Shkarkimet masive/ Pjerin Ndreu po përballet me një valë padish

Shkarkimet masive/ Pjerin Ndreu po përballet me një valë padish

10:48, 09/06/2021
A+ Aa A-

Gjashtë muaj pa mbushur moshën e pensionit dhe pak muaj pas ndërrimit të kryetarit të bashkisë në vitin 2019, Gjin Dedgjonaj me detyrë punonjës i shërbimeve publike në Njesinë Administrative të Kolshit në bashkinë e Lezhës, mori një letër nga burimet njerëzore.

“Pak muaj, pasi në krye të bashkisë erdhi Pjerin Ndreu, më ka ardhur një letër për tu paraqitur tek Drejtoria e Burimeve Njerëzore,” kujton Dedgjonaj, ndërsa shton se atje i thanë se vendi i punës është shkurtuar. “Nuk vonuan dhe brenda muajit me erdhi letra e largimit dhe përfundimisht u shkëputën marrëdheniet financiare,” shtoi ai.

Ndërrimi i kryetarit të bashkisë pas zgjedhjeve të vitit 2019 në bashkinë e Lezhës u shoqërua me një reformë të thellë të administratës në këtë njësi vendore.

Pas marrjes së detyrës nga Pjerin Ndreu si kryetar i ri i bashkisë, ky insitucion përmes Këshillit Bashkiak miratoi një strukturë të re të administratës, e cila parashikonte reduktim në masën 30% të punonjësve të kësaj njësie vendore, me pretendimin se administrata e saj ishte jo eficente dhe tejet e fryrë në organikë.

Riformatimi i administratës preku 250 punonjës, pjesa më e madhe e tyre të punësuar pas marrjes së bashkisë nga demokratet në vitin 2015. Pas miratimit të struktures së re, menjëherë bashkia nisi procedurat për zgjidhjen e kontratës së punës, ndërsa në të njejtën kohë nisën të bëheshin dhe lëvizje paralele të punonjësve.

“Në vitin 2019, Bashkia Lezhë ka patur në total 971 punonjës dhe fondi pagave ishte 551 milionë lekë, një shifër kjo mjaft e lartë,” tha bashkia në një përgjigje me shkrim. “Me vendim të Këshillit Bashkiak vendosëm që numri i punonjësve të zbriste nga 971 në 721, pra ka patur një shkurtim prej 250 punonjësish,” theksoi ajo.

Sipas bashkisë ky vendim ka qenë rezultat i rekrutimeve pa kriter të punonjësve të administratës, ndërsa theksoi se Komisioni i Mbikëqyerjes së Shërbimit Civil kishte evidentuar 143 raste të emërimeve në kundërshtim me ligjin gjatë periudhës 2015-2019. Ajo theksoi se refroma e marrë ka qenë e madhe, por shumë e domosdoshme për funksionim siç duhet të administratës.

“Ndërsa sa i përkes rasteve të procesece gjyqësore, ju bëjme me dije se çdo çështje në të cilat bashkia është palë do të ndiqet në të gjitha shkallët e gjyqësorit,” deklaroi Bashkia Lezhë.

“Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë nuk është i formës së prerë dhe për rrjedhoje nuk është i ekzekutueshëm,” shtoi ajo.

Klodian Marku, specialist i Artit Figurativ në Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Gjergj Lacaj” kujton se në vitin 2019, pas tre vitesh punë në këtë institucion, e kanë lëvizur nga funksioni dhe e kanë dërguar me detyrë në Njesinë Adminstrive Ungrej – e cila ndodhet në një zonë malore disa kilometra larg qytetit të Lezhës, ndërsa pozicioni që i kanë caktuar nuk kishte asnjë lidhje me arsimin e tij.

“Duke qenë se pozicioni që më transferuan nuk përputhej me arsimin e lartë që unë kam, kërkova me shkrim që ky urdhër të anulohej sepse nuk ishte respektuar Kodi i Punës, ku të paktën duhej të isha vënë në dijeni më përpara,” shprehet Marku, ndërsa thekson se pas disa ditësh i erdhi përgjigjja që kërkesa e tij është refuzuar.

“Në kushte të tilla bëra padi në gjykatë dhe arrita të fitoj të drejtën time,” shtoi ai, ndërsa shpjegoi se gjykata i cilësoi të paligjshme veprimet e bashkisë, duke e detyruar të ti paguante 10 rroga mujore.

Largimet e paligjshme nga puna në administratën publike i kushtojnë çdo vit taksapaguesve shqiptarë dhjetra milionë euro.  Marku nuk ka qenë punonjësi i vetëm i Bashkisë Lezhë që ka ndjekur rrugën ligjore. Referuar të dhënave zyrtare të Gjykatës së Lezhës, rezulton se nga shtatori i viti 2019 e deri në maj të vitit 2021, janë depozituar 42 padi nga ish-punonjës të Bashkisë Lezhë për largim të padrejtë nga punë – pjesa më e madha e të cilave janë pranuar.

Avokati Flamur Tahiri i cili ka ofruar asistencë ligjore falas për 16 punonjës të larguar nga puna, thotë se veptimet e bashkisë Lezhë kanë qenë në shumicën e rasteve në kundërshtim me ligjin.

“Procedura e ndjekur nga bashkia kanë qenë në kundërshtim me ligjin, kryesisht për mosrespektim të afatit të njoftimit për zgjidhjen e kontratës së punës nga punëdhënësi,” tha ai, ndërsa shtoi se kjo është vërtetuar edhe nga gjykata.

“Në 16 çështje që kam asistuar unë si avokat 9 prej tyre janë pranuar, duke na dhënë të drejtë, ndërsa 2 janë në proces shqyrtimi,” shtoi Tahiri.

Një prej ish-punonjësve të bashkisë që i është drejtuar gjykatës për largim të padrejtë nga puna është dhe Gjin Dedgjonaj. Në fund të proçesit 65-vjeçari tregon se gjykata ja ngriti kokën lart, duke e cilësuar të paligjshëm largimin e tij nga puna dhe duke e detyruar bashkinë që t’i paguante 6 paga mujore.

“Unë jam krejtësisht i bindur që më larguan politikisht nga puna dhe tani jam shumë i kënaqur që fitova të drejten time,” përfundoi ai./BIRN

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco