Keqardhje / Pengje 2021

Keqardhje / Pengje 2021

16:07, 15/05/2021
A+ Aa A-

Nga Jamarbër Malltezi 

Qysh të nesërmen e 25 Prillit u pa qartë roli i rëndë që krimi dhe korrupsioni kish luajtur në këto zgjedhje. Keqardhje për pritshmëritë dhe lodhjen e shume kolegëve që besuan tek përmirësimi i vendit përmes ideve dhe punës së ndershme dhe trishtuese për vendin dhe fatet e shumë shqiptarëve që mjerimi e frika i ka kapur për fyti dhe nuk janë të lirë të zgjedhin sipas dëshirës, por nën presion, frikë për jetën për vendin e punës apo për kafshatën e përditshme.

Natyrisht shumicën e pikave dhe shqetësimeve përfshi disa gabime të përsëritura të PD do i le për t’i diskutuar në mbledhje të forumeve të PD, por sot dua të ndaj veç disa pengje që më mbetën nga këto zgjedhje.

Pengu më i madh që kam është pamundësia e punësimit  të të rinjve të diplomuar shkëlqyeshëm në fushat mjedisore. Përgjatë shumë viteve kam pasur rastin t‘i jap leksione mbi 2000 studentëve. Çdo kurs ka të paktën 5-8% të studentëve që janë të shkëlqyer ose shumë të mirë. Kjo përkthehet në një listë me mbi 120 studentë të shkëlqyer që kanë pasur dëshirën të studiojnë dhe trajtojnë probleme mjedisore, si Esmeralda, Katerina, Klodeta, Gavroshi, Klodiani, Ornela, Aida, Besarda, Emanuela, Kalina, Ada, Gentian, Shkëlqim, Xhuljo, Sharina, Afërdita, Lulzim, Sabina, Aleksandër, Donatela, Besjana, Mirjan, Ervini, Brikena dhe dhjetëra të tjerë. Jam dëshmitar i sakrificave që shumë prej tyre kanë bërë për të studiuar për çështjet mjedisore.

Disa prej tyre sakrifikuan edhe më tej duke studiuar në universitete perëndimore dhe u kthyen në vend me dëshirën për të kontribuar. POR për fat të keq numërohen veç me gishtat e njërës dorë studentët e shkëlqyer që aktualisht punojnë në fushat e mjedisit. Një nga detyrimet e para të qeverisjes së mirë të PD do ishte që t’u bëhej thirrje gjithë këtyre studentëve të shkëlqyer që të ftoheshin të punonin në profesionin për të cilin kishin sakrifikuar aq shumë. Vendi i detyrohet këtyre studentëve të shkëlqyer dhe jam i bindur që këta 23-32 vjeçarë të sotëm do meritonin çdo punësim e do na bënin krenarë. Padyshim që do ishin shumë më mirë sesa fjala bie një ish-doganier që gjen strehë si drejtor në mjedis, apo disa trafikantë droge që u punësuan si ekspertë apo shefa mjedisi apo pyjesh. Më vjen keq dhe e kam peng o ish-studentët e mi të shkëlqyer që për fat të keq as këtë herë nuk ju ofrojme dot një alternativë tjetër përveç ikjes nga vendi sikur të ketë rënë kolera. Jam i bindur që kudo që jeni dhe kudo që të punoni ju do ia dilni mbanë se keni treguar përkushtim dhe disiplinë, por gjynah për vendin që nuk ju vleresoi dhe për mjedisin që do vijojë të degradohet nga injorantët me pushtet.

Peng tjetër e kam që për fat të keq nuk shpalosëm dot programin e mjedisit për të cilin kontribuan disa kolegë dhe përfshiu shumë fusha dhe shumë ide të mira. Për këtë nuk na e ka fajin as Rama, as Veliaj e as tualeti. Parashikuam reformë institucionale dhe të sistemit të monitorimit mjedisor, por edhe disa programe dhe plane kombëtare përfshi atë për pyjet e kullotat, për axhendën e gjelbër, për monitorimin dhe raportimin mjedisor, për ndryshimet klimatike, etj.

Pika e parë e programit ishte Transparencë dhe Llogaridhënie për aferën 430 milionë euro të inceneratorëve me mafien e plehrave për 3 djegës të pakërkuar dhe pacertifikuar, një korrupsion i paparë dhe i papranuar as në vendet më të korruptuara të Afrikes (në Zimbabëe u arrestua ministri që e nisi aferën dhe kërkohen për burg këta banditët e mafies shqiptare të plehrave). Po ashtu transparencë dhe llogaridhënie edhe për afera të tjera si psh 1 milion euro për kinse studim për lumenjtë e ndotur ndërkohë që ka 20 vjet që publikohet raporti i gjendjes së mjedisit në Shqipëri që ka edhe nivelet e ndotjeve për çdo lumë.

Qeveria dhe disa diplomatë po mburren me reformën në drejtësi por kurrë më parë në Shqipëri nuk ka pasur rast korrupsioni më masiv dhe shpërfillës ndaj ligjit sesa afera 430 miliona euroshe me inceneratorët ku nuk pati as garë, as kërkesë, u shkel ligji dhe MSA bashkë dhe ndonëse ka 3 padi të depozituara për këtë aferë, SPAK mbyll sytë, veshët dhe hundët dhe bën sikur nuk shikon, nuk dëgjon dhe nuk qelbet nga kudërbimi kur ministri që firmos marrveshjen krijon me familjaret e tij 8 kompani brenda ditës dhe merr mbrapsht 3 milion euro nga veç njëri prej inceneratorëve, ai i Elbasanit. Kurrë më parë kultura e pandëshkueshmërisë dhe korrupsioni kaq masiv nuk është lënë të kalojë në heshtje dhe të sfidoje shtetin ligjor duke përdorur paratë publike të vjedhura për të blerë vota dhe bërë ministrin deputet. Trajtimi i megaaferës korruptive të inceneratorëve duhet të jetë standardi për të vlerësuar nëse reforma në drejtësi do jete e suksesshme apo thjesht një vegël në duart e hajdutëve për të larë duart me drejtësinë. Shteti ligjor duhet të zbatohet pavarësisht se kush fiton zgjedhjet apo blen votat.

Një pike tjetër në programin e mjedisit të PD ishte edhe rikrijimi i Shërbimit Pyjor Shqiptar. Me një firmë të ministrit të pashkollë të inceneratorëve të plehrave u shkri fare ky shërbim shteteror që kish gati 100 vjet i krijuar. 700 inxhinierë pyjesh u hodhën në rrugë. Në vend të tyre u punësuan disa trafikantë droge qysh nga i dënuari Bled Mane, tek trafikantët e Krujës, e deri tek tashme i ndjeri Malko. Edhe njësitë e vogla të krijuara pranë bashkive punësuan kryesisht militantë partie e tek-tuk mbijetoi ndonjë inxhiner pyjesh për fare. Inxhinierë me 30 vjet eksperience si Petriti në Librazhd, Pashuku në Fushe Arrës, apo Nazmiu janë tashmë pa punë. Ata kapën dhe proceduan penalisht prerësit e pyjeve. Por zyrtarët që mbrojtën pyjet u shkarkuan dhe ndonëse sot janë të papune prapë monitorojnë pyjet e zones se ju qan zemra e i ndjejnë si familjare, ndërsa keqberësit vijojnë të shkatërrojnë pyjet dhe të kolliten tek tualeti. Donim të rikrijonim Sherbimin Pyjor dhe rikthenim dinjitetin e inxhinerëve por keqardhje që krimi i organizuar dhe paratë e korrupsionit nuk mundësuan zgjedhje programesh në 2021 por thjesht votime nën dhune dhe korrupsion.

Peng tjetër kam që nuk do krijojmë dot Fondin për projekte te vogla vendore në nivel komuniteti. Ju jap veç një shembull: ndërkohë që ca hajdutë po vjedhin 430 milionë euro për ca djegës të pakërkuar dhe pacertifikuar, në dhunim të ligjeve dhe MSA, në dhunim të afateve të kontratave që kanë nënshkruar, ndërkohe që ca hajdutë të tjere po perlajnë 1 milion euro për kinse një raport se kush janë lumenjte më të ndotur, kemi një grup të rinjsh të drejtuar nga Sarandjoti Adriatik Lapaj që po pastrojne fundin e detit nga ndotja. Deri tani kane nxjerrë 1310 goma dhe 36,000 shishe, bidona dhe kanaçe nga fundi i detit. Kontribut i jashtëzakonshëm mjedisor, por sa janë mbështetur nga shteti? 0 leke. Asnje lek. Pse? Nuk meritojnë këta te rinj pasionantë ca te holla që të paktën të mbulojne shpenzimet për pajisje zhytjeje? Të paktën një fond simbolik 4000 euro për të mbështetur të blejnë ca bombula zhytjeje apo ndonjë kompresor. Hiç asgjë. Por a na tregon dot Rama-Klosi një veprim konkret që ka pasur më shumë efikasitet dhe vlerë sesa ky aksion vullnetar i këtyre të rinjve? Pra paratë e Shqiptarëve shkojnë në xhepat e pak hajdutëve me në krye Ramën por nuk paska para për këto veprime konkrete.

Keqardhje që nuk do mund të realizojmë pikën tjetër që kishim në program: Ndalim të menjëhershëm të shfrytëzimit të shtretërve të lumenjve për inerte. Kane ndaluar guroret në disa male, por ama këto lavatriçet e inerteve në lumenj që kane ndikim 100 fish më të rëndë në mjedis lejohen për grabitqarët me biografi të mire. Kështu vijojne të gërryejnë shtratin e Matit oligarkët e Ramës përkatësisht Kola dhe Salillari, ndërsa shteti ka ikur në drejtim të paditur.

Keqardhje që raportimi dhe monitorimi mjedisor do vijojë të jete i dyshimtë dhe jo-rigoroz. Keqardhje që bregdeti do vijojë të shkatërrohet me pontile të çmendurish që nuk kuptojnë se po shkatërrojne mjedisin dhe vlerën ekonomike të pallogaritshme duke i shpallur luftë natyrës. Këto pontile – që dëmtojne natyrën qindra-fish më shumë sesa një ndërtim informal në toke – i ndërtojne miqtë oligarkë të Ramës herë pa leje dhe herë me leje ndonëse të pastudiuar fare por nuk i hyn gjemb në këmbë se kolliten tek zuzaret në pushtet. Keqardhje që dhjetëra resortet e oligarkëve të Rames në bregdet do vijojnë të derdhin ujrat e zeza në det se i duket shpenzim i tepërt investimi në impiante trajtimi ujrash të ndotura dhe nuk ka pse të shpenzojne kur Rama-Klosi mbyllin sytë, veshët e hundët kur bëhet fjalë për këta që i ngrohin xhepat.

Shumë keqardhje. Ndofta i vetmi ngushëllim është që u përpoqëm dhe ishim në anen e duhur të historisë. Pavarësisht se kjo në vetvete nuk mjafton.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco