimit zjarrfikës në Tiranë. Në regjistrin e PS ai figuron si një prej patronazhistëve që mbulonte qendrën e votimit 18754 në Kombinat, ndërsa PD me anë të sekretarit të Përgjithshëm të saj Gazment Bardhi pretendon se ka përgjime që është përfshirë dhe në shitblerjen e votave në favor të mazhorancës

Një prej të ndaluarve për trafikun e kokainës mes Shqipërisë dhe Zvicrës, rezulton të ketë qenë patronazhist i Partisë Socialiste në zgjedhje, dhe i përfshirë në shitblerjen e votës. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi, shprehet se ekzistojnë përgjime se personat kanë qenë të përfshirë në shitblerjen e votave për dyshen Rama-Doshi. Më saktë bëhet fjalë për Ndriçim Harkën, 47 vjeç, i punësuar si zjarrfikës në Tiranë.

Sipas të dhënave nga regjistri i patronazhistëve, rezulton se ky person ka qenë i angazhuar si patronazhist votash në zonën e Kombinatit, ku ndodhet dhe Shërbimi Zjarrfikës, qendra e votimit 18754 në shkollën “Kongresi i Manastirit”.

“Ndalohen dy trafikantë droge dhe përgjimet tregojnë se kanë qenë të angazhuar në blerje votash për regjimin Rama-Doshi. Arrestohet për trafik droge një punonjës i zjarrfikëses në Tiranë dhe rezulton të jetë patronazhist i PS-së. Ky është kriminalizimi i politikës, kjo është masakra zgjedhore e 25 prillit, kështu u pengua ndryshimi që njerëzit donin, me trafikantë droge e paratë e pista të drogës. Zhbërja e kësaj padrejtësie është dhe do të mbetet misioni ynë. Ne nuk do të ndalemi në betejën tone kundër kësaj pakice që përdor çdo mjet për të tjetërsuar vullnetin e lirë të shqiptarëve. Me shumicën e qytetarëve ne do të kthejmë legjitimitetin dhe demokracinë në vend”, thotë Bardhi në statusin e tij.

Trafiku

Faktet dolën në dritë pas goditjes së djeshme të një grupi të trafikut të drogës. “Nga materialet e përcjella nga autoritetet zvicerane, në këtë aktivitet trafiku rezultojnë të përfshirë shtetasit Edmond Merja dhe Ndriçim Harka, i punësuar në Bashkinë Tiranë”, thuhet në dosjen hetimore të Prokurorisë, raporton Panorama. Në Zvicër, hetuesit kërkuan ndihmën e autoriteteve shqiptare, për të zbuluar rolin që kishte punonjësi i Bashkisë, Ndriçim Harka në trafikun e kokainës, që në dokumentet e prokurorëve zviceranë rezulton edhe me pseudonimet ‘Gimi’ ose ‘Qimi’.

“Prokuroria e Kantonit të Valias, Zvicër, ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të personit të quajtur ‘Gimi’, ose ‘Qimi’, me qëllim për të identifikuar rolin e tij në trafikimin e kokainës mes Zvicrës dhe Shqipërisë dhe për këto arsye është bërë kërkesa për regjistrimin e procedimit penal në Shqipëri me qëllim hetimin paralel në territorin e Shqipërisë”, thuhet në dosje.

Prokuroria thotë se ka prova që Ndriçim Harka është ‘përgjegjës’ për organizimin e trafikut të lëndës narkotike të llojit kokainë nga Shqipëria dhe nga vendet e tjera për në Zvicër.

“Ndërkohë edhe të dhënat e këqyrura në aplikacionin ‘truecaller’ për dy prej numrave të dyshuar në përdorim të ‘Gimit’ ose ‘Qimit’, rezultojnë me të dhënat ‘Cimi Rizait’, duke theksuar se i ati i shtetasit Ndriçim Harka është shtetasi Riza Harka. Si përfundim, mbështetur në sa parashtruam më sipër, ekzistojnë dyshime të forta të mbështetura në prova se Ndriçim Riza Harka është personi i etiketuar prej hetimeve të kryera nga autoritetet zvicerane si ‘Gimi’ ose ‘Qimi’, dhe është përgjegjës për organizimin e trafikut të lëndës narkotike të llojit kokainë nga Shqipëria dhe nga vendet e tjera për në Zvicër”, thuhet në dosje.

Sipas hetuesve, Ndriçim Harka kishte arritur që duke qëndruar vetë në hije, në bashkëpunim me të tjerë, kishte ngritur një skemë të mirëfilltë dhe mirëfunksionuese në formën e degëve të një peme të trafikut të lëndëve narkotike.

“Ky shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë duke vepruar në mënyrë të fshehtë ka ngritur një skemë të mirëfilltë dhe mirëfunksionuese në formën e degëve të një peme të trafikut të lëndëve narkotike, droga të forta të llojit kokainë dhe heroinë duke përdorur dhe paguar persona të tjerë si shtetas shqiptarë ashtu edhe shtetas të huaj ndërkohë që vetë si persona organizatorë të këtij trafiku qëndronin në hije duke iu shpëtuar kështu goditjeve nga organet ligjzbatuese”, thuhet në dosjen e prokurorisë./MAPO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco