RENEA si 'gjethe fiku' për Edi Ramën!

RENEA si 'gjethe fiku' për Edi Ramën!

10:20, 16/06/2021
A+ Aa A-

Muaji qershor nisi dhe po vazhdon me një seri vrasjesh mafioze, të gjitha pa autor. Ky revansh i krimit të organizuar i cili po lë prapa shumë kufoma dhe ka ngjallur panik në këtë sezon turistik, nuk është rastësor.

Krimi ndihet i sigurt e është trimëruar, pasi ka përballë një polici me koka drejtuese të paafta në rastin më të mirë dhe të kapura prej tyre, në rastin më të keq.

Pas vrasjeve në Vlorë, Shkodër, Elbasan, etj, nën trysninë e një vlage të fortë revolte dhe akuzash nga opinioni publik dhe media për këtë rritje galopante të krimit, duket se kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Çuçi, si mënyrë reagimi kanë zgjedhur të bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë; Show dhe vetëm show.

Brenda një harku të shkurtër kohor kanë nxjerrë në terren repartin policor elitë, RENEA, për të kryer disa ndërhyrje në zona të ashtuquajtura të nxehta të vendit.
Rezultatet zero, spektakli 10!

Të gjitha këto aksione që dikur i kryente policia lokale dhe herë pas here me mbështetje të FNSH, jo vetëm po i publikojnë si “suksese”, por arrijnë deri aty sa në disa raste të njoftojnë edhe segmente të caktuara të medias, që të bëhen gati dhe të shkojnë në terren për të filmuar e fotografuar, përpara se këto forca të mbërrijnë aty!

Gjithë shqiptarët tani e dinë se RENEA bën “xhiro” herë pas here dhe rrethon Niklën, lagjet Kir dhe Dobraç në Shkodër, bastis e bën kontrolle nëpër kafenetë e Vlorës, Elbasanit, etj.

Pas gjithë këtyre “super-aksioneve” rezultati na del një blof i madh, që do të turpëronte edhe policitë lokale. Shoqërohen herë pas here, duzina personash për armëmbajtje pa leje, makina me xhama të zinj apo të blinduara e me ca gram hashash në xhep.

Shumicën më pas i liron gjykata sepse nuk ka prova, kurse të tjerë janë në pritje të ndonjë dënimi të lehtë, siç i takon një “krimineli” ordiner rruge.

Kjo që po ndodh nuk është vetëm e turpshme, por tregon edhe faktin se qeveria Rama e ka humbur kontrollin (ose po bashkë-kontrollon) mbi territorin e vendit, përballë krimit.

Drejtoritë policore nëpër rrethe po shfaqen të dorëzuara, ndaj duhet spektakli i pranisë së RENEA!

Për këtë maskaradë dhe keqpërdorje që po iu bëhet djemve të repartit më të saktë policor që ka Shqipëria, duhet urgjentisht një hetim i thelluar që shkon deri te Drejtori i Përgjithshëm dhe ministri.

Kush po e përdor në mënyrë të jashtëligjshme, për politikë ditore dhe po e turpëron deri në atë pikë repartin elitar RENEA, saqë edhe kalamajtë e lagjeve po tallen?!

A i patë pamjet e fundit kur gjithë ata “Rambo” të trajnuar nga ekspertë gjermanë, të pajisur kokë e këmbë me armatimin dhe veshjet më moderne të kohës, futeshin në kafene gjatë ndeshjes Francë-Gjermani dhe kontrollonin xhepat e adoleshentëve të mbështetur me duar lart pas murit?!

Për të gjithë ata që nuk e dinë, RENEA, është një akronim i cili “përkthehet”: Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur.

Djemtë e këtij reparti janë stërvitur dhe trajnuar ndër vite nga ekspertë të huaj, vetëm për raste të jashtëzakonshme të rrezikshmërisë së lartë. RENEA është një repart që i kushton shumë taksapaguesve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtar, si amerikanëve dhe gjermanëve.

Ka një rregullore të “egër”, që përcakton funksionimin e kësaj force. RENEA del nga reparti vetëm me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe vetëm në raste, kur bëhet fjalë për ngjarje të jashtëzakonshme kriminale apo terroriste; kur duhet të neutralizohen vrasës dhe elementë kriminalë të rrezikshmërisë së lartë.

Dhe mbi të gjitha ajo futet në aksion, vetëm pas informacioneve 100% të sigurta dhe në sekret të plotë. Jo vetëm nga media (identiteti i tyre është sekret shtetëror, sa janë në shërbim) por edhe nga forcat e tjera policore, qendrore apo rajonale.

Këtë repart legjendar me shumë dëshmorë dhe suksese që janë përgëzuar nga agjencitë më prestigjioze të huaja, nuk ka guxuar ta përdorë deri më tani, asnjë forcë politike në pushtet.

Por ja që paska një herë të parë dhe këtë në mënyrën më të turpshme dhe antiligjore po e bën Edi Rama nëpërmjet një zari të dështuar dhe në depresion; Drejtorin e Përgjithshëm të policisë Ardi Veliu.

Për nevoja të imazhit të qeverisë Rama, reparti mitik dhe “i frikshëm” që nuk dështon kurrë është futur në një lojë të turpshme politike-spektakli. Ideja është që kryeministri, të mbulojnë të vërtetën e dështimit qeverisë së tij në betejën me krimin e sofistikuar.

Edhe më keq; të mbulojë ortakërinë dhe bashkëpunimin që ai vetë, drejtues të lartë të PS-së, deputetë e drejtor policie kanë me ata të cilëve bëjnë sikur ju dërgojnë RENEA-n, pasi i kanë njoftuar më herët: ikni se po vijnë!

Për të mbuluar me spektakël dhe demonstrim force për mediat, dështimin e të ashtuquajturit operacion, “Forca e Ligjit” i cili në fakt ekziston vetëm në letër dhe banaqet propagandistike.

Kush “e bëri” drogën dhe po e vazhdon po njësoj, në Vlorë; cilët janë ata që porosisin vrasje e rrëmbime?!

Kush ekzekuton dhe pajton vrasës me pagesë; kush i vë gjobat, kush bashkëpunon hapur me klanet e rrezikshme mafioze të Malit të Zi, rrëmben dhe “zhduk” persona në Shkodër?

Cilët janë grupet dhe familjet mafioze, që “bëjnë” kokainën në Fier dhe heroinën në Elbasan?

Cilat organizata e kontrollojnë qytetin e Durrësit, portin etj, edhe në bashkëpunim nga zyrat e bashkisë? 

Kush ekzekuton e pse; nga “zhduken” autorët dhe pse të gjithë trafikantët na dalin “biznesmenë”?! 

Vetëm nëse Rama me policinë e tij dhe SPAK me prokurorët e vet, do të munden që t'u vënë gishtin dhe emrin gjithë këtyre, mund të futet RENEA në lojë.

Për t'i arrestuar e madje edhe eliminuar nëse bëjnë “të fortin”, siç e bëjnë në fakt me drejtorët e “kambale” Veliut nëpër rrethe.

Por kjo nuk ka për të ndodhur kurrë për sa kohë që numrat e telefonave të kokave të krimit të organizuar më kollaj i gjen në aparatin telefonik të kryeministrit, se sa në dosjet hetimore të policisë, prokurorisë apo SPAK.

Ndaj lëreni të qetë RENEA-n të vazhdojë stërvitjen në repartin e saj në Linzë, sepse një ditë do të ketë shumë punë. Mos ia hiqni atë vel legjendar që ngjall shpresë te qytetarët e ndershëm dhe frikë, te kriminelët. E ka fituar, edhe me gjak e dëshmorë ndër vite.

Kjo keqpërdorje politike është e dhimbshme për ata çuna, ogurzezë për shqiptarët e ndershëm dhe një fitore e madhe e radhës, për krimin!/Po.Ho
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Lali16/06/2021 12:06

Ka edhe gjethe ISLLASH, qe te pervelojne................

Shto koment

Denonco