Lajmi i fundit

SPAK rrëzon Olsi Ramën, nuk pranon kallëzimin e tij ndaj Gazment Bardhit: Nuk është kryer asnjë shpifje

‘Në 3 vite u pastruan në ndërtim 1.6 mld euro’/ Raportet ndërkombëtare: 60% e firmave nuk justifikojnë paratë

‘Në 3 vite u pastruan në ndërtim 1.6 mld euro’/ Raportet ndërkombëtare: 60% e firmave nuk justifikojnë paratë

12:29, 15/06/2021
A+ Aa A-

Raportet financiare tregojnë se në vendin tonë është shënuar rritje në sektorin e ndërtimit dhe kjo vlerë është shumë më e lartë se në vendet e rajonit dhe gati i dyfishit që ajo zë në ekonomitë e vendeve të BE-së. Hipotezat për pastrimin e parave bazohen në raportet ndërkombëtare  të cilat nënvizojnë se rreth 60% e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në periudhën 2017- 2019 në kryeqytet, nuk justifikojnë burimet e tyre financiare

Nga Syri TV

Në një vend që shpopullohet dita ditës ende vazhdon absurdi i shtimit të ritmeve të ndërtimit. Shqipëria vazhdon të ketë një rritje të madhe të vlerës së shtuar në ekonomi prej aktiviteteve ndërtuese. Madje kjo vlerë është shumë më e lartë se në vendet e rajonit dhe gati i dyfishit që ajo zë në ekonomitë e vendeve të BE-së. Sipas revistës ekonomike Monitor, “Ndërtimi zuri 9.9 % të Vlerës së Shtuar së ekonomisë së Shqipërisë më 2019. Në BE ky sektor zuri vetëm 5.5%, ndërsa në Rajon niveli më i lartë i raportua në Kosovë 10.6%

Hipotezat vijnë nga raportet ndërkombëtare që e lidhin rritjen e ndërtimeve me pastrimin e parave të pista dhe ato të ardhura nga aktivitete kriminale.

Sipas një raporti të gushtit 2020, “Flukset financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, nga  “Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar” rezultatet janë shumë negative. Aty theksohet se “Rreth 60% e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në periudhën 2017- 2019 në kryeqytet, nuk justifikojnë burimet e tyre financiare, ndërsa vlerësohet se për këtë periudhë 3 vjeçare janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro”.

Edhe Task Forca Financiare e MONEYVAL, që është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës theksonte në shkurt të vitit 2020 se ne jemi i vetmi vend europian që hyjmë në “zonën gri” për pastrimin e parave duke u renditur përkrah shteteve të botës së tretë.

Edhe agjencia Reuters në momentin kur nuk u hapën negociatat nga BE në korrik 2019 shkruante se një nga shkaqet që u ndëshkua Shqipëria, qe se ajo  perceptohej si një nga vendet më të korruptuara të Evropës që nuk ka arritur të luftojë pastrimin e parave, prandaj përballet me rezistencë më të fortë nga shtetet e Evropës veriore.

Qeveria shqiptare e ka mohuar gjithmonë lidhjen direkte mes boomit të ndërtimeve dhe pastrimit të parave të pista. I pyetur për këtë para zgjedhjeve në një konferencë për shtyp, kryeministri Rama u përgjigj: “A ka pastrim parash? Ku nuk ka? Dini ndonjë vend që nuk ka? Të gjitha vendet luftojnë me paratë e pista. Dhe në Shqipëri rregullat e vendosura janë jashtëzakonisht të shtrënguara në raport me shumë vende të tjera. Dhe ky është një problem që unë e kam dhe e diskutoj vazhdimisht me institucionet përkatëse”.

Shifrat e Monitor e nxjerrin ekonominë e një vendi në shpopullim të pompuar nga aktivitetet e ndërtimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco