VIDEO/ Shembja e Teatrit, çfarë pritet të vendosë Gjykata Kushtetuese

VIDEO/ Shembja e Teatrit, çfarë pritet të vendosë Gjykata Kushtetuese

09:50, 17/06/2021
A+ Aa A-

Pas mbi 10 orë diskutimesh e debatesh në seancë, trupa gjykuese është tërhequr, duke i dhënë kohë vetes për vendimin përfundimtar mbi çështjen e nxehtë, ku përballë janë qeveria dhe Bashkia e Tiranës kundër Presidencës dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Në seancën e djeshme u bë gjykimi i themelit të çështjes, ku Presidenti dhe Aleanca kërkuan shfuqizimin e ligjit special të 2018-ës, të VKM së transferimit të pronës së 2020- ën dhe vendimit të Bashkisë për shembjen e Teatrit.

Seanca maratonë nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në 22:05. Anëtarët e kushtetueses dëgjuan pretendimet e 4 palëve, pjesë e këtij gjykimi, të cilët administruan provat dhe mbyllën hetimin ndërsa u tërhoqën për të marrë një vendim.

Sipas rregullores, Gjykata Kushtetuese duhet të japë një vendim brenda 24 orëve për këtë çështje. Të gjitha palët e përfshira në gjykim mbrojtën qëndrimet e tyre duke i argumentuar ato. Për një vendim kundër shembjes së Teatrit Kombëtar votimi duhet të 5 me 2 në favor të Teatrit, ndërsa 4 me 3 i jep të drejtë qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës për shembjen e godinës.

QËNDRIMET

Përfaqësuesi i Presidencës: Çështja ka nisur që në mars 2018, që përkon dhe me daljen jashtë funksionimit të Kushtetueses. Në atë kohë u hodh ideja e një ligji special, të një zone në qendër të Tiranës. Shumë shpejt, në 26 qershor 2019, ligji special për ndërtimin e Teatrit Kombëtar. Presidenti e vlerësoi me seriozitet, jo vetëm ligjim special, por edhe qëndrimet publike të shoqërisë civile, ekspertëve dhe aktorëve pro dhe kundër, si dhe ktheu me dekret ligjin. Kuvendi duhet të merrte kohën e duhur deri në funksionalizimin e Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi mori dekretin e Presidentit dhe e vendosi parimin e tij. Titulli i ligjit ndryshoi, përmbajtja e procedura dhe e çoi te Presidenti si një ligj të ri. Rezultoi se Kuvendi nuk kishte rivlerësuar konstatimet e Presidentit. Përpjekja e vetme ishte të hiqte emrin e kompanisë propozuese dhe atë ta zëvendësonte me paragrafë që çonin po tek e njëjta kompani. Me datë 9 maj Presidenti bëri dy thirrje që të ndërpritej çdo veprim ndaj godinës së Teatrit. Më 12 maj Rama deklaroi me forcë se godina do të prishej. Më 14 maj Meta depozitoi në këtë gjykatë kërkesën e dytë dhe bëri thirrje të mos vendosej dorë mbi godinat e Teatrit derisa të shprehej Kushtetuesja. Po atë ditë, Këshilli Bashkiak kishte vendosur shkatërrimin e godinës së Teatrit Kombëtar. Thirrjet nuk u dëgjuan. Por nuk u dëgjua as ajo e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që kishte konstatuar se godina nuk duhet të prishej. Nuk mundet Bashkia apo institucionet të kryejnë procedura administrative për ndërtimin e Teatrit të ri, derisa të përfundojë ky gjykim kushtetues.

Përfaqësuesi i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit: Transferimi i pronësisë nga Ministria e Kulturës në pronësi të Bashkisë Tiranë është bërë në mënyrën më të turpshme, me një fletë-dalje. Një fletë-dalje të tillë nuk bën asnjë zyrë ekonomike për nxjerrjen e një malli nga magazina. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shpreson që mbi këtë çështje të jepet drejtësi këtu në Kushtetuese, pasi në të kundërt, do t’u drejtohemi edhe gjykatave ndërkombëtare.

Përfaqësuesi i Kuvendit: Ne reflektuam pas rikthimit të ligjit nga Presidenti dhe bëmë ndryshimet e nevojshme, për këtë arsye ligji i ri nuk është në kundërshtim me Kushtetutën. Teatri Kombëtar nuk është në listën e Monumenteve të Kulturës. Nga ekspertët është thënë se kanë dalë në përfundimin se godina e Tetarit Kombëtar nuk mund të rikonstruktohej dhe ajo kishe dalë jashtë funksionit.

Përfaqësuesi i qeverisë: Kjo është çështje e vështirë, vështirësi të mëdha se si Kushtetuesja duhet të disponojë, artikulojë e vendosë mbi palët. Vetë Presidenti në kërkesën e tij në gjykatë niset nga faktet që nuk janë fakte ligjore. Rrethanat dhe kërkesat e tyre janë aspak të denja për Gjykatën Kushtetuese dhe jo në kompetencë të saj. Edhe pse ligjvënësi e ka veshur me mbajtjen lart të gjykimit kushtetues. Vlera kulturore ka interes publik. Godina e Teatrit Kombëtar nuk ka pasur vlerë kulturore. Pronat që mbartin vlerat vihet në statuse specifike. Tri mbledhje, fakte e parametra teknikë për të identifikuar jashtë mënyrës së saj të vlerësimit. Pa asnjë funksion publik në momentin e prishjes së një godine, po gjykoni një vendim të Këshillit të Ministrave. Kam marrë një letër nga aktorët për stresin e përditshëm në këtë godinë ku bëheshin shfaqjet. Ka pasur dhe grupe vlerësuese nga institute e ndërtimit, që theksonin rrezikshmërinë. Ligji objekt shqyrtimi nga Presidenti është akt individual. Qëllimi i ligjit nuk ka qenë të rregullojë menaxhimin e një pasurie kulturore, por të krijojë një vend kulture për institucionin e Teatrit Kombëtar. Qëllimi i tij ishte për krijimin e një marrëdhënieje publik-privat. Për kalimin e pronësisë ka pasur një vakum ligjor./Panorama

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco