Kërkesa për rivotim në 9 qarqe, ja si mund të ndryshojë rezultati

Kërkesa për rivotim në 9 qarqe, ja si mund të ndryshojë rezultati

10:08, 10/05/2021
A+ Aa A-

Opozita ka kërkuar rivotim në qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër, Fier, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër, te të cilat sipas saj janë vërejtur manipulime që kanë çuar në deformimin e votës, po gjithashtu vihet re dhe një numër i madh fletësh të pavlefshme që mund të përmbysnin rezultatin. Cilat mund të ishin ndryshimet qark për qark në rast rivotimi dhe ku gaboi taktikisht PD më 25 prill për ta maksimizuar votën në Tiranë, Durrës apo Elbasan.

Partia Demokratike ka dorëzuar dje në KQZ, ankimimin për 9 qarqe ku kërkon dhe përsëritjen e zgjedhjeve. Në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër, Fier, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër, PD pretendon se është kryer masakër elektorale, dhe për të cilat duhet që votimi të shpallet i pavlefshëm. Përfaqësuesit ligjorë të PD u shprehën se në këto dosje janë përfshirë “Nga blerja e votave dhe presioni ndaj votuesve, te vjedhja e të dhënave personale të qytetarëve nga partia-shtet dhe përdorimi i tyre për presione kriminale nga sistemi i patronazhistëve të partisë-shtet. Nga angazhimi i shtetit dhe administratës, te tenderat, punësimet, legalizimet dhe pagesat e paligjshme për të blerë vota. Nga kandidimi i përfaqësuesve të krimit të organizuar te përdorimi i bandave për të blerë vota dhe kërcënuar qytetarët nën mbrojtjen dhe mosveprimin e policisë dhe prokurorisë”, -thonë përfaqësuesit ligjorë të PD-së.

Strategjia e PD

Por në rast se do vëresh lëvizjen e votave në këto qarqe, shohim se përveç manipulimit, dhe PD mund të kishte shfrytëzuar më mirë resurset e saj, që ose i ka nënvleftësuar, ose nuk i ka përfshirë në listat e kandidatëve. Fjala vjen, përçarja e PDIU-së duhet të ishte parashikuar nga opozita. Në zgjedhjet e vitit 2017 kjo forcë politike arriti të merrte 76 mijë vota në rang vendi, prej të cilave 29 mijë vetëm në zonën e Elbasanit. Në zgjedhjet e vitit 2021, kjo forcë politike hyri e përçarë, dhe rrjedhja e votave nuk mund të llogaritet.

Ajo që dihet është se përfaqësuesit e mbetur të PDIU në koalicion me PD-në shfaqën një performancë të dobët. Në Tiranë nuk arritën të merrnin as 10 mijë vota nga më shumë se 12 mijë që morën në vitin 2017. Por krejt e kundërta ndodhi me pjesën e PDIU që iu bashkua PS-së. Në Tiranë dhe Elbasan ata morën më shumë se 26 mijë vota nominale. Në Tiranë thyen herësin, ndërsa në Elbasan mund t’i jepnin PD-së mandatin e shtatë. Gjithashtu, një përzgjedhje më e mirë mund të bëhej dhe në Durrës, ku performanca e disa kandidatëve la për të dëshiruar, duke humbur dhe bastione si fjala vjen qytetin e Krujës, apo zona të tjera në Durrës që kishin tendenca të qarta të votonin djathtas. E njëjta gjë u vu re dhe në Tiranë, ku drejtues të caktuar nuk kanë performuar mirë në disa njësi administrative dhe kjo vihet re në rezultatet që kanë marrë.

PS ruan votat e veta

Në zgjedhjet e këtij viti, as që mendohej një fitore e PS-së sepse llogaritë nuk dilnin kurrkund. Dhe PS po arrin të mbajë qeverinë me votat e njëjta të vitit 2017. Në atë vit ajo arriti të marrë 764750 vota kundrejt 768 251 vota ose 3501 vota më shumë se 4 vjet më parë. Duket se manipulimi është përqendruar te të pakënaqurit, të cilët ose janë joshur me shuma monetare ose me favore të tjera, punësim, legalizime etj. Një rritje e pajustifikuar në raport me qarqet e tjera vihet re në Elbasan, ku mendohet që edhe manipulimi të ketë qenë më i madh. Në Berat, PS ka rënie me më shumë se 3 mijë vota nga 2017, dhe PD rritje me 7 mijë vota. Rënie drastike në këtë qark ka pasur LSI, e cila shënon më shumë se 11 mijë vota humbje. Ripërsëritja e Zgjedhjeve favorizon LSI-në e cila mund të marrë mandatin dhe kjo t’i zbritet PS-së, e cila ka përfituar nga sistemi duke marrë një deputet me 8471 vota nga 11500 që i janë dashur PD-së. LSI e ka humbur mandatin në këtë qark për vetëm75 vota.

Durrës, Fier, Elbasan

Edhe në Durrës, duket që PS është favorizuar dukshëm, duke marrë 8 mandate me 76 mijë vota ose një mandat për 9500 vota. PD ka përfituar një mandat për 10500 vota, ndërsa LSI nuk ka arritur herësin për vetëm 106 vota. Edhe këtu mandati i ikën PS dhe i kalon LSI-së. Në Fier, numërohen 9375 vota të pavlefshme, ndërsa një mandat PS ka arritur ta përfitojë për 10174 vota. Mazhoranca në këtë qark ka një rënie me më shumë se 13 mijë vota nga zgjedhjet e kaluara dhe PD nga ripërsëritja e zgjedhjeve synon mandatin e shtatë, që mund ta arrijë me rreth 7 apo 8 mijë vota më shumë kundrejt 10500 votave që i duhen së majtës. Diferenca e votave të pavlefshme justifikon kërkesën e saj. Rritja e PS në Elbasan ndryshon rregullat e lojës.

Këtu mazhoranca ka arritur të marrë 86 224 vota kundrejt 72881 votave në 2017, pra 13343 vota më shumë. Duket se Elbasani është një rast për t’u studiuar me imtësi. Opozita në këtë qark ka arritur ta fitojë një mandat me 9646 vota, kundrejt 9580 votave që e ka përfituar mazhoranca. LSI-së i duhet më pak se 3 mijë vota për të marrë një deputet, por në këtë qark rrezikon t’ia marrë PD-së. Në këtë qark numërohen 9770 vota të pavlefshme, të mjaftueshme për të prodhuar një mandat në çdo krah politik. Në Korçë, PD ka marrë 5 deputetë, e barasvlershme me 10095 vota për mandat, ndërsa PS ka përfituar 6 mandate deputetësh për 10090 vota.

LSI e ka humbur mandatin e saj në këtë qark për 600 vota, ndërsa fletë të pavlefshme votimi kanë dalë 7375. Edhe këtu numri i fletëve të votimit do të mjaftonte për secilën nga të tria forcat politike që të ndryshonte rezultatin. Në Shkodër, mandatin do e humbiste Tom Doshi i PSD në rast përsëritje, i cili ka arritur të marrë dy deputetë me 16425 vota, që do i kalonte PD-së. Ndërhyrja e Doshit duket se ka qenë definitive për mandatin e saj të gjashtë në këtë qytet.

Tirana, Vlora, Gjirokastra

Tirana është rast më specifik. PS ka arritur ta përfitojë 18 mandate me 12602 vota për mandat. PD ka marrë 182335 vota duke përfituar 15 deputetë me 12155 vota për mandat. Por masa e fletëve të pavlefshme të votimit është aq e madhe sa do përmbyste çdo lloj rezultati në favor të njërës apo tjetrës palë. Madje këtu hyn në lojë dhe LSI, që e ka përfituar një karton në kuvend për më shumë se 13500 vota, ose gati 1000 vota më tepër se partitë e mëdha. PD dhe PS i duhen respektivisht i njëjti numër votash për të marrë nga një mandat më shumë, pra diku te 12 mijë nga këto, ndërsa po aq i duhen dhe LSI-së. Pra, sasia e votave të pavlefshme që ka Tirana mund ta lëvizë ngado rezultatin. Për sa i përket Vlorës, më afër mandatit do ishte LSI që e ka humbur për rreth 1100 vota, e cila do i zbritej PS-së që ka përfituar tetë mandate me herës më të ulët.

Ndryshim rezultati do kishte dhe në Gjirokastër, por këtu do duheshin që forcat politike LSI dhe PD të ndihmonin njëra-tjetrën. Një mandat PS e ka përfituar për 8200 vota, ndërsa PD-së i janë dashur 14 mijë vota. Fletë të pavlefshme në Gjirokastër janë 2317 vota.

LSI dorëzon 2 ankime në KQZ, kërkon përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Beratit

Lëvizja Socialiste për Integrim, dje ka ankimuar rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Beratit. Drejtuar me një kërkesë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, LSI ka kërkuar shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në disa QV dhe përsëritjen e zgjedhjeve për të gjithë qarkun e Beratit. Në këtë qark Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka arritur që të sigurojë asnjë mandat ndërsa Partia Socialiste ka marrë 5 mandate. Sipas LSI diferenca e votave mes kandidatit të saj dhe të PS ka qenë shumë e vogël, ndaj në bazë të fakteve dhe provave që zotërojnë theksojnë se ka shkelje dhe manipulim./MAPO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco