Lajmi i fundit

Rrezohet rekursi i Fredi Belerit për lejimin e betimit si kryebashkiak i Himarës

'Piramida si ilaç harrese kolektive'

'Piramida si ilaç harrese kolektive'

08:57, 22/06/2021
A+ Aa A-

Në asnjë vend ish-komunist në Europë nuk janë ndërmarrë nisma të tilla të njëanshme nga qeveritë pavarësisht krahut politik që i përkasin. Ka memoriale për viktimat dhe disidentët, ka muze që u kujton brezave të rinj sakrificat e popullit, por edhe krimet e kryera gjatë diktaturës. Ku tjetër mund të mësohej prej tyre në Shqipëri, sesa në mauzoleun e diktatorit?! 

Nga Jonila Godole.

Një artikull në revistën "The Economist“ i kushtohet Piramidës, çfarë ishte dhe çfarë do të bëhet.  Në artikull thuhet se prej vitit 1991, askush nuk ka pasur ndonjë ide se çfarë mund të bëhej me Piramidën. Kjo nuk është vërtetë. Nga viti 1991 deri më sot janë hedhur ide të ndryshme se çfarë mund të bëhej me Piramidën: disa donin ta shembnin fare, disa donin të strehonin aty Parlamentin, kurse të tjerë donin një muze për të mos harruar terrorin 45-vjeçar komunist. Qysh në semestrin e parë, studentët e gazetarisë mësojnë ta verifikojnë lajmin nga të paktën dy burime të pavarura.

Sikur "The Economist“ të mos mjaftohej me burimin e vetëm që ka zgjedhur të pyesë, kryetarin aktual të bashkisë së kryeqytetit, do të kishte dhënë një kontribut të vlefshëm në debatin e dosmosdoshëm për kujtesën ndaj diktaturës.

Fatkeqësisht, në Shqipëri, fati i gjithçkaje me vlerë historike, qofshin këto godina, apo ngjarje me rëndësi në shtetformimin tonë nuk hidhet për debat mbarëshoqëror, nuk diskutohet me ekspertë të fushës, me grupe interesi, por vendoset nga agjenda politike. Nga kryeministri e deri te deputeti në parlament kanë marrë ekskluzivitetin edhe të studiuesit, edhe të historianit, edhe të akademikut, të dizajnuesit a të blegtorit. Çdo iniciativë qytetare apo peticion në mbrojtje të kauzave të kujtesës historike apo trashëgimisë kulturore është injoruar sistematikisht.

Por, sot kemi një precedent të ri: Nëse dikur qeveritë e mëparshme, nga frika e konfliktualitetit mes palëve, i lanë vendet e kujtesës, të persekutimit dhe të vuajtjes gjatë komunizmit, qëllimisht pas dore, thua se nuk ekzistonin, sot ndodh e kundërta. Ka një zell të tepruar për t’i tjetërsuar ato: Piramida e diktatorit do të jetë qendër teknologjike, kurse ish-vila e tij është qysh tani një qendër koncertesh dhe aktivitetesh kulturore, ku vizitori ftohet të mallëngjehet nga thjeshtësia e jetesës së diktatorit krahasuar me luksin e politikanëve gjatë demokracisë.

Në asnjë vend ish-komunist në Europë nuk janë ndërmarrë nisma të tilla të njëanshme nga qeveritë pavarësisht krahut politik që i përkasin. Ka memoriale për viktimat dhe disidentët, ka muze që u kujton brezave të rinj sakrificat e popullit, por edhe krimet e kryera gjatë diktaturës. Ku tjetër mund të mësohej prej tyre në Shqipëri, sesa në mauzoleun e diktatorit?! Por kjo do të hapte debat shoqëror, të cilin nuk e do asnjëra nga palët politike, dhe prandaj ato bien dakord ca me zë dhe ca pa zë për tjetërsimin e identitetit të Piramidës.

Shumë shpejt, brezi i mijëvjeçarit të ri, kur të ulet në shkallaren e qendrës së re teknologjike, do gajaset me historinë e godinës sesi ajo u ngrit dikur në kujtim të një plakushi të sëmurë e me gjasë të rrjedhur (ç’diktator zeza ishte ai, aman?!). Që brezi i ri di shumë pak për historinë e diktaturës dhe përgjegjësit kryesorë të saj kjo del në pah në çdo sondazh dhe në çdo bisedë me ta. Dhe janë po këta të rinj që ndihen të turpëruar kur vizitojnë memoriale kombëtare në vende të tjera dhe pyesin, përse mungojnë ato në Shqipëri, siç dëshmojnë udhëtimet studimore të IDMC prej vitit 2015.

Harrimi kolektiv i të shkuarës, me dekret nga lart, nuk është as zgjidhje dhe as ilaç shërues. Do të ishte njësoj sikur korpusi i godinave qendrore të Gestapos në Berlin të kthehej në qendër teknologjike, pa hapur më parë debat për memorien historike, a duhet ruajtur ajo apo jo, sa kohë duhet ruajtur, cilat janë format adekuate të konservimit arkitekturor dhe historik, etj.

Në vitin 1987, në vendin ku gjatë viteve 1933-1945 kupola naziste thurte planet famëkeqe për zhdukjen e hebrenjve dhe supremacinë ariane në botë, u hap një ekspozitë e përkohshme me fakte tronditëse historike, "Topografia e Terrorit“. Në shkurt 1989, Senati i Berlinit ngriti një komision me ekspertë për të vendosur mbi fatin e godinave të terrorit nazist. U shpallën disa konkurse për ta kthyer atë në një qendër dokumentare, apo muze klasik, dhe deri sot e kësaj dite debatet vazhdojnë, ndërkohë që qendra vizitohet nga 1.5 milionë turistë në vit.

Pamje:

 


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Muzapopullore 25/06/2021 07:24

Kur bëhet fjalë për " mish" nuk ka më arkitekturë, trashëgimi, kujtesë apo qytet. Dhe sdromsat duan vetem " mish". Fatkeqesisht do na duhet te jetojme kete gossip " mishi" të neo punistëve

Shto koment

Denonco