Si arriti 'thonj papreri' i Fatos Nanos, te kongreset diktatoriale në stadiume

Si arriti 'thonj papreri' i Fatos Nanos, te kongreset diktatoriale në stadiume

10:26, 12/06/2021
A+ Aa A-

Nga Poli Hoxha.

Sot (12 qershor 2021) Partia Socialiste mbledh kongresin e saj `të fitoreve`. Edi Rama ka vendosur që ta mbajë këtë event në një format diktatorial; në stadiumin më të madh që ka vendit, `Air Albania`, duke bërë atë që as Fidel Kastro në Kubë e Kim Jong në Korenë e Veriut, nuk kanë guxuar që ta bëjnë.

`Kongresi i fitoreve` të vjedhura, si axhendë kryesore ka planin dhe ambicien e Edi Ramës për të mbajtur pushtetin deri në vitin 2030!

Nëse e realizon (sepse tani ja ka marrë dorën makinerisë korrëse elektorale), në vitin 2030 Edi Rama do të celebrojë plot 33 vite në pushtet. Ndaj është normale që për këtë ambicie dhe makutëri kaq të madhe, të organizojë një kongres butaforik.

Por si ja doli ai që të shndërrohet nga një `thonj paprerë` siç thotë Fatos Nano se e gjeti kur e bëri ministër për herë të parë në vitin 1998, në një autokrat të plotpushtetshëm që bën kongrese madhështore nëpër stadiume?!

Edi Rama pasi tentoi në fillim të viteve 90-të që të infiltrohej brenda Partisë Demokratike, pasi dështoi të krijonte një parti ekstremiste, kristiano-islamike, për disa vite zgjodhi emigracionin kryesisht i vendosur në kryeqytetin e Francës, Paris.

Për atë periudhë ai është akuzuar se është hetuar për trafik veprash arti dhe më konkretisht; ikonash mesjetare të vjedhura. Ndër akuzuesit më të besueshëm dhe të mëdhenj ka qenë vetë ish-kryeministri socialist Fatos Nano, por edhe shumë zëra të tjerë publik.

Papritur,  në vitin 1998, ndërsa ndodhej në Shqipëri për funeralin e babait të tij, Rama mori një telefonatë nga kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë, Fatos Nano, i cili i kërkoi që ai të shërbejë si ministër i ri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Rama vendosi ta pranonte ofertën, duke u futur kështu zyrtarisht në politikë.

Këtu nis edhe njohja e tij me tërheqjen magnetike të pushtetit. Njerëz të afërt tregojnë se ai ka një nevojë patologjike për pushtetin, të ngjashme me urinë e vampirëve për gjak.

Si ministër Kulture ai do të mbahet mend për konfliktualitetin e madh që krijoi me komunitetin e artistëve, si dhe për planin e tij për të prishur Teatrin Kombëtarë, i cili u hodh poshtë nga vetë socialistët.

Shfaqi hapur një oreks të madh, për të ecur më tej në karrierën politike. Hapi radhës ishte sigurimi i kandidimit nga ana e PS-së, për kryetar i bashkisë së Tiranës.

Në tetor të vitit 2000, Rama, hyri dhe fitoi garën për kryetarin e bashkisë si kandidat i pavarur, i mbështetur nga Partia Socialiste kundër shkrimtarit Besnik Mustafaj.

Pas marrjes së detyrës krijoi brenda atij institucioni, një grup në formë sekti që nuk kishte lidhje me PS-në. I ndihmuar posaçërisht edhe nga kryeministri në atë kohë, Ilir Meta, ai ndërmori një fushatë radikale për kthimin e shumë pjesëve të qendrës së Tiranës dhe lumin “Lana” në format e tyre origjinale, duke shkatërruar qindra ndërtime të paligjshme.

I mbështetur fuqimisht edhe nga media, Rama morri shumë shpejt emër të madh brenda socialistëve, kështu që nisi zbatimin e planit për të marrë drejtimin e partisë.

Ai e drejtoi Bashkinë e Tiranës për 11 vjet, por në zgjedhjet lokale të 8 majit 2011 Rama që kandidonte për herë të katërt, humbi ndaj kandidatit të Partisë Demokratike Lulzim Bashës.

Për periudhën që ka qenë ministër Kulture dhe kryetar i bashkisë së kryeqytetit, Rama pati akuza konkrete dhe një hetim parlamentar të drejtuar nga ish deputeti Sokol Olldashi. Abuzimi me financat, tenderat dhe veçanërisht me lejet e ndërtimit, janë në një dosje gjigante që ende gjendet në bodrumet e prokurorisë.

Në tetor 2005 duke bërë lojëra të dyfishta, herë me Ilir Metën dhe herë me Fatos Nanon, Rama arriti që të kapë drejtimin e Partisë Socialiste edhe pse në fazën e parë të kongresit program i tij rrëzua.

U përfol për blerje- shitje delegatësh, pasi buxheti i krijuar nga lejet e ndërtimit në bashki ishte shumë i madh. Gjithsesi njësoj siç bëri në bashki, Rama u kujdes që të nis brenda PS-së konsolidimin e një sekti besnik ndaj tij, duke nisur në disa faza spastrimin e figurave historike të PS-së.

Ky grupim “përtej bindjeve ideologjike dhe partiake”, do të pagëzohej me emërimin “Rilindja”.

Ai ka simbolet e veta të cilat zëvendësohen nga ato të PS-së, vetëm kur Edi Rama kërkon vota nga socialistët.

Opozita e Edi Ramës u karakterizuar nga padurimi për të marrë qeverinë; Bllokim i vendit për të hapur negociatat me BE-në, braktisje të gjata të parlamentit, mosnjohje zgjedhjesh, tentativë antikushtetuese për të hapur kutitë, greva urie, protesta të dhunshme, etj.

 Në 1 prill të vitit 2013, pasi etja për pushtet prevaloi mbi luftën dhe urrejtjen që kishte shfaqur ndaj Ilir Metës dhe LSI-së, ai firmosi një koalicion që do ta sillte më në fund në majën e pushtetit.

Por nuk ishte vetëm pragmatizmi me Ilir Metën, i cili e bëri më në fund kryeministër. Siç doli më vonë edhe me fakte, Edi Rama, nëpërmjet një plani dhe strategjie të detajuar, bashkëpunoi fortë me krimin në të gjitha nivelet për të kapur pushtet.

Eksponentë të tyre arriti që ti fusë, edhe në parlament duke ju dhënë imunitet. Të tjerë gjetën strehë në pushtetin lokal dhe qindra në administratë, deri në nivele të larta.

Por nuk ishte vetëm ky shpërblimi dhe aleanca, për zgjedhjet e radhës dhe fitimin e tyre në vitin 2017.

Nëse sheh me kujdes listën e biznesmenëve që kanë fituar tendera, koncesione, punë publike, troje shtetërore etj, janë shumica me të kaluat të errët, lidhje dhe financa të dyshimta. Të gjithë dalin më pas të përfshirë në afera për shitje blerje votash, siç u vërtetuan dosjet 339 dhe 184.

Vetëm nga përgjimet e zbardhura rezulton se në Tiranë, Durrës, Elbasan, Lezhë, Kavajë, Dibër... krimi i siguroi Edi Ramës të paktën 10-15 deputetë përmes kërcënimit, grabitjes dhe blerjes së votës në zgjedhjet e kaluara të vitit 2017, kur ai mori edhe timonin i vetëm.

Edhe zgjedhjet e fundit të 25 prillit 2021 u “fituan” me të njëjta skemë, të njëjtët aktorë, të njëjtët kandidatë apo përfaqësues të tyre, por këtë herë më të sofistikuar dhe me “letra të kopsitura” shumë më herët dhe pa bujë.

Edi Rama vjen në këtë kongres madhështor të partisë në stadiumin `Air Albania`, me bilancin 8  vjeçar të një qeverisje që do të mbahet mend përveç të tjerave, edhe për skemën gjigante korruptive të koncesioneve dhe PPP-ve.

Në një alarm të fundit (11 qershor 2021), FMN, paralajmëroi sërish qeverisë shqiptare për financimet e veprave me anë të Partneritetit Publik Privat duke e konsideruar si një nga rreziqet më të mëdha që i kanoset ekonomisë së vendit.

Gjatë dy mandateve Rama ka dhënë më shumë se 200 projekte PPP (ose 31 përqind e Produktit të Brendshëm Bruto), një shifër kjo që ka alarmuar edhe të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Ndërkohë parlamenti i kontrolluar prej tij ka miratuar, edhe disa kontrata të tjera me vlerë qindra milion euro të cilat nisin në këtë mandat të tretë.

Etja e pakontrolluar për pushtet që karakterizon Edi Ramën, siç thonë edhe miqtë e tij, i ngjason gjakderdhjes që shkaktojnë vampirët.

Kjo etje shpjegon pse Edi Rama lejoi kultivimin dhe trafikimin masiv të drogës, madje nën mbrojtjen direkte të policisë dhe qeverisë. Sot si pasojë e kanabisimit dhe kthimit të vendit në një bazë ndërkombëtare logjistike të krimit të organizuar, vendi po përgjaket nga vrasjet mafioze.

Pushteti i siguruar nga kriminelët dhe oligarkët shpjegon, se pse Edi Rama liroi nga burgu dhe u dha pafajësi krerëve të bandave dhe pse çdo tender, licencë, PPP dhe punë publike shpërndahet vetëm në 4-5 duar.

Pushteti i siguruar nga bota e nëndheshme shpjegon, se pse Edi Rama bëri të mundur që Shqipëria të kthehet në bazë logjistike të trafikut të kokainës dhe heroinës. Pasojat po shihen nga gjakderdhja që ka nisur për larje të hesapeve dhe luftës për kontroll të organizatave rivale.

Etja dhe mbajtja e pushtetit me çdo kusht shpjegon se pse sot Edi Rama shkon në këtë kongres butaforik, i përfshirë personalisht në operacione gjigante të pastrimit të parave. Nga ndërtimet masive në bregdet e në qendër të Tiranës, tek aferat korruptive të pastrimit të parave me inceneratorët, PPP, e deri te grabitja e dhunshme e Teatrit Kombëtar për ta shndërruar në kulla dhe pastrim parash.

Etja e tij për pushtet, por mbi të gjitha frika për mënyrën se si e ka siguruar dhe e mban atë, shpjegon se përse ai ka nevojë të mbajë kongrese force në stadium!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

t12/06/2021 12:54

Ne fund te fundit propagande eshte edhe ky kongres brumbujsh. Detyre nr.1 e pd, eshte qe brenda 2 vjetesh te rrezoje rame&rilindje

Shqiptari12/06/2021 10:52

PRA, EDVIN RAMEN E KEMI PESHQESH NGA FATOS NANO POR TE RRITUR, TE NGRITUR DHE TE FUQIZUAR NE PUSHTET NGA VETE ILIR META! ILIR META VETEM PER KETE QE I KA BERE SHQIPERISE, DUHET TE LARGOHET PERFUNDIMISHT NGA POLITIKA. JO PER SHKELJE TE KUSHTETUTES, POR PER SHKELJE TE MORALIT POLITIK DHE TRADHETI NDAJ POPULLIT SHQIPTAR PER INTERESA MESKINE PERSONALE! ESHTE I VETMI POLITIKAN SHQIPTAR QE KA MBAJTUR TE 3-JA POSTET ME TE LARTA SHTETERORE NE NJE VEND DEMOKRATIK. 1) KRYEMINISTER 2) KRYETAR PARLAMENTI 3) PRESIDENT I REPUBLIKES KY ESHTE NJE REKORD GUINESS!

Shto koment

Denonco